Të gjithë peshqit e presidentit

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 02 February 2019 08:22

Nëse nuk do të ketë një masë kritike të unifikimit të qëndrimeve të partive politike, atëherë i vetmi që do të mbetet i paprekur edhe nga posti aktual e edhe nga pazaret politike do të mbetet Hashim Thaçi. E kur të merren parasysh kërkesat edhe të presidentit Trump, edhe të Bashkimit Evropian, se gjatë këtij viti duhet të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjasat janë të mëdha që ajo marrëveshje do t’i ngjajë më tepër modelit të dizajnuar nga Thaçi

“KUJT DUHET T’I telefonoj nëse dua të flas me Evropën?”. Secili student ose entuziast i marrëdhënieve ndërkombëtare gjithsesi se nuk do të mundë të rezistonte pa e cituar edhe një herë fjalinë e famshme të ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Henry Kissinger, për të përshkruar atë që po ndodh këto ditë në skenën politike kosovare. S’ka lidhje që vetë Kissinger, i njohur edhe si njëri ndër njohësit më të shquar të gjeopolitikës së kohës, së fundi ka thënë se as që është shumë i sigurt se ndonjëherë e ka shqiptuar një fjali të këtillë, kjo nuk i ka penguar askujt për ta përdorur klishenë për përshkrimin e situatave që tregojnë për mosunitet dhe kakofoni qëndrimesh. Ose, në raste të caktuara, edhe për mospasje të ndonjë qëndrimi.

Sot, pa ndonjë rezervë ose hezitim, mund të konstatohet se Kosova nuk ka fare qëndrim. Se duke folur secili lider institucioni e lider partie politike krye më vete, i bie se askush s’po flet në emër të Kosovës. Dhe kjo është sigurisht njëra ndër gjendjet më të rrezikshme të vendit, në rreth 30 vjetët e fundit.

Asnjëherë më parë, përgjatë këtyre vjetëve, Kosova nuk ka qenë në gjendje më të favorshme për t’iu dëgjuar zëri, teksa ne po jemi dëshmitarë se pikërisht tash, duke pasur 5-6 adresa e mbi 10 qëndrime, shteti duket se ka mbetur memec.

Nuk bëhet më fjalë as për pluralizëm mendimesh, as për ndonjë nivel të lartë të debatit politik. Më tepër i ngjan paaftësisë së daljes zot shtetit.

JANË KATËR parti kryesore politike në koalicionin qeveritar, asnjëra nuk ka qëndrim të njëjtë sa i përket as dialogut me Serbinë e as taksës ndaj Serbisë.

Janë katër adresa të tjera institucionale që flasin për këto tema, presidenti, kryeministri, kryetari i Kuvendit dhe Ekipi Shtetëror për Dialogun, asnjëri nuk ia pyet letrat tjetrit.

E edhe dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja dhe LVV-ja, ndonëse po luftojnë të flasin me një zë, kanë qëndrime të ndryshme për dialogun dhe taksën.

Fatkeqësia është se Kosova është zënë sot në një situatë kur kërkohet vendimmarrje e vendosur, duke u vlerësuar si njëra nga hallkat e fundit të mosmarrëveshjeve të mbetura hapur në Evropë.

Ndërsa, derisa gjithë të tjerët janë duke turbulluar ujërat lokale, presidenti Thaçi duket se e ka imponuar vetveten në krejt tjetër nivel. Grackë e përkryer për peshqit si Veseli e Haradinaj, Mustafa e Kurti, Limaj e Ahmeti.
Ai sa flet për realizimin e amaneteve të Isa Boletinit për bashkim kombëtar, sa flet për bashkimin e dy komunave të Mitrovicës, sa për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, sa për kthimin e komunave veriore Serbisë si “kthim i dhuratave të Rankoviqit”. Dhe, me secilën prej këtyre, si një peshkatar i sprovuar, udhës e zë ndonjërin nga peshqit për t’ia përkrahur idetë. Në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut ka pasur sukses që asamblistët e të gjitha partive ta nënshkruajnë “peticionin për bashkimin e Mitrovicës”. Në anën tjetër, asnjëra nga partitë s’po e ka guximin për të thënë se bashkimi kombëtar dhe bashkimi i Luginës, po ashtu, në kontekstin aktual janë hapa strategjikë shumë të rrezikshëm. Të vetmen me të cilën të gjithë po e kundërshtojnë është “kthimi” i komunave veriore Serbisë. Mirëpo, Thaçi e di mirë atë anekdotën e Nastradin Hoxhës, i cili pasi që herën e parë ia ktheu komshiut një tepsi të vogël shtesë, me arsyetimin se kishte lindur tepsia e madhe të cilën ia kishte huazuar, herën e dytë, kur ia mori tepsinë, i tha se tepsia kishte vdekur. Pra, nëse një tepsi po mund të lindka, atëherë e njëjta edhe mund të vdiska, ose nëse po bëka që ne të marrim territor, pse s’bën pastaj që edhe tjerët të marrin territor prej nesh?!

Mos të harrohet, që të katër idetë e mësipërme shkojnë ndesh me Pakon e Ahtisaarit, tri parimet e Grupit të Kontaktit, si dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. E nëse Kosova vetë e hap Pakon e Ahtisaarit, parimet e GK-së dhe Kushtetutën e vet, pse ato t’i ruajnë të tjerët?!

Për këtë arsye, derisa këta të tjerët shtyhen e shahen, pajtohen e hidhërohen, bëjnë e prishin koalicione e aleanca, ai mban korrespondencë letrash me jo më pak se presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Shtrëngon duart me presidentin rus, Vladimir Putin. Përshëndet nga ulëset më të mira në ceremonitë në Paris e Washington DC.

TASH, NËSE NUK do të ketë një masë kritike të unifikimit të qëndrimeve të partive politike, atëherë i vetmi që do të mbetet i paprekur edhe nga posti aktual e edhe nga pazaret politike e shkuarja eventuale në zgjedhje të parakohshme, do të mbetet Hashim Thaçi. Në një situatë të këtillë ai do të mbetet personi në anën tjetër të telefonit, adresa e vetme me të cilën do të mundë të flitet, kur synohet të flitet me Kosovën.

Sakaq nëse merren parasysh kërkesat edhe të presidentit Trump, edhe të Bashkimit Evropian, se gjatë këtij viti duhet të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjasat janë të mëdha që ajo marrëveshje do t’i ngjajë më tepër modelit të dizajnuar nga Thaçi.

Dhe, për të tjerat, na flasin qartë episodet të cilat sapo i pamë në zgjedhjen e kontestit Maqedoni-Greqi.

Në Maqedoni nuk kaloi në referendum Marrëveshja e Prespës, u mbajtën protesta masive, pati kundërshtime të ashpra dhe në fund me saktësisht aq vota sa nevojiteshin për ta kaluar në Kuvend – gjithçka u krye.

Edhe në Greqi, një parti e braktisi koalicionin qeveritar, gjysmë milioni njerëz dolën nëpër rrugët e Athinës në demonstrata të dhunshme kundër Marrëveshjes dhe, përsëri, në fund – marrëveshja u ratifikua.

Këtë javë kryeministrat Tspiras dhe Zaev u nominuan edhe zyrtarisht për çmimin “Nobel” të paqes.

S’besoj se Thaçi dhe Vuçiqi do të kishin diçka kundër që të nominoheshin për “Nobel” vitin që vjen!

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi