Kohë arushanësh

Bekim Kupina Bekim Kupina 17 May 2019 10:42

Në kontekstin kosovar nuk po ndodh vetëm përmbysja e rendit të fjalëve në fjali. Por edhe më keq, përmbysja e rendit logjik. Gjuetari s`e mbyti ariun. As ariu gjuetarin. Dikush e mbyti lajmin. E ariun tentojnë ta mbysin jokompetenca dhe mediokriteti. Like dhe gjithologë gjithandej

Kur njerëzit u bënë agresorë ndaj arushkave të vogla, arusha e madhe ia behu fshatit Pouskë duke ua bërë pre një duzinë delesh e qengjash.

Tingëllon si në përralla, ama në legjendën urbane të këtyre ditëve rrëfimi për arushën mori përmasa horrori. Që nga ndjekja e saj me ushtri e deri te fatvaja për vrasjen e saj.

Bah! Në një kohë mosmarrëveshjesh të skajshme ndërnjerëzore polli puna edhe me kafshë të egra.

E gjithë kjo situatë e prodhuar nga jokompetenca. Në fakt, nga përpjekja për t’i ditur të gjitha. Jo rastësisht në mbretërinë e budallenjve, siç do të shprehej Eco për internetin, gjithnjë e më shumë po defilojnë gjithologët. Kujdestarët e të gjitha çështjeve, që i kanë përgjigjet për akëcilën situatë. Sikur të jetë interneti një laborator mendjesh të radhitura në rafte, dhe për secilën dilemë zgjedh një palë të tillë për t`ia dhënë zgjidhjen.

Në fakt, kjo tendencë gjithologjike po shkakton edhe më shumë konfuzion në të gjitha sferat shoqërore. Prej devijimit të informacionit bazik e deri te deformimi i fakteve.

Arusha e Prizrenit në fakt nuk u bë e tillë, e bënë. Pra, ia vodhën këlyshët. Por, çuditërisht, askush nuk u mor me këtë akt, por me delet që i hëngri ajo pas acarimit me shqiptarët e atjeshëm.

Së dyti, nuk u vu ushtria në ndjekje të saj, por asistoi në ndërrimin e lokacionit të arushës si një masë preventive për t’ua hequr gazepin banorëve të Pouskës.

Pra, në të dy rastet mediat online, duke marrë informatën nga ndonjëri portal bashibozuk, e shpërndajnë atë më tej në shumë adresa, të tilla, gjysmagjel.

Tipike, si në satirën e Fishtës për gomarin që fluturon. Duke prodhuar konfuzion, ata rrisin klikimet dhe secili like i tyre çdo ditë po shndërrohet në çekan që po godet në ndërgjegjen e secilit. Rreziku më i madh i kësaj shoqërie është nga kriminalizimi i mendjes dhe nga korruptimi i shijes.

Ndoshta paralajmërimi i Instagramit për fshehjen e like-ve do të jetë hapi i parë kundrejt një veprimi që tashmë ua ka ngre piramidën hipokrizisë dhe korruptimit të shijes.

Kjo, ngase vrojtimi i Instagramit nxjerr në pah se njerëzit në të shumtën e rasteve nuk i kushtojnë rëndësi postimit, porse të bërit like.

Të ndodhur peng të like-ve, tashmë gjithçka ka marrë konotacion pëlqimi. Kur flemë, hamë, rrimë, shëtisim apo fluturojmë. Por, kjo nuk ka të mbaruar me fotot. Edhe më rëndë me fjalët. Duke pasur parasysh qasjen haidergeriane se gjithçka rrjedh nga gjuha, tashmë ka marrë formë hegjemonia gjuhësore. E prodhuar fillimisht në nivel të diskursit politik prej 20 vjetësh, mandej e bartur tek ato që cilësohen media online.

Çdo ditë qytetarët e këtij vendi terrorizohen në aspektin informativ nga grumbuj shkronjash që vetëm lajm nuk mund të cilësohet.

Është për habi me çfarë pasioni këto portale i japin zor në garën për like, për të prodhuar me çdo kusht sensacion edhe me gjëra të zakonshme.

Brenda një jave dy raste tipike që ta ngjethin mishtë me absurdin informativ.

Njësoj si në rastin e arushës, edhe me parashikimin e motit. Seç të shkon mendja sikur portalet luten si fiset afrikane që në këtë vend ose të bjerë borë shumë, ose shi, ose tërmet, ose ku di se çka më keq...

Kjo sa për të ndjellë frikë, po aq për t`i bërë të varur një pjesë lexuesish, të cilët perceptimin e krijojnë nga titulli dhe nuk u intereson nëse ka ndonjë referencë brenda një artikulli. Lajmi mandej merr dhenë. Njëri e shpërndan hovshëm duke pësuar njëfarë dëliri.

“Kijamet po bojke nesër. E lexova në filan portalin. Kish thanë Syla ka me pasë vërshime”. Ky është narracioni i zakonshëm nga lajmet ditore portaleske. Por, e vërteta është krejt ndryshe.

Instituti Hidrometeorologjik jep prognozë të motit, jo diagnozë. Rrjedhimisht ata kanë thënë se brenda harkut kohor prej 72 orësh mund të ketë vërshime në vise malore.

Por në mediat online del lajmi se do të ketë reshje 72 orë pa ndalur. Sakaq të del parasysh një pamje biblike, ku pa dashje njeriu kërkon në mendje barkën e Noas si i vetmi shpëtim ndaj një apokalipsi të tillë.

Nën pushtetin e like-ve prodhohet veç absurdi. Këtij absurdi mediat online po ia bëjnë argatin çdo ditë duke promovuar jo vetëm antigazetari, por edhe antiekspertë. Njëlloj obskurantizmi medial. Pra, duke ia ndërtuar një kult jokompetencës. Jo çdokush mund dhe duhet të dalë për ta dhënë një mendim për çështje specifike në media. Ngase me trendin aktual ka mundësi që një ditë do të ndodhemi në garën e Librit Guinnes për kombin më kompetent në planet. Të gjithë dinë gjithçka!

Nuk janë të pakta rastet kur në media defilojnë profile njerëzish që pa hezitim flasin për gjeostrategji e gjeopolitikë. A po i bie Amerika-rusit, apo nëse po kollitet në Evropë gjermani. Ama nuk është faji i tyre. Në esencë, secili prej tyre ekzaltohet sapo t`i dalë një njeri i medias përpara. Për një çast e projekton veten në ekran, ani pse mund të jetë i intervistuar i një portali. E rëndësishme në këtë situatë është ndjesia. Tipi ndihet mirë kur ua jep kumtin miqve, familjarëve e kushërinjve se ka folur me gazetarë. Fajin duhet kërkuar tek ata që e kanë ngarkuar veten me mision për ta mbajtur të informuar publikun. Një nga parimet e gazetarisë është edhe mbështetja në burime kredibile, që kanë ekspertizë dhe janë të autorizuara.

Pra, jo çdokush mund të jetë personazh i medias. Lehtësia e mbushjes së hapësirës mediale dosido dhe me këdo e ka shndërruar sferën e medias në një llucë, ku së pari po zhyten gazetarët pastaj burimet e tyre. Kësisoj po i bëjmë ngrehinë jokompetencës dhe po e rrënojmë edhe më besimin në ata pak kompetentë që ka ky vend. Hegjemonizmi gjuhësor ka bërë që me lehtësi të kontestohet nga laikë të çështjes qëndrimi profesional i ekspertëve për ndonjë çështje. Kjo njëfarë tendence për gjithologji, përpjekje për njëjtësim në stilin çfarë di ai më shumë se unë. Por ja që gjërat janë të rregulluara. Mediave u duhen ekspertë, por jo entuziastë të pajisur me dije nga Google.

Duke sjellë modele të tilla raportimi, sot mediat online janë bërë bajate duke luajtur rolin e dritareve mortore. Nuk janë të rralla rastet kur transmetohen live varrime të qytetarëve që vdesin në aksidente trafiku, apo sëmundje të ndryshme. Çfarë u duhet ky bizaritet?! Krejt punë llajkash. Përbuzni llajkat, sepse një ditë ato do të shndërrohen në shigjeta!

Duke u ngre kult pseudovlerave, shoqëria kosovare ka mbërri në stadin e mungesës totale të autoriteteve morale, fjala e të cilëve do të kishte peshë. Në këtë situatë pa dyshim kontribut të madh kanë dhënë mediat online, duke promovuar turli njeriu, apo njerëz të sapodalë nga katedrat. Prezantimi në media do njëfarë përvoje akademike të gërshetuar me atë jetësore, porse në asnjë mënyrë vetëm të parën. Promovimi i gjithologëve mbyt ambicien për një shoqëri të bazuar në vlera.

Kur më 2009 vdiq shkrimtarja italiane Alda Merini, i gjithë qyteti i Milanos e përcolli për në udhëtimin e saj të fundit me buqeta lulesh.

E kur vdiq Ali Podrimja më 2012 dhe Idriz Ajeti vjet, një numër simbolik qytetarësh ua dhanë lamtumirën!

Mediat online vetëm një gjë nuk duhet ta harrojnë. Bota mediale ende funksionon mbi parimet e njohura: Kush, çka, kur, ku, pse dhe si?

bekim.kupina@kohaditore.com

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Bekim Kupina