Kundër korrupsionit, për ambientin dhe Evropën liberale

Enver Robelli Enver Robelli 21 March 2019 08:16

Aktivistja për të drejtat e njeriut dhe luftëtarja e madhe sllovake kundër korrupsionit, Zuzana Çaputova, ka gjasa të mira të bëhet presidente e vendit. Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale ajo doli bindshëm e para. Politika bëhet e normale dhe e dobishme kur njerëzit votojnë figura si Zuzana Çaputova, e cila u bë e njohur për luftën e saj kundër një deponie bërlloku, që mund të shkaktonte sëmundjen e kancerit te shumë qytetarë

Sllovakia viteve të fundit ka qenë prodhuese e rregullt e titujve negativë në mediat botërore. Gjatë krizës së refugjatëve Qeveria në Bratisllavë refuzoi të pranonte refugjatë myslimanë. Sipas vendimit të BE-së për shpërndarjen e refugjatëve Sllovakia duhej të pranonte 902 refugjatë. Nën presionin e BE-së, Bratisllava theksoi se ishte e gatshme të pranonte vetëm refugjatë të krishterë. Në betejën kundër refugjatëve Qeveria sllovake paditi BE-në Gjykatën e Bashkimit Evropian dhe pësoi humbje. Në shkurt 2018 u vra gazetari sllovak, Jan Kuciak, i cili kishte hulumtuar kundër personave me ndikim në ekonomi dhe politikë. Bashkë me Kuciak u vra edhe e fejuara e tij. Vrasja ngjalli zemërim të madh në BE.

Mijëra sllovakë vërshuan rrugët dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Robert Fico. Para një viti Fico u largua, postin e kryeministrit e mori Peter Pellegrini. Javën që shkoi, në kulmin e fushatës për zgjedhjet presidenciale, një prokuror në Bratisllavë njoftoi se biznesmeni dhe multimilioneri Marian Kocner dyshohet të ketë dhënë urdhër për vrasjen e gazetarit Jan Kuciak. Një prokuror, emri i të cilit nuk u në publik për arsye të sigurisë, theksoi se aktakuza kundër Kocner është ngritur më 8 mars. Kocner gjendet në paraburgim që nga qershori. Gazetari Kuciak kishte hulumtuar se si ndërmarrjet e shumta të Kocnerit kishin keqpërdorur donacionet e BE-së për bujqësi. Që nga viti 2008 Sllovakia (bashkë me 4 shtete të tjera të BE-së) refuzon të pranojë pavarësinë e Kosovës, kësisoj Bratisllava nuk kontribuon në stabilizimin e Ballkanit.

Ndoshta qëndrimin ndaj Kosovës nuk do ta ndryshojë as Zuzana Çaputova, nëse ajo fiton në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 30 mars. Por Çaputova gjithsesi do të jetë një presidente ndryshe dhe do të përfaqësojë një politikë ndryshe për dallim nga garda e deritanishme e politikanëve sllovakë. 45-vjeçarja Çaputova doli bindshëm e para në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën të dielën. Ajo njihet si aktiviste për të drejtat e njeriut, përkrahëse e BE-së, mbrojtëse e të drejtave të njeriut dhe e ambientit. Sipas mediave gjermane fjala më e shpeshtë që e përdorin sllovakët kur përmendet Zuzana Çaputova është: e ndershme.

Vrasja e gazetarit Jan Kuciak jo vetëm që ka tronditur, por edhe ka zgjuar nga amullia shumë sllovakë, të cilët duan një ndërrim gjeneratash në politikë. Zuzana Çaputova mbështetet nga një lëvizje e gjerë, e cila dëshiron ta reformojë Sllovakinë dhe t’u japë fund rrjeteve pothuaj mafioze të krijuara nga politikanët dhe biznesmenët. “Dua të kontribuoj që vendi ynë të jetë më i drejtë, që të rinjtë që studiojnë dhe punojnë në botën e jashtme të kthehen sërish në vend, ndaj të cilit kanë një lidhje pozitive”, tha Çaputova. Në raundin e dytë ajo do të përballet me Marosh Shefçoviqin, i cili është komisar i BE-së. Para 10 vjetëve, kandidatja Iveta Radiçova dështoi të bëhej presidente, sepse në Sllovakinë katolike dhe konservatore shumë njerëz mendonin se një grua në krye të shtetit nuk është ide aq e mirë. Zuzana Çaputova mund të jetë kandidatja që do t’i jap fund këtij miti absurd. Avokatja Çaputova është anëtare e Lëvizjes Sllovakia Progresive. Kjo lëvizje u themelua para një viti e gjysmë dhe tashmë ka arritur të fitojë postin e kryetarit të Bratisllavës me kandidatin e saj, arkitektin 41-vjeçar Matush Vallo.

Përtej Sllovakisë, Çaputova është bërë e njohur me angazhimin e saj kundër ndotjes së ambientit. Ajo jeton me dy vajzat e saj në qytetin Pezinok, ku Çaputova zhvilloi një fushatë të suksesshme kundër planeve për ndërtimin e një deponie të bërllokut. Juristja këmbëngulëse arriti ndryshimin e ligjit dhe më 2016 mori çmimin Goldman Environmental Prize për ambient, që ndahet në San Francisco. Me nismën Via Iuris ajo luftoi për ndjekjen penale të ish-presidentit Vlladimir Meçiar. Çaputova thotë se idhuj politikë të saj janë Barack Obama dhe Vacllav Haveli.

Modeli sllovak i ndërrimit të gjeneratave politike do të duhej të shërbente si inspirim edhe në vende të tjera të Ballkanit – natyrisht pa vrasje të gazetarëve. Si çdo shtet i Evropës Lindore edhe shtetet e Ballkanit nuk kanë ardhmëri të mirë nëse nuk arrijnë të shkëputen njëherë e përgjithmonë nga bandat politike që kanë krijuar sisteme për grabitjen e arkës dhe resurseve të shtetit. Politika bëhet normale dhe e dobishme kur njerëzit votojnë figura si Zuzana Çaputova, e cila u bë e njohur për luftën e saj kundër një deponie bërlloku, që mund të shkaktonte sëmundjen e kancerit te shumë qytetarë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli