OpEd

Për kambanat greke që bien në Kosovë

Një histori e shkurtër greke: Fakelaki dhe Rousfeti

Në vitet në të cilat ekonomia greke do të ndiente efektet e krizës, e cila disa vjet më vonë do ta detyronte shtetin helen të aplikonte një program të ashpër kursimesh, ndërmarrjet private greke do të fajësonin administratën e stërmbushur publike, borxhin e lartë publik, si dhe paaftësinë për realizimin e reformave të nevojshme ekonomike.

“Fakelaki” dhe “Rousfeti” do të ishin fjalët që do ta karakterizonin burimin e krizës në Greqi. E para, që në shqip do të përkthehej në zarfet e vogla, do të ishte sinonim i korrupsionit të pranishëm në secilën sferë të jetës, derisa e dyta, që në shqip nënkupton nepotizmin, favoret e shtrenjta politike dhe vënien e interesave politike dhe individuale para atyre të përgjithshme, do të ishte treguesi më i mirë i tatëpjetës që kishte marrë shteti grek. Lufta për pushtet, si dhe interesat e grupeve politike kishin vështirësuar në shkallë të madhe operimin e sektorit privat, si dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte, por edhe rritjen e evazionit tatimor dhe humbjen e shpresës së qytetarëve. Gati gjysma e amvisërive greke vareshin nga të hyrat pensionale, të cilat absorbonin mbi 17% të bruto produktit vendor.

Në tërë këtë situatë, ndikim tejet rëndues kishte ndjekja e politikave populiste. Në një opinion të publikuar në “New York Times” në vitin 2016, opinionisti Nikos Konstandaras do të vlerësonte demagogjinë populiste si mënyrë shumë të efektshme të marrjes së pushtetit dhe vënies së popullit kundër elitave, duke ndarë qytetarët në patriotë dhe tradhtarë. Konstandaras do të shtonte më tej se populizmi i brendshëm është asgjë tjetër përpos një rrugë qorre, derisa shtetet që i nënshtrohen populizmit humbin forcën për shtyrjen e reformave.

Kriza greke do të prekte në masë të madhe edhe familjet greke, me shumë qytetarë grek të detyruar të largoheshin nga vendi në kërkim të mundësive të punësimit në shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian.

Populizmi është argëtim i shtrenjtë

Për të paguar çmimin e populizmit në të cilin ishte zhytur, shteti grek ishte detyruar të aprovonte një program të masave të ashpra të kursimeve, i cili do t’i mundësonte përfitimin e një huaje të madhe financiare nga Bashkimi Evropian dhe investitorët privatë prej më shumë se 300 miliardë eurosh, për të shmangur dështimin e përmbushjes së obligimeve financiare. Ky proces do të njihej si një shpëtim i pashembullt financiar i një shteti në bankrotim.

Masat e ashpra, të cilat ishte zotuar t’i zbatonte shteti grek, e detyruan Qeverinë të shkurtonte shpenzimet, si dhe të rriste tatimet. Reagimi publik ishte po aq i ashpër sa edhe vetë masat e aplikuara. Këto masa do të ndikonin në tkurrjen e ekonomisë greke për 25%, si dhe në rritjen e papunësisë po ashtu në 25%, derisa papunësia në mesin e të rinjve do të arrinte në 50%. Pavarësisht rezultateve pozitive të cilat ky program i masave të ashpra ka filluar të gjenerojë në ekonominë greke, barra e pagesës së kredive që shpëtuan shtetin nga bankrotimi do të rëndojë mbi Greqinë deri në vitin 2060.

Fakelaki dhe Rousfeti në versionin kosovar

Kosova dhe Greqia janë dy shtete në Gadishullin Ballkanik, jo më larg se 250 kilometra nga njëra-tjetra. Por, përveç rajonit gjeografik, Kosova dhe Greqia ndajnë edhe shumë faktorë të njëjtë, si korrupsionin, nepotizmin, paaftësinë e shtetit për të shtyrë përpara reformat. Para disa javësh, një numër ambasadorësh të shteteve mike të Kosovës, që e kanë mbështetur atë në periudhën e para dhe pas çlirimit, shpalljes së Pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit, shprehën shqetësimet e tyre lidhur me një vendim të deputetëve të Kosovës, të cilët gjatë votimit për një bartës të një funksioni të rëndësishëm publik, zgjodhën të vlerësojnë nepotizmin dhe lidhjet politike përtej profesionalizmit dhe të kaluarës së dyshimtë.

Një ambasador i një shteti tjetër mik të Kosovës, do të shprehte shqetësimin e tij lidhur me shpenzimet e shumta publike për përfituesit e skemave të ndryshme pensionale, të cilat në rrethana normale do të duheshin përdorur për ndërtimin e infrastrukturës bazike të ujësjellësit dhe kanalizimit, i cili u mungon shumë vendbanimeve anembanë Kosovës. Mbi 15% e buxhetit, edhe ashtu të kufizuar prej 2.3 miliardë eurosh, shpenzohet për skemat e ndryshme sociale dhe pensionale, ndërsa kjo përqindje do të rritet me prezantimin e skemave të reja pensionale të aprovuara së fundmi. Administrata e mbingarkuar publike, si në institucionet e shtetit ashtu edhe në ndërmarrjet në pronësi të tij, si dhe rritja e vazhdueshme e pagave për ta, rrisin shpenzimet publike në dëm të investimeve kapitale.

Kosova, po ashtu rangohet jo mirë në aspekt të perceptimit për korrupsion, ku sipas Indeksit më të fundit të Perceptimit të Korrupsionit të organizatës “Transparency International” rangohet në vendin e 93-të, me përkeqësim për tetë vende krahasuar me vetëm një vit më parë. Një hulumtim me biznese i realizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë gjen se 98% e bizneseve e vlerësojnë korrupsionin si problemin kryesor, derisa 52% e tyre janë përballur me ndonjë formë të korrupsionit.

Në anën tjetër, ekonomia joformale në Kosovë vlerësohet të jetë në normë prej 30%, derisa në norma të ngjashme raportohet edhe papunësia. Mbi 55% është norma e papunësisë në mesin e të rinjve. Përmirësimet e lehta të raportuara në normën e papunësisë nuk janë rezultat i rritjes ekonomike dhe shtimit të investimeve, por i zvogëlimit të shkallës së pjesëmarrjes së fuqisë punëtore, respektivisht zvogëlimit të numrit të njerëzve që në mënyrë aktive kërkojnë një vend pune.

Kur flitet për njerëzit, duhet me doemos të përmendim edhe një raport të fundit të Zyrës Evropiane të Statistikave (Eurostat), sipas të cilit Kosova ka pasur një tkurrje të popullsisë në normë prej gati 15% brenda periudhës dhjetëvjeçare. Sektori privat shprehet i shqetësuar për humbjen e kapitalit njerëzor, për shkak të tendencës së vazhdueshme të kosovarëve për kërkim të prospekteve më të mëdha për punë dhe jetë më të mirë jashtë vendit. E liberalizimi i mundshëm i vizave brenda zonës Schengen ndikon në përshkallëzimin e mëtejmë të shqetësimeve të ndërmarrjeve private.

Kosova ka shënuar në vazhdimësi normë pozitive të rritjes ekonomike, e cila edhe për vitet në vijim pritet të jetë pak mbi 4%, megjithatë burimet aktuale të kësaj rritjeje, si dërgesat nga diaspora, konsumi, investimet publike, dhe investimet e pakta private dhe të huaja, zbehin prospektet për zhvillim të qëndrueshëm. Derisa vendimet populiste dhe shpenzimet e pakujdesshme të parave të taksapaguesve kosovarë rrezikojnë edhe stabilitetin financiar. Borxhi publik prej rreth 18%, edhe pse është brenda normave të pranueshme, është rritur me një ritëm të shpejtë viteve të fundit.

Për kambanat greke që bien në Kosovë

Pjesa e mësipërme tërheq paralele të shumta ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, sidomos në aspekt të faktorëve që çuan në krizën e ekonomisë greke vite më parë. Kambanat e krizës greke kanë filluar të bien në Kosovë dhe do të bëhen gjithnjë e më të zhurmshme, në qoftë se institucionet e vendit nuk marrin në konsideratë pasojat e rënda të vendimeve populiste të cilat po e shterin arkën e shtetit, dekurajojnë investimet e brendshme dhe të jashtme, dhe zbehin shpresën e qytetarëve. Këta të fundit bartin pashmangshëm një pjesë të përgjegjësisë.

Ashtu siç do të thoshte opinionisti i “New York Times”, Konstandaras, vendimet populiste janë sharmante, por nuk ofrojnë të ardhme të qëndrueshme. Grupet politike do të duhej të fitonin besimin e qytetarëve me programe të avancuara politike, të cilat garantojnë zhvillim të qëndrueshëm, vende pune, sundim të ligjit, shërbime cilësore publike në arsim dhe shëndetësi, mjedis më të pastër dhe jetë më të mirë.

Politika duhet të përmbahet nga demagogjia populiste, e cila krijon ndarje mes grupeve të shoqërisë në patriotë dhe tradhtarë, por edhe në përkeqësim të indikatorëve ekonomikë. Ashtu siç është dëshmuar në rastin e Greqisë, populizmi çon në greminë, ndërsa rruga e reformave nuk duhet të ketë alternativë tjetër. Fatura e populizmit në Kosovë është hapur, ndërsa institucioneve u mbetet të përcaktojnë se sa e shtrenjtë do të jetë ajo. Pagesën e saj, gjithsesi do ta bartin qytetarët e Kosovës.

(Autori është drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë)