Sherri i kravatave

Valbona Mehmeti Valbona Mehmeti 27 janar 2019 08:00

Beteja mësimdhënës-Qeveri për koeficientin duhet të marrë fund. Viktimat e vetme të kësaj beteje, që nisi sherri i kravatave, janë fëmijët. Rrugëdalja më e shpejtë dhe më e arsyeshme nga kjo situatë është tërheqja e Projektligjit për pagat

Qeverisja e parë 100-ditëshe i pati lënë shije të ëmbël Ramush Haradinajt. Që atëherë nuk hoqi dorë asnjëherë nga synimi për të marrë sërish postin e kryeministrit. Bashkëpartiakët e tij e trumbetonin qeverisjen e tij si më të suksesshmen ndonjëherë. Thoshin se sikur të mos i ndërpritej mandati do të shihnim rezultate të mëdha të zhvillimit të vendit. Që t’i dëshmojë në vepër pretendimet qytetarët ia dhanë edhe një shans.

Me shumë elan e entuziazëm e rinisi punën. Në 100 ditët e para të qeverisjes së dytë mori dy-tri vendime të shpejta të cilat aq sa ishin befasuese, aq nuk kishin bazë ligjore. Për disa u pendua, i anuloi dhe heshti. Për njërin nuk lëshoi pe. Ai vendim ia nxori krejt arpallëkun, një shprehje kjo nga treva e prejardhjes së tij. Në emër të “këmishëve dhe kravatave” ia rriti pagën vetes dhe armatës së tij prej këshilltarësh, ministrash e zëvendësministrash. Për më shumë se një vit qeverisjeje 80 zëvendësministrat e tij ende nuk e dinë as cili është përshkrimi i vendit të tyre të punës. Për rezultate në punë as që flet kush. Për çmimin e këmishëve dhe kravatave të tyre po.

Vendimi i kundërligjshëm për rritje pagash në fund të 2017-s irritoi tej mase qytetarët. Qeveria e re u doli edhe më grykëse se ato të mëparshmet. Reagimi i tyre ishte simbolik, duke i dhuruar publikisht këmishë e kravata kryeministrit. Reaguan edhe sindikatat e punëtorëve të sektorit publik. Paralajmëruan se viti i ri do të sjellë protesta e trazira sociale. Dhe ashtu ndodhi.

Vitin e kaluar nisën grevat në sektorë të ndryshëm me kërkesën për rritje pagash. Grevat u intensifikuan sidomos me të filluar hartimi i Projektligjit për pagat e zyrtarëve publikë, që do të duhej të ndiqte parimin pagë e njëjtë për pozitë të njëjtë.

Ligji për pagat ka qenë kaherë i domosdoshëm për të barazuar pagat në sektorin publik, sepse rregullimi i deritanishëm i tyre nëpër institucione ka qenë fontanë dëshirash. Funksionarët e lartë të institucioneve janë kujdesur kryesisht t’i ndajnë vetes paga ekstrem të larta krahasuar me pagat e armatës së punëtorëve shëndetësorë, atyre të arsimit e kategorive të tjera. Ky ligj duhet të bëhet patjetër, por jo në mënyrën se si e kanë projektuar kravatat qeveritare.

Kryeministri tha se me Ligjin për paga atij do t’i ulet paga. Projektligji po e thotë të kundërtën. Nëse miratohet, “zyrtarizimi me kravata” do të vazhdojë.

Për të mos i humbur privilegjet e fituara me vendimin për rritje pagash, funksionarë të lartë të institucioneve kanë bërë presion dhe ndërhyrje gjatë përpilimit të ligjit, duke u kujdesur që ta mbajnë veten në kategori dhe koeficient sa më lart. Kanë futur në ligj një dispozitë të quajtur transitore, në nenin 27, që siguron se asnjë pagë nuk do të ulet në mënyrë të menjëhershme.

Sipas këtij neni nëse një zyrtar publik pëson ulje të pagës me miratimin e ligjit, atij do t’i ofrohet një shtesë e posaçme transitore, e barabartë me diferencën ndërmjet pagës së vjetër dhe pagës së re, që shkon duke u përshkallëzuar për katër vjet derisa të arrijë pagën e miratuar me ligj.

Kravatat qeveritare nuk i lënë asgjë rastësisë. Janë përkujdesur që edhe kur t’u mbarojë mandati politik të vazhdojnë të paguhen nga paratë tona. Thuajse ne i patëm detyruar t’i futen politikës dhe ua kemi me borxh t’i mbajmë edhe kur nuk janë më në pushtet.

Neni 28 parasheh që funksionari publik dhe funksionari publik me status të posaçëm, i cili pas përfundimit të mandatit nuk realizon asnjë të hyrë nga buxheti i shtetit, ka të drejtën e kompensimit kalimtar për 1 vit në vlerë prej 70 për qind të pagës bazë të fundit, në institucionin në të cilin ka bartur funksionin. Përfitues të këtij neni janë: kryetari i Kuvendit, kryeministri, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kryeprokurori i Shtetit, kryetari i Gjykatës Supreme, zëvendëskryeministri, deputeti, ministri, drejtori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, zëvendësministri dhe kryetari i komunës.

Kështu, nëse ligji miratohet si i tillë, 80 zëvendësministrat që nuk arriti t’ua mësojë emrin as shefi i tyre, e lëre më ne, do të vazhdojnë luksin në kurrizin tonë edhe kur nuk do të jenë më zëvendësministra në letër.

Nga Projektligji po del se përfituesit më të mëdhenj të tij do të jenë politikanët. Përderisa dëshirat e tyre mund të bëhen ligj, këtë të drejtë nuk ua dhanë kategorive të tjera, si mësimdhënësve apo punëtorëve shëndetësorë. Ka dy javë që punëtorët e arsimit po mbajnë grevë me kërkesën e rritjes së koeficientit, që do t’i rangonte më lart në listën e pagave. Në greva janë edhe një pjesë e sektorit të shëndetësisë. Pas gjithë ndërhyrjeve që i kanë bërë Projektligjit, në dobi të vetes, arsyetimi i Qeverisë se nuk ka buxhet për ngritje koeficienti nuk po i bind mësimdhënësit që t’i kthehen mësimit. Përderisa gjatë fushatës zgjedhore bënte pazare me sindikatat në këmbim të votës, tani kryeministri thotë se “kjo nuk është kohë pazaresh”. I këshilloi mësimdhënësit që të fokusohen në ngritje të cilësisë në arsim, sepse pagat i kanë “dinjitoze”.

Gjatë këtyre dy javëve të grevës mësimdhënësit u akuzuan se nuk meritojnë as pagën që e marrin, sepse mospunën e tyre po e dëshmojnë me rezultatet e ulëta të PISA-s.

Nëse mësimdhënësit nuk po merituakan pagë më të lartë, atëherë me çfarë kriteri po e merituakan pagën kryeministri dhe vartësit e tij, deputetët, zyrtarët e lartë të agjencive, gjyqtarët apo prokurorët, si përfituesit më të mëdhenj të Projektligjit. Çfarë rezultatesh shënuan ata në punën e tyre? Mos u përmirësua imazhi i Kosovës, mos na erdhën investitorë të mëdhenj që hapën vende pune, mos u ngrit mirëqenia jonë, mos u luftuan seriozisht krimi e korrupsioni, mos u akuzuan apo u dënuan me burg “peshqit e mëdhenj”. Pse Evropa vazhdon të na mbajë të izoluar brenda kufijve të cilët ka rrezik që të na zvogëlohen nga aventurat dhe ambiciet e paarsyeshme të një politikani që mban koeficientin më të lartë në listën e pagave?

Se arsimi kosovar është në gjendjen çfarë është nuk janë fajtorë vetëm mësimdhënësit. Për njëzet vjet institucionet përgjegjëse në krye me Ministrinë e Arsimit kanë eksperimentuar me sistemin arsimor. Mësimdhënësit kanë të drejtë në kërkesat e tyre për rangim dinjitoz në listën e pagave, por edhe ata e dinë se ngritja e pagës nuk mund t’i ndreqë proceset e nisura gabimisht në arsim pikërisht nga politika.

Vetëm reformat e mirëfillta dhe zbatimi i kritereve të ashpra të vlerësimit të mësimdhënësve në bazë të performancës në punë do të mundë të kthenin në binarë sistemin e degraduar të arsimit kosovar. Por kjo vështirë se mund të ndodhë në një të ardhme të afërt.

Ajo që duhet të marrë fund shpejt është beteja mësimdhënës-Qeveri për koeficientin. Viktimat e vetme të kësaj beteje, që nisi sherri i kravatave, janë fëmijët. Rrugëdalja më e shpejtë dhe më e arsyeshme nga kjo situatë është tërheqja e Projektligjit. Shkaku i pakënaqësive me këtë projektligj edhe rreth 20 mijë punëtorë të shërbimit civil kanë paralajmëruar të hyjnë në grevë në fund të muajit janar.

Kryeministër, vepro sa nuk je ngufatur nga kravatat!

valbona@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

arsimtari 30/01/2019 21:02

nuk iu intereson per asgje kryeministrit as ministrave e lere me zevendeskryeministrave vetem per luksin e vet ndersa sa per te tjeret mbetet aq sa mbetet pas ndarjeve buxhetore te ketyre te Medhenjeve

naimi28/01/2019 09:49

Të lumtë!

Shto koment

Tjera nga Valbona Mehmeti