Qëndrimi i SHBA-së, krahas atij të BE-së, ndaj institucioneve të Kosovës për pezullimin e taksës për mallrat serbe dhe ato nga Bosnja e Hercegovina, pas ofensivës së njohur të Serbisë ndaj Kosovës, sikundër kemi parë, ka qenë po ai i fillimit, por tashmë edhe më insistues.
Në përgjigje të këmbënguljes së Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, se nuk do të hiqet dorë nga vendimi i marrë gjersa të ketë një marrëveshje me Serbinë për njohje të ndërsjellë të tyre, letra e këtyre ditëve e zyrtarëve të lartë amerikanë paralajmëron masa ndaj Kosovës në rast mospezullimi të taksës së mësipërme. Ajo çka vërehet edhe pas kësaj, është se nuk shihet ndonjë reagim pozitiv. Kryeministri Haradinaj vazhdon të qëndrojë në po atë anë të barrikadës, që taksa të mos hiqet, përderisa nuk shihet kurrfarë vullneti nga Serbia për njohjen e Kosovës dhe të një mungese të qartë të një garancie të sigurt për ardhjen e kësaj njohjeje.
Sikurse jemi dëshmitarë, krerët e Kosovës nuk kanë të njëjtin qëndrim për çka kemi bërë temë të këtij shkrimi. Përballë Haradinajt, Hashim Thaçi e tashmë dhe Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit, mendojnë ndryshe, duke pranuar që Kosova duhet të marrë në konsideratë pezullimin e tarifave si një sakrificë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Rihapja dhe vijueshmëria e procesit të dialogut nuk mund të ndodhi me këtë lloj ndarjeje, secili në pozitat e veta, të udhëheqësve të Kosovës. Një gjë është e qartë: Rekomandimet e SHBA-së kërkojnë më shumë urtësi dhe vizion, sikurse dhe ndaj presioneve të ndërkombëtarëve, si Gjermania, aleatja jonë e njohur në kontinentin europian apo dhe ndonjë vend tjetër.
Këto qëndrime të krerëve kosovarë, të cilat kanë qenë publike, kanë pasur dhe koston e tyre për opinionin vendës dhe më tej. Madje, shkohet deri atje, që për ne shqiptarët nuk është e rrallë: Njëra palë, ajo me kryeministrin Haradinaj, shihet si “patriote” dhe tjetra “tradhtare”. Pra, etiketime të zakonshme këto, duke i prerë drutë gjithmonë shkurt.
Le të gjykojmë më tej.
Së pari, është kjo “anë patriotike” dhe “tradhtare” që bëjnë të këmbëngulet dhe më shumë në këto masa? Apo tërheqja si fakt, që për mendimin tim, është një masë e përkohshme, përderisa vetë fjala “pezullim” do të thotë përkohshmëri, ngërthen drojën e lëkundshmërisë, mosburrërinë për të luajtur nga vendimi që është marrë?
Së dyti, qëndrimi i ndarë i krerëve të Kosovës krijon përshtypjen se ushqehet dhe nga një farë protagonizmi, rivaliteti politik të dalë boje, të këtyre të fundit. Nga ana tjetër, krerët e mësipërm, përfaqësues të të dy palëve që përmendëm, janë në të njëjtin koalicion qeverisës dhe kjo ndarje mund të çonte në shkërmoqjen e këtij koalicioni. Ndoshta kjo do t’i vinte më tepër për shtat kryeministrit aktual dhe partisë së tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që në zgjedhjet e reja të krijojnë një koalicion të ri me partitë e tjera, Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike, me synimin për të mbajtur sërish kreun e ekzekutivit. Por të mos harrojmë: Nuk kemi të bëjmë thjesht me një problem që i përket kësaj apo asaj partie.
Së treti, pezullimi i taksës për t’i dhënë realisht jetë dialogut pas arritjes në një gjuhë të përbashkët, kërkon më shumë besim tek aleati më i madh, SHBA, por edhe te BE-ja, edhe pse kjo me qëndrimet toleruese ndaj Serbisë më shumë e ka favorizuar atë, në vend të reagimeve serioze ndaj qëndrimeve të saj destabilizuese në rajon. Dhe kjo, jo thjesht për konformizëm, por që nuk mund të anashkalohet, përderisa SHBA e shikon dhe vlerëson Kosovën si partner i rëndësishëm. Ndërkohë, kjo nuk e ul aspak dinjitetin e shtetit të Kosovës. Përkundrazi. Ajo e rrit besueshmërinë në strategjinë e saj. Është gjithashtu e drejtë e Kosovës mendojmë, që të ketë një garanci më të madhe në ecurinë e procesit të dialogut me Serbinë- prania në të e SHBA-së për të arritur në marrëveshjen e kërkuar. Sigurisht, serbët për kundërpeshë do të kërkonin nga ana e tyre praninë ruse në këto bisedime. Por prania ruse është realisht “mish i huaj” në këtë proces, jo se duam ta themi ne, por sepse Rusia nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, përsëriti dhe me rastin e përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, vazhdueshmërinë e marrëdhënieve midis dy vendeve, por dhe duke kërkuar me të drejtë “që të mos bëhet ndonjë gabim”, si dhe nevojën për një lidership të përgjegjshëm të Kosovës dhe përfshirjen e qytetarëve në të. Pra, çështja është që problemi i pezullimit të taksës për mallrat serbe të fokusohet më mirë në qeveri dhe veçanërisht në Kuvendin e Kosovës, për të mos u lënë shtigje edhe më të hapura retorikave boshe e një konfuzioni, të krijuara këto nga liderë të ndryshëm dhe përkrahës të tyre, që vetëm pengojnë frymëmarrjen e bashkëpunimit me këto vende. Një reflektim i tillë është në radhë të parë në dobi të Kosovës dhe shtetasve të saj, por edhe të vetë paqes dhe stabilitetit të rajonit tonë në tërësi (autori është ish-mbasador i Shqipërisë) Panorama.