Kush ka nevojë për më shumë shpëtimtarë të bardhë?

Peter Singer Peter Singer 06 April 2019 14:22

Duket se shumë pak njerëz në nevojë mërziten për ngjyrën e lëkurës së njerëzve që i drejtojnë ato organizata apo nëse ata jetojnë në Afrikë. Nëse qëllimi është ndihma për ata që jetojnë në varfëri të skajshme, atëherë na duhen të gjithë shpëtimtarët e mundshëm

Është një organizatë bamirëse britanike e quajtur “Comic Relief”, e cila mbledh para për njerëzit në nevojë, si në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu edhe jashtë saj. Për çdo dy vjet ajo organizon Ditën e Hundës së Kuqe, me ç’rast përkrahësit mbajnë hundë të kuqe të palaçove. Dita kulmon me një spektakël televiziv, ku marrin pjesë komikët dhe yjet. Këtë vit, në Ditën e Hundës së Kuqe u mblodhën 63.5 milionë funte – një shumë kjo e madhe parash, që megjithatë paraqet rënie për rreth tetë milionë krahasuar me dy vjet më parë.

Dy vjet më parë, David Lammy, anëtar i Parlamentit për Tottenhamin, e kishte kritikuar këtë organizatë, shkaku që ajo e kishte dërguar Stacey Dooleyn, një prezantuese televizive angleze, për në Ugandë. Atje, ajo ishte fotografuar duke e mbajtur një fëmijë afrikan. Lammy, me prejardhje afrikane, kishte shkruar në “Twitter”: “Bota nuk ka më nevojë për shpëtimtarë të bardhë”, duke shtuar se pamjet e tilla “përjetësojnë stereotipat e moçëm dhe të padobishëm”. Në vend të kësaj, ka pretenduar ai, ne duhet të “promovojmë zërat nëpër Kontinentin e Afrikës”.

Në televizionin britanik, Lammy e ka pranuar se bamirësia është diçka e mirë, por ka shtuar: “’Comic Relief’ është formulë 20-vjeçare që u kërkon komikëve të bëjnë performanca dhe që i dërgon yjet – kryesisht të bardhë – për në Afrikë, derisa pamja e tillë evokon për shumicën e pakicave etnike në Britani një imazh të periudhës kolonialiste, që paraqet heroinën e bukur të bardhë që mban një fëmijë të zi, pa asnjë prind pranë”.

Qëndrimet si ai i Lammyt janë duke u theksuar gjithnjë e më shumë në qarqet progresive, mbase edhe duke ndikuar në donacionet e sivjetme për Ditën e Hundës së Kuqe. A do të ishte më mirë nëse yjet e bardha nuk do të angazhoheshin nga “Comic Relief”?

Organizata, me sa duket, mundohet të mbledhë para duke përfshirë yjet që kanë ndikimin më të madh në audiencë. Njerëzit në krye të organizatës pa dyshim se besojnë që më pak para do të grumbulloheshin, po të mos angazhoheshin yjet e bardha në mbledhjen e fondeve. Ata mund të kenë të drejtë rreth kësaj – natyrisht se Lammy nuk ka pretenduar që “Comic Relief” do të grumbullonte aq para pa ndihmën e yjeve të bardha.

Po ashtu, nuk ka dyshim se nëse grumbullohen më pak para, më pak afrikanë mund të ndihmohen. Dooley ka thënë: “I pashë projektet për shpëtimin e jetëve me këto para. Jetëve të fëmijëve”.

Duke thënë se bota nuk ka nevojë për më shumë shpëtimtarë të bardhë, Lammy vështirë se ka menduar që bota e ka numrin e duhur të shpëtimtarëve të bardhë. Qëndrimi i tij mund të merret si pretendim se bota do të ishte vend më i mirë me më pak shpëtimtarë të bardhë. Në anën tjetër, ai natyrisht se nuk po e mohon që botës i duhen më shumë shpëtimtarë – apo së paku, më shumë njerëz të gatshëm të shpenzojnë kohë dhe përpjekje për t’i ndihmuar njerëzit që jetojnë në varfëri të skajshme.

Miliona afrikanë vdesin për çdo vit, pasi që u mungon uji i pijshëm, qasja në shëndetësi apo rrjetet për t’i mbrojtur nga mushkonjat që bartin malarjën. Shumë të tjerë mbesin të verbër, pasi që nuk e kanë mundësinë t’ia sigurojnë vetes një operacion të thjeshtë të kataraktit. Disa gra përjashtohen nga shoqëria, shkaku i fistulave gjatë procesit të lindjes, duke mos e pasur mundësinë për ndërhyrje kirurgjike. Sa më shumë njerëz të jenë të gatshëm të shpenzojnë kohë, para dhe mund për luftimin e këtyre problemeve, aq më mirë.

“David, a është problemi tek fakti që jam e bardhë?”. Pyetja e Dooleyt, e shtruar përmes një postimi në “Twitter”, e shtyn Lammyn dhe ata që mbështesin të njëjtin qëndrim të tregojnë nëse mendojnë se problemi qëndron tek fakti se ata që punojnë për përmirësimin e jetës së afrikanëve janë të bardhë, apo thjesht se nuk janë afrikanë. Duke pasur parasysh praninë gjithnjë e më të madhe të Kinës në Afrikë, kjo nuk është vetëm pyetje teorike.

Disa progresivë mund të mirëpresin investimet e reja të Kinës në Afrikë, pasi që një gjë e tillë siguron alternativë të përfshirjes perëndimore. Por, duket më shumë e mundshme që progresivët të dëshirojnë t’i shohin vetë afrikanët në krye të ndryshimeve të reja në Afrikë, e jo ata jashtë kontinentit. Megjithatë, nëse kjo është ajo që duan, atëherë kritikat e tyre për “shpëtimtarët e bardhë” veprojnë si bumerang ndaj tyre, pasi që edhe vetë ata janë kryesisht të jashtëm joafrikanë.

Lammy ka ngjyrë të zezë të lëkurës, por ai është britanik dhe shkollimin e ka përfunduar në Shkollën Juridike të Harvardit. Fakti që ka lëkurë të zezë nuk e shndërron në zëdhënës të afrikanëve, të cilët po ndihmohen nga organizatat bamirëse perëndimore.

Në botë, varfëria e skajshme është në rënie, ndonëse vazhdon të ngrihet në Afrikën nënsahariane, ku jeton më shumë se gjysma e kësaj shtrese. Deri më 2030, siç parashikon Banka Botërore, gati 90 për qind e personave që jetojnë në varfëri të skajshme do të jetojnë në Afrikën nënsahariane. Është e vërtetë se më së miri do të ishte që problemi i varfërisë ekstreme në Afrikë të zgjidhej prej vetë afrikanëve, por tani për tani nuk është se po ndodh një gjë e tillë.

Pikërisht afrikanët që jetojnë në varfëri të skajshme kanë më së shumti të drejtë të vendosin nëse duan t’i refuzojnë ndihmat, në varësi prej donatorëve. Nuk dihet se si mund të vendosin ata. Kur fondacioni britanik “Against Malaria” u ofron qytetarëve të Togos rrjete për shtretër dhe u sqaron se si t’i mbrojnë fëmijët prej malaries, këto rrjete pranohen dhe vihen në përdorim.

Ngjashëm, kur “GiveDirectly” i ofron secilit të rritur kenian një të ardhur bazë prej rreth 274 dollarësh në vit dhe u thotë se këto para do t’i marrin pa kushte për dymbëdhjetë vjet, fshatarët nuk refuzojnë. Po ashtu, kur “Village Enterprise” u ofron grupeve të vogla të afrikanolindorëve kapital, trajnim dhe mentorim, për të nisur biznese të vogla, ata mezi presin të regjistrohen në program.

Duket se shumë pak njerëz në nevojë mërziten për ngjyrën e lëkurës së njerëzve që i drejtojnë ato organizata apo nëse ata jetojnë në Afrikë. Nëse qëllimi është ndihma për ata që jetojnë në varfëri të skajshme, atëherë na duhen të gjithë shpëtimtarët e mundshëm.

(Autori është profesor i bioetikës në Universitetin e Princetonit. Vështrimi është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment