Kthimi i armiqve të lirisë

Enver Robelli Enver Robelli 28 February 2019 08:29

Rreth 3 000 ish-pjesëtarë të "Shtetit Islamik" dhe familjarë të tyre po mbahen në burgje apo kampe nga forcat kurde në Siri. Mes tyre ka shumë evropianë, përfshirë edhe shqiptarë e boshnjakë. Jo vetëm kurdët, por edhe presidenti amerikan, Donald Trump, po kërkon që shtetet përkatëse t'i pranojnë qytetarët e tyre. Në vendet si Gjermania, Franca, Zvicra e Britania e Madhe nuk ka disponim të madh për t'i pranuar ata që shkuan në Siri për të gjetur parajsën dhe u bënë rojtarë të ferrit.

"Ne, tri gra boshnjake, apelojmë që Bosnjë-Hercegovina të na kthejë neve dhe fëmijët tanë të moshës minore në jetën normale, të cilën dikur e kemi pasur". Ky është mesazhi i një gruaje 22-vjeçare nga Sarajeva, të cilën para katër vjetësh e mori në Siri burri i saj. Kjo grua është njëra prej 700 grave dhe 1500 fëmijëve në një kamp në Sirinë veriore. "Shteti Islamik" pothuaj është zhbërë dhe mijëra aventurierë, kriminelë, terroristë, fanatikë fetarë, gra e fëmijë të tyre janë burgosur kryesisht nga forcat kurde. Shumica e të burgosurve janë shtetas të huaj - veçanërisht nga Evropa. Çfarë të bëhet me këta njerëz? Jo vetëm kurdët, por edhe presidenti amerikan, Donald Trump, po kërkon që shtetet përkatëse t'i pranojnë qytetarët e tyre. Në shumë shtete evropiane nuk ka disponim për një gjë të tillë.

Ministrja e Drejtësisë e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, ka deklaruar se nuk është e gatshme t'i pranojë pesë xhihadistë zviceranë që po mbahen në arrest në Sirinë verilindore. Bëhet fjalë për një çift me një fëmijë dhe dy gra. Ministrja supozon se ata mund të rrezikojnë sigurinë e Zvicrës. Kjo mund të jetë e vërtetë, por nëse një i huaj në Zvicër dënohet për keqpërdorim të ndihmës sociale, ai dëbohet nga vendi pa ngurrim. Në qëndrimin zviceran ka një kundërthënie, sepse bëhet fjalë për shtetas zviceranë. Nëse një vend i Afrikës veriore detyrohet të pranojë shtetasin e vet që ka kryer krime në Zvicër, a nuk vlen ky parim edhe për Zvicrën nëse shtetasit e saj të verbër nga urrejtja u bashkohen organizatave terroriste?

Në Britaninë e Madhe këto ditë po diskutohet rasti i Shamima Begumit. Një gazetar i "Times" e ka takuar atë në një kamp në Siri. Begum, 19-vjeçare, është shtatzënë. Para katër vjetësh ajo iku nga shtëpia e prindërve në Britaninë e Madhe dhe shkoi në Siri bashkë me dy shoqe. Në Raka të Sirisë, një vatër e "Shtetit Islamik", ajo u martua me një konvertit holandez. Lindi dy fëmijë, të dy vdiqën. Gjatë arratisjes nga Raka çifti u nda, në fundjavë Begum lindi fëmijën e tretë. Begum nuk është penduar për asgjë, por dëshiron që fëmija i saj të rritet në Britaninë e Madhe. Edhe simpatizantët e "Shtetit Islamik" me gjasë nuk duan t'i lënë fëmijët në "Parajsën e Shamit", tokës gjoja të shenjtë kuranore. Të martën ministri i Brendshëm britanik, Sajid Javid, i njoftoi prindërit e Shamima Begumit se vajza e tyre do të humbë shtetësinë britanike. Mbetet të pritet nëse drejtësia britanike do të vendosë ndryshe për këtë rast. Vendimi është sinjal i qartë: armiqtë e lirisë nuk janë të mirëseardhur.

Në kampet kurde në Siri ndodhen së paku 40 gjermanë me 80 fëmijë, pra gjithsej nja 120 shtetas gjermanë. Si në shumë vende të tjera edhe në Gjermani nuk ka gatishmëri të madhe për t'i pranuar këta njerëz. Shpesh arsyetimet janë formale: kurdët e Sirisë nuk kanë shtet të pranuar ndërkombëtarisht, ata vetëm kontrollojnë një territor, por me këtë territor Gjermania nuk ka marrëveshje ekstradimi të ndërsjellë. Pastaj: si mund të verifikohet se gjermanët në kampet kurde janë vërtet gjermanë, po fëmijët e lindur në Siri - janë vërtet të prindërve gjermanë?

Edhe në Francën e tronditur nga sulmet terroriste të viteve 2015 dhe 2016 opinioni është kundër kthimit të xhihadistëve me pasaportë franceze. Sipas një ankete të institutit IFOP, 82 për qind e francezëve janë kundër pranimit të luftëtarëve islamikë. Kërkohet që ata të dënohen në Siri dhe Irak. Pas paralajmërimit të Donald Trumpit se trupat amerikane do të tërhiqen nga Siria, Franca ka njoftuar se po përgatitet për pranimin e 130 radikalëve me shtetësi franceze. Në vitin 2016 presidenti i atëhershëm, François Hollande, dështoi me përpjekjen për t’ua anuluar shtetësinë xhihadistëve.

Rreth 3000 ish-pjesëtarë të "Shtetit Islamik" dhe familjarë të tyre po mbahen në burgje apo kampe nga forcat kurde në Siri. Mes tyre ka edhe shqiptarë. Në të ardhmen edhe autoritetet kosovare, maqedonase dhe shqiptare do të ballafaqohen me këtë problem: herët apo vonë armiqtë e lirisë do të shprehin dëshirën të kthehen në Prishtinë, Tiranë e Shkup, sepse jeta në "Shtetin Islamik" dhe në kampet kurde të Sirisë nuk i ngjan lezetit në Plazhin e Madh të Ulqinit apo në kafehanet e vendlindjes. Viteve të fundit në viset shqiptare në Ballkan janë kthyer me siguri dhjetëra ish-kriminelë të "Kalifatit". Deri më tani shoqëritë shqiptare kanë shpëtuar nga ndonjë sulm terrorist; ditë më parë u bë e ditur se policia maqedonase shkatërroi një grup islamikësh që përgatisnin sulm terrorist. Rreziku është permanent.

Kthimi i armiqve të lirisë kushton. Eksperti norvegjez i sigurisë, Thomas Hegghammer, thekson se çdo shteti pranimi i një (ish-)terroristi nga Siria i kushton rreth një milion euro - për observim, ndihmë sociale, masa deradikalizimi. Hegghammer i ka parasysh shtetet e pasura perëndimore, por edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Shqipëri e Bosnjë integrimi i fanatikëve nuk do të jetë i lirë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli