Kabuli dikur ishte një qytet

Enver Robelli Enver Robelli 07 February 2019 08:41

Kryeqyteti i Afganistanit ka qenë dikur qendër e madhe e tregtisë, e kulturës dhe e feve. Në këtë qytet janë shkrirë, bashkuar, përballur popuj e fe të ndryshme, por edhe ide dhe arkitektura. Sot Kabuli është sinonim i terrorit. Tani një shtëpi e vogël botuese nga Berlini (DOM publishers) ka botuar një ciceron arkitekture për Kabulin. Tingëllon ndoshta absurde, duke pasur parasysh rrëmujën e shkaktuar nga terrori në këtë qytet. Por projektet e prezantuara shpalosin një anë pak të njohur të Kabulit: arkitekturën islamike-mongole dhe afgane-evropiane.

Thomas Bernhardi, shkrimtar austriak, nuk kishte asnjë dilemë. Qyteti më i shëmtuar në Gjermani, thoshte ai, është Traunsteini. «Mendja e ngushtë e tyxharit, mediokriteti në përgjithësi dhe budallallëku. Budallenj si delet, njerëzit pedantë mblidhen përqark kishës dhe pëllasin dit e net deri sa u del shpirti». Thomas Bernhardi njihet si shkrimtar i pamëshirshëm. Jo vetëm kundër Traunsteinit, por sidomos kundër atdheut të tij, Austrisë. Shumë gjermanë e njohin edhe maksimën: «Në kulmin e zemërimit Zoti e krijoi / Bielefeld-in dhe Paderborn-in». Në gjermanisht kjo fjali rimohet bukur. Filozofi mizor Friedrich Nietzsche e mallkonte Gjermaninë jugore, Schwabenland-in, vendin e shvabëve, me kryeqytet Stuttgart-in: «Kush jeton një kohë mes shvabëve...». Vazhdimin mund ta marrë me mend secili. Helmut Kohli premtoi se pas bashkimit të Gjermanive fushat e malet do të lulëzojnë dhe tatimet nuk do të ngrihen kurrë. Në shumë qytete të Gjermanisë lindore profecia e Kohlit përjetohet si cinizëm. Diego Armando Maradona citohet të ketë thënë se goli që kishte shënuar më 1986 gjatë Kampionatit Botëror ishte një kombinim mes kokës së tij dhe dorës së Zotit.

Çfarë mund të thuhet për Kabulin dhe ngjarjet në atë qytet? A mund të gjendet ndonjë citat? Në qershor 1939 publicistja zvicerane Annemarie Schwarzenbach udhëtoi bashkë me shkrimtaren Ella Maillart nga Zvicra - përmes Ballkanit - në Kabul të Afganistanit. Në kujtimet e saj ajo shkruan: «Po atë ditë e pashë Indinë. Në rrugën e asfaltuar të Qafës së Kiberit (Khyber) vetura fluturonte, kulla vrojtimi, hekurudha, muret e Fort Jamrud-it, stacioni i trenit i Landi Kotal, kthesat, sinjalet, më lanë pa frymë: Ti vetë ke vendosur, vetë po e mban timonin! Ishin fjalët, fjalët. Ja, në fund të kthesave të rrezikshme, ishte India. Në rrafshinën e pamatshme bashkoheshin Indusi dhe lumi i Kabulit, pranë rrugës binin në gjunjë besimtarët». (Qafa e Kiberit është rruga më e rëndësishme malore mes Pakistanit dhe Afganistanit). Udhëtimi i dy grave zvicerane në Kabul para gati tetë dekadave edhe sot zgjon fantazinë - jo vetëm të feministeve.

Kabuli ka qenë dikur qendër e madhe e tregtisë, e kulturës dhe e feve. Në këtë qytet janë shkrirë, bashkuar, përballur popuj e fe të ndryshme, por edhe ide dhe arkitektura. Sot Kabuli është sinonim i terrorit, atentateve, hedhjes në ajër të ndërtesave kryesisht nga talibanët. Kabuli është simbol i pasigurisë. Shumë objekte që përbënin substancën arkitektonike të kryeqytetit të Afganistanit, i cili gjendet në lartësi mbidetare prej 1800 metrash, janë shkatërruar si pasojë e luftës gati 20-vjeçare. Tani një shtëpi e vogël botuese nga Berlini (DOM publishers) ka botuar një ciceron arkitekture për Kabulin. Tingëllon ndoshta absurde, duke pasur parasysh rrëmujën e shkaktuar nga terrori në këtë qytet. Por projektet e prezantuara shpalosin një anë pak të njohur të Kabulit: arkitekturën islamiko-mongole dhe afgano-evropiane.

«Ndërtesat janë një gur mozaiku kur është fjala për atë se çfarë e mban bashkë këtë vend», thotë autori i librit, Jan Dimog për gazetën «Süddeutsche Zeitung». Dimong ka punuar disa vite për forcat ndërkombëtare të sigurisë në Kabul. «Nëse atje (në Kabul) ndërtohet diçka, kjo jo vetëm që i bën krenarë afganët». Ata, thotë autori, e shohin një ndërtesë të meremetuar apo rindërtuar edhe si objekt identifikimi. Në ciceronin e arkitekturës së kryeqytetit me një çerek milioni banorë prezantohen shtëpitë buzë lumit Kabul, të ndërtuara në vitet '20. Ndërkohë ato janë gëlqerosur me ngjyra të ndryshme.

Në periferi të qytetit gjendet Pallati i Darul Amanit, i projektuar në vitin 1929 nga një arkitekt francez dhe i ndërtuar nga arkitekti gjerman Walter Harten. Sot ky pallat është para rrënimit dhe afganëve ua kujton një kohë tjetër, kur vendi i tyre dëshironte të bëhej pjesë e botës moderne. Në vitin 1971 Kabuli përjetoi një «boom» të turizmit. Atëbotë erdhën 190 mijë turistë, hipikë dhe punëtorë të organizatave humanitare. Më 1979 Bashkimi Sovjetik pushtoi Afganistanin dhe marshoi në Kabul. Sivjet mbushen 40 vjet nga kjo ngjarje që ka ndryshuar historinë e Afganistanit. Në këtë vend dy superfuqitë - Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës - zhvilluan një luftë në distancë. Moska përkrahte Qeverinë e Kabulit në betejat kundër muxhahedinëve. Ndërsa muxhahedinët (mes tyre edhe njëfarë Osama Bin Ladeni) armatoseshin dhe përkraheshin në mënyra të ndryshme nga Washingtoni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli