Në Kosovë nganjëherë reagohet në disa zhvillime në atë mënyrë, saqë ngrihet pyetja nëse kosovarët janë egoistë apo solidarë. Pse duhet të ndihmojmë rindërtimin e katedrales “Notre Dame”, pse Dua Lipa po i ndihmon refugjatët nga Siria, kur mund t’i ndihmojë njerëzit e saj në Kosovë, pse Nënë Tereza ka shkuar në Indi për t’i ndihmuar të varfrit, kur ka mundur t’u ndihmojë shqiptarëve. Me këtë logjikë edhe shtetet si Franca, Belgjika, Norvegjia e shumë të tjera kanë mundur të mos e ndihmojnë Kosovën, por njerëzit e vet. Sepse njerëz në nevojë dhe të varfër ka gjithkund. E kosovarët, sipas statistikave, janë ndër përfituesit më të mëdhenj në botë të ndihmave për kokë banori.
Duke shëtitur kodrave të Apolonisë antike në afërsi të qytetit të Fierit, dhe duke parë zbulimet e reja aty, që vit pas viti e nxjerrin këtë si një prej qendrave më të pasura me artefakte nga antika, mund të shtrohej pyetja: çfarë do të bëhej me këtë vend sikur të mos ishin restauruesit nga Franca, dhe sikur nga ky shtet të mos kishte aq shumë investime në vazhdimin e gërmimeve. Mund të tingëllojë si ironi, por ndoshta i tërë Parku Arkeologjik i Apolonisë do të shndërrohej në një sallon dasmash, ndërsa amfiteatri mund të ruhej sa për të shërbyer si një kulisë për fotot për “Facebook”. Falë kërkuesve nga Franca, jo vetëm tash, por edhe para shumë vjetësh, ky vend nuk u shkatërrua dhe shkretua, dhe tash, me vazhdimin e investimeve dhe me rritjen e numrit të vizitorëve, do të zbulohen edhe më shumë gjëra dhe muzeu do të jetë edhe më i begat për t’iu mundësuar gjeneratave të reja që të kenë një trashëgimi të madhe të historisë së Shqipërisë, Evropës dhe tërë botës. Respektimi i së kaluarës është një investim në të ardhmen.
Apolonia është vetëm një prej vendeve turistike në tokat shqiptare ku investimet e huaja dhe donacionet kanë ndihmuar në restaurim apo zbulime. Me ndihma ndërkombëtare janë restauruar shumë objekte të shkatërruara gjatë komunizmit, të tilla që janë shkatërruar gjatë agresionit serbomadh në Kosovë, dhe vazhdojnë të restaurohen. Me para të taksapaguesve të vendeve të tjera janë rindërtuar edhe xhami, edhe ura. Janë ushqyer dhe strehuar refugjatët nga Kosova, kur ishin të përzënë dhe në fillim kur u kthyen nëpër shtëpitë e tyre. Janë rindërtuar dhe ndërtuar shkolla, spitale e ambulanca. Kosova, por edhe Shqipëria janë përfituese edhe të asistencës teknike dhe financiare të BE-së apo shteteve të Perëndimit përmes programeve të tyre zhvillimore. Këto ndihma kanë qenë dhe janë shenja të solidaritetit, e ky solidaritet do të duhej të ishte edhe shtylla e njerëzimit. Sepse gjithmonë do të ketë njerëz në nevojë dhe të tillë që kanë vullnet për të ndihmuar. Prandaj duhet mbajtur mend kur dikush na ndihmon dhe duhet kthyer, nëse jo njolloj, sepse nuk kemi mundësi, atëherë së paku në mënyrë simbolike. E simbolike ka qenë edhe ndihma që Kosova është shprehur përmes Qeverisë se do të japë për rindërtimin e Katedrales së Parisit që u dogj para një jave. Edhe pa ato mjete nga buxheti i Kosovës do të rindërtohet ajo Katedrale. Është mirë që aq shpejt mblidhen mjete për një gjë të tillë, por po ashtu është keq se në raste kur janë objektet më pak të njohura në botë, atëherë më vështirë gjenden mjete për rindërtim. Por patën apo jo nevojë francezët për ndihmën simbolike nga Kosova, pohimet në debate se Kosova nuk është dashur të ndihmonte janë të pahijshme.
Në Kosovë nganjëherë reagohet në disa zhvillime në atë mënyrë, saqë ngrihet pyetja nëse kosovarët janë egoistë apo janë solidarë. Pse duhet të ndihmojmë rindërtimin e katedrales “Notre Dame”, pse Dua Lipa po ndihmon refugjatët nga Siria, kur mund t’i ndihmojë njerëzit e saj në Kosovë, pse Nënë Tereza ka shkuar në Indi për t’i ndihmuar të varfrit, kur ka mundur t’u ndihmojë shqiptarëve. Me këtë logjik edhe shtete si Franca, Belgjika, Norvegjia e shumë të tjera kanë mundur të mos e ndihmojnë Kosovën, por njerëzit e vet. Sepse njerëz në nevojë dhe të varfër ka gjithkund. E kosovarët, sipas statistikave, janë ndër përfituesit më të mëdhenj në botë të ndihmave për kokë banori. Me miliarda euro janë dhënë nga Bashkimi Evropian, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga vende të tjera në mënyrë individuale për ta ndihmuar Kosovën.
Kosova sot ka shumë halle. Përkundër aq shumë ndihmave që janë dhënë, ajo mbetet ndër shtetet më të varfra të Evropës, me standard të disa vendeve të botës së tretë. Si shtet është çliruar dhe formuar edhe me ndihmën e madhe ndërkombëtare. Nuk duhet harruar këtë.
Dhe nuk është vetëm Kosova ajo ku po vihet në pikëpyetje parimi i solidaritetit. Bashkimi Evropian sot, pikërisht për shkak të solidaritetit, po përballet me ndarje të mëdha të brendshme. Vendet anëtare të BE-së nga Evropa Qendrore dhe ajo Lindore, që kanë përfituar me qindra miliarda euro nga programet e kohezionit të BE-së, nuk kanë dashur të pranojnë refugjatë dhe në këtë mënyrë të ndajnë barrën me shtetet si Gjermania, Franca dhe Suedia. Kështu Hungaria, Polonia dhe Sllovakia, që janë zhvilluar aq shumë prej kur janë bërë anëtare të BE-së, sikur kanë harruar se solidariteti ka dy drejtime, dhe se kur përfiton nga ai duhet të jesh i gatshëm edhe të japësh kontribut. Aq sa mundesh. Për këto vende lindore dhe regjimet e tyre nuk është problem nëse Gjermania pranon 1 milion refugjatë nga Siria e ata nuk duan asnjë, sepse nuk duan myslimanë. Por në të njëjtën kohë insistojnë që parimi i solidaritetit, si shtyllë e bashkimit të Evropës, të ruhet edhe në politikën e kohezionit për periudhën prej vitit 2021 deri në vitin 2027, dhe të mos zvogëlohen mjetet financiare që kryesisht grumbullohen me kontribute nga Holanda, Gjermania, Suedia, Belgjika, Franca e Danimarka, e të tjera vende që janë neto kontribuuese në buxhetin e BE-së (japin më shumë sesa që marrin) e të cilat më së shumti shfrytëzohen nga Polonia, Bullgaria, Rumania, Hungaria, Kroacia dhe të tjerat që janë neto përfituese në buxhetin e Bashkimit Evropian.
Por edhe vendet e pasura nuk janë krejtësisht të marra. Disa nga to tash po insistojnë se, nëse nuk vlen parimi i solidaritetit në rastin e refugjatëve, atëherë pse të vlejë në rastin e buxhetit të BE-së. Dhe kërkojnë që të zhvendosen disa fonde nga politika e kohezionit, nga shtetet më pak të zhvilluara, dhe t’u jepen shteteve të pasura si Gjermanisë e Francës për t’u ndihmuar për të strehuar dhe integruar refugjatët.
Edhe shqiptarët duhet ta kenë parasysh se solidariteti nuk është vetëm rrugë njëdrejtimëshe, dhe si njerëz që kanë përvojë nga e kaluara, kur u dolën në ndihmë të tjerët, duhet të kenë më shumë mirëkuptim edhe për të tjerët, pa marrë parasysh se a janë më të pasur apo më të varfër se ne, a kanë apo nuk kanë nevojë. Të jemi të sigurt se ka shumë të pastrehë në Belgjikë, Francë e Britani, në SHBA e Australi, dhe me mjete që kanë dhënë për Kosovën ato shtete ndoshta kanë mundur të ndërtojnë vende strehimi edhe për ta. Dhe nuk është i vogël numri i atyre njerëzve në vendet që kanë ndihmuar Kosovën, Sirinë, Irakun, Palestinën, Bosnjën, që thonë se më mirë do të ishte sikur t’i investonin në vendin e vet. Mendimi i tillë quhet egoizëm.
© KOHA Ditore
-
Nga: Augustin Palokaj
-
24 prill 2019 10:23
-
Shpërndaje në: