Jo është JO!

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 11 shkurt 2019 08:00

Nga një shoqëri patriarkale e shekullit të kaluar jo e gjithë shoqëria jonë ka arritur që të avancojë me të drejta të barabarta të dy gjinitë. Ende gjinia femërore në shumë vise të vendit mbetet e margjinalizuar dhe e shtypur. Edhe pse ligji i trajton si të barabartë, situata në terren na tregon të kundërtën. Këtu e kuptoj rëndësinë e implementimit të edukatës seksuale nëpër shkolla fillore dhe të mesme të Kosovës. Po nuk ua mësoi shkolla, do t’ua mësojë rruga, e rruga nuk mundet të jetë mësues i butë dhe pa pasoja

Shqetësimet e mia, ashtu edhe si për shumë nga ju, ditëve të fundit ndërlidhen me ngjarjen e së miturës në Drenas. Kjo ngjarje jo vetëm që na e pasqyroi shembjen institucionale të shoqërisë sonë, por edhe shembjen e asaj më të shenjtës, familjes. Në asnjë mënyrë nuk dëshiroj që ata të cilët i kryen këto krime makabre, profesori, polici hetues, si dhe gjinekologu të amnistohen apo të shfajësohen nga ana ime, mirëpo këtu as familja e asaj vajze nuk do të mundë të tejkalohet pa e bartur pjesën e saj të fajit.

Në të gjithë këtë katrahurë po lexoja se si vajzën e kishte përdhunuar profesori, më pas kjo kishte shkuar në polici vetë për ta denoncuar rastin e ku kishte hasur në policin hetues, i cili do të bëhej përdhunuesi i radhës për më tepër se 1 vit e gjysmë derisa vajza mbetet shtatzënë dhe pastaj nën presionin e policit hetues kryen abortin tek gjinekologu. E shihni, në gjithë këtë katrahurë prej ngjarjes prindërit e saj nuk përmenden askund. Është përdhunuar nga profesori, vetë ka shkuar në polici. Pastaj edhe vetë është drejtuar te gjinekologu për të abortuar.

A do të mundet që ky rast të ishte ndryshe sikur kjo vajzë të kishte një lloj tjetër edukate dhe përkrahjeje nga familja e saj? Unë jam i mendimit se po. Pikësëpari nuk do e merrte përgjigjen e llojit “hajt se ka ndodh tash”.

Nga një shoqëri patriarkale e shekullit të kaluar jo e gjithë shoqëria jonë ka arritur që të avancojë me të drejta të barabarta të dy gjinitë. Ende gjinia femërore në shumë vise të vendit mbetet e margjinalizuar dhe e shtypur. Edhe pse ligji i trajton si të barabartë, situata në terren na e tregon të kundërtën. Këtu e kuptoj rëndësinë e implementimit të edukatës seksuale nëpër shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës. Po nuk ua mësoi shkolla, do t’ua mësojë rruga, e rruga nuk mundet të jetë mësues i butë dhe pa pasoja.

Detyra primare gjithsesi do t’i takonte secilës familje që të edukojë fëmijët e tyre dhe si të tillë t’i dërgojë në shkollë për të përvetësuar dijeni të reja, mirëpo atë strumbullarin e edukatës do e sjellin nga shtëpia e tyre.

Edukata seksuale në vete nuk mund të reduktohet vetëm në aktin si të tillë, por gjithçka që ndërlidhet me trupin e njeriut, fiziologjinë, anatominë, etikën, moralin, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, higjienën etj.

Në kuadër të etikës dhe moralit secili mashkull duhet që njëherë e përgjithmonë ta kuptojë se JO është JO! Çdo PO që derivon nga një JO quhet përdhunim. Edhe në martesën ligjore të një çifti JO është JO. Denoncimi i gruas ndaj burrit për marrëdhënie pa pëlqimin dhe dëshirën e saj do të duhej të trajtohej si përdhunim, dhe çdo ligj i secilës shoqëri më të avancuar dhe moderne e cilëson si të tillë.

Në shoqërinë tonë një pjesë e pabarazisë gjinore rrjedh edhe nga keqinterpretimi i religjionit dhe predikimet e ndryshme të klerikëve fetarë, të cilët përtej objekteve të kultit tani predikojnë edhe nëpërmjet blogjeve e videoxhirimeve të shumta të plasuara nëpër platforma të ndryshme të internetit dhe rrjeteve sociale. Nuk dua as që të hyj në atë se si shkelen të drejtat e femrës nga disa prej predikimeve të tyre, janë aq banale sa edhe vulgare, saqë edhe fleta e gazetës vështirë se i duron.

Shpresoj që ky rasti makabër i së miturës nga Drenasi të mos tretet aty midis lajmeve të tjera pas tri ditësh dhe të sharrojë në kujtesën tonë kolektive që po rezulton të jetë e barabartë me atë të peshkut të artë në akuarium. Shumë herë ua kam bërë pyetjen se çfarë shteti dhe çfarë shoqërie monstrum jemi duke ndërtuar? Unë për veten time dua të jem i pastër së pari para ndërgjegjes sime e më pas edhe pranë fëmijës tim. Unë do ta luftoj këtë katrahurë në çdo hap dhe çdo ditë të jetës sime. Këtë e kam obligim prindëror, moral, qytetar, patriot dhe intelektual.

Do ta ndajë me Ditarin tim dhe lexuesit e tij një moment shumë emocional për mua nga jeta ime private. Ishte 14 nëntori i vitit 1996, babai im ishte i shtrirë në spital këtu në Londër pas një ftohjeje pak më serioze dhe një kolli të madh i cili e kishte mbërthyer.

Atë ditë ai po e vërente se gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohej dhe kërkoi nga unë që t’i thërrisja me telefon miqtë tanë familjarë me të cilët prindërit e mi shoqëroheshin: Isa Ibishaj nga Mitrovica dhe dr.Gani Merovci nga Vushtrria.

Nuk vonuan shumë dhe ata arritën aty në spital, gjegjësisht në dhomën ku babai im ishte i shtrirë. Babai im u tha: “Isë dhe Gani, rrugëtimi im jetësor po përmbyllet këtu dhe do të dëshiroja që në prezencën tuaj t’i lë disa amanete të mia. Ne këtu u shoqëruam për disa vite dhe kurbeti na afroi që të ndanim të mirën dhe të keqen së bashku. Unë gjatë gjithë jetës sime jam munduar që të bëj mirë dhe të ndihmoj aty ku unë kam pasur mundësi për të ndihmuar. Të keqen kurrë askujt as që ia kam menduar. Do ju kisha lutur që trupin tim ta varrosni këtu në Londër, nuk dua që trupi im i vdekur t’u qesë telashe njerëzve të gjallë për të shkuar që ta marrin atë në Beograd dhe t’u shkaktojë 1000 probleme dhe të më shajnë mua për së vdekuri, fundja në Londër e kam bashkëshorten time dhe dy djemtë e mi, do të jem pranë tyre, ndërsa shpirti është i lirë ai mund të shkojë kah të dëshirojë.

Por nëse një ditë në Kosovë do të bëhet mirë dhe nëse ju të gjithë familjarisht vendosni që të ktheheni atje, atëherë do të dëshiroja që ta merrni parasysh që edhe familja ime të kthehet me ju dhe ta marrë të njëjtin vendim, e eshtrat e mia i mblidhni me një qese”. Dren, më tha, “ty edhe Nolit ju kërkoj falje që nuk po ua la ndonjë pasuri që ta trashëgoni. Nuk do të trashëgoni as toka, as dyqane, as zanat, përveç një banese sikur edhe të gjithë të tjerët. Ato që do t’i arrini ju në jetë do të jenë falë forcave dhe angazhimeve tuaja vetjake. Mirëpo një gjë po ua lë. Po ua lë mundësinë që rrugëve të Kosovës të ecni ballëlartë dhe që kurrë të mos turpëroheni apo të skuqeni se kush ishte babai i juaj. Ju e dini se kush janë miqtë tanë dhe kush ka hy e ka dalë nga banesa jonë. Jeta është e gjatë dhe asaj nuk i dihet. Ndoshta mund t’ju shtyjë që të trokitni në dyert e ndonjërit nga ata në gjysmë të natës. Unë nuk mund t’ju garantoj se ata do të jenë në gjendje që t’ju ndihmojnë në hallin të cilin ju mund ta keni, por atë për të cilën mund t’ju garantoj është se dera nuk do t’ju përplaset në fytyrë duke ju thënë dikush phu djali i pisit”. Këto ishin edhe ndër fjalët e fundit që i foli babai im, pas të cilave ai ndërroi jetë. Ende më kumbojnë në kokë dhe nuk ka ditë që nuk i kujtoj ato. Ato kanë ngelur udhërrëfyeset e mia jetësore që nesër edhe fëmija im kurrë të mos ketë nevojën që ta ulë kokën e të skuqet qoftë rrugëve të Londrës, qoftë atyre të Kosovës për faktin se kënd e ka pasur baba dhe se dikush mund t’i drejtohet me “djali i pisit”.

Jo, unë nuk jam duke e shfrytëzuar Ditarin tim për t’i bërë reklamë as vetes e as familjes sime, i ndava me Ditarin dhe lexuesin momentet më emocionale nga jeta ime private ashtu nga zemra e plastë, sepse e di se shumica e prindërve tanë ndanin këso vlerash. Si u bë që u katandisëm kaq poshtë si shoqëri? Çka na ndodhi kështu? Pse lejuam që të arrinim deri në këtë pikë? Daja im i ndjerë e thoshte një fjali që asokohe edhe nuk e kuptoja “kojtja të koritë”.

Ndërsa sot ajo fjali merr formën dhe kuptimin e plotë ngado që të hedh shikimin në shoqërinë kosovare. Politikanë milionerë në një shtet të varfër, gjyqësi të komprometuar, polici të korruptuar, ekonomi të rrënuar, shëndetësi të shkatërruar, arsim të paedukuar, kulturë të infektuar, e të gjitha këto si pasojë e sjelljeve “kojtja të koritë”.

Ndoshta e vërejtët se mund të jetë hera e parë që e shkruaj Ditarin tim dhe ku nuk e përmenda asnjëherë emrin e Hashim Kallamarit. Arsyeja qëndron në faktin se Hashim Kallamari nuk është vetëm një emër i përveçëm, ai sot paraqet një mendësi të shoqërisë. Sot kur e përmend emrin Hashim ai emër të asocion dhe mbërthen në vete shumë dukuri; rrenën kronike, egon dhe ambicien e sëmurë, poltronizmin, jopërgjegjësinë, dyfytyrësinë, antivlerën, keqpërdorimet … lista vazhdon ...

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani