OpEd

Urime Dita e Pavarësisë!

Kur është shpallur Pavarësia e Kosovës, por edhe shumë kohë para se të shpallej – kur kemi nisur ta ëndërrojmë – nuk kemi mundur ta paramendojmë kaq keq fillimin e dekadës së dytë të shtetësisë…

Në 11-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, Kosova zor se mund të duket më keq: Kufijtë po ia konteston presidenti i vet, marrëdhëniet me Amerikën po ia acaron kryeministri i vet, përçarjet dhe mospajtimet ia kanë zënë peng Kuvendin e vet, ndërsa arteriet kryesore të shoqërisë së saj - prej shëndetësisë e arsimit deri tek ekonomia dhe siguria - i janë bllokuar nga pakënaqësitë e mbledhura me vite tek qytetarët e saj.

Grevat e protestat na janë bërë përditshmëri, sikur edhe lajmet për keqpërdorime të buxhetit dhe tender të fiksuar. Kemi Qeverinë më të madhe dhe ministrat më të pasur në rajon, ndërsa mbetemi vendi më i varfër në rajon, i izoluar nga Evropa dhe i flakur nga pjesa dërrmuese e botës si një dele e zezë.

Në mungesë të përparimit të vendit dhe shtetit tonë, na mbetet vetëm t’u gëzohemi të arriturave dhe sukseseve të individëve tanë nëpër botë, prej të cilëve shumica jo që nuk kanë pasur asnjë përkrahje nga shteti, por vetëm e kishin pengesë.

* * *

Atë ditë kur është shpallur Pavarësia e Kosovës, por edhe shumë kohë para se të shpallej - kur kemi nisur ta ëndërrojmë – nuk e kemi paramenduar kështu fillimin e dekadës së dytë të shtetësisë.

E megjithatë, nuk mund të themi se jemi zënë në befasi.

Shenjat i kemi parë që prej fillimit: qysh më 17 shkurt 2008 vendi ishte tashmë i kapur nga individë me interesa të ngushta e personale, të gatshëm të manipulojnë çdokënd e të sakrifikojnë gjithçka, që vetes t’ia ruajnë pushtetin dhe përfitimet.

Andaj, nuk është për të shprehur habi pse sot asgjë nga ajo Kosova e 17 shkurtit nuk është e garantuar – as sovraniteti i popullit, as integriteti territorial, as rendi kushtetues, as sistemi demokratik.

Në Republikën e Kosovës, sot gjithçka është e negociueshme…

* * *

… ama ende është Republikë.

Dhe sa të jetë, ka shpresë se gjërat mund të ndryshojnë. Shpejt e për të mirë.

Urime Dita e Pavarësisë!

agronb@kohaditore.com