Sundimi i demagogjisë

Flaka Surroi Flaka Surroi 22 January 2019 07:51

Gjërat në sektorët e arsimit, shëndetësisë, gjyqësorit, administratës... kurrë nuk do të kenë zgjidhje, përderisa me "reformën" e tyre merren njerëzit që i kanë shkatërruar sistemet qëllimisht, duke i shndërruar në miniera votash e tenderësh. Kosova tashmë e ka arritur pikën ku mbase do ta shpenzojë rreth një të tretën e buxhetit të vet vetëm në paga që paguhen nga buxheti për t'ua zgjatur jetën qeverive të këqija dhe për ta mbajtur paqen socialeKur i dëgjon politikanët tanë tek flasin, ta merr mendja se je duke jetuar në një vend tjetër e jo në Kosovë. Kur nisin të përshkruajnë se çfarë kanë arritur, se çfarë jetojmë dhe atë që e presim se do të ndodhë, ndalesh e mendon nëse ata po tallen, apo nëse ty të kanë lënë mendtë, sepse nuk e dallon realitetin nga fiksioni.

E pra tash nuk e di nëse është realitet apo jo fakti se Kosova që nga disa javë tashmë ballafaqohet me një valë grevash të ndryshme që i nisën kirurgët, i vazhduan minatorët për t'u përmbyllur, hë për hë, me arsimtarët. Dhe sa më shumë flitet për Projektligjin për pagat, i cili tashmë është miratuar nga Qeveria dhe duhet të dalë në Kuvend, më të shpeshta po bëhen kërcënimet për greva të reja -- në administratë për shembull.

Sido që të jetë, grevat mund të paralizojnë shumëçka në këtë vend, porse një gjë e kanë dëshmuar: se kurrë nuk ia kanë dalë të nxisin protestën masive të popullsisë kundër shkaqeve që e sollën Kosovën në këtë gjendje.

Koeficientet

Molla e sherrit që e shkaktoi këtë sezon grevash ishte vendimi i pamatur i Qeverisë Haradinaj që i ngriti pagat e zyrtarëve politikë dhe të një pjese të shërbimit civil në ekzekutiv. Pra, u shfrytëzua vakuumi i qëllimshëm ligjor, mungesa e ligjit, për t'i caktuar koeficientet sipas dëshirës që hapi rrugë edhe për ngritjen e të ardhurave personale nëpër institucionet dhe agjencitë e pavarura, pa ndonjë kriter, pos dëshirës për të hyra më shumë.

Këtyre lëvizjeve nuk u ndihmuan fare as vendimi që shërbyesve civilë që nuk kishin pasur rritje në Qeveri t'u jepej bonusi prej 300 eurosh (nuk po dihet a nëpër llogari apo cash në dorë, dhe nuk po dihet prej të cilave linja buxhetore) e as rritja e numrit të këshilltarëve në Qeveri, që sërish do të paguhen nga buxheti i shtetit. Nga ky aspekt, të gjithë këta që kërkojnë ngritje pagash kanë të drejtë -- për shkak se që të gjithë paguhen nga po i njëjti buxhet, por me kritere përfundimisht diskriminuese.

Shikuar nga aspekti i cilësisë së shërbimeve që e ofrojnë grevistët, konkluzioni çon në një drejtim të vetëm: në nevojën e spastrimit të të gjitha institucioneve që mbulohen nga buxheti nga njerëz për të cilët objektivisht nuk ka nevojë; nga njerëzit që nuk janë të aftë ta kryejnë punën me cilësi të kërkuar dhe nga njerëzit që nuk e respektojnë etikën e punës.

Vetingu

E rezultatet që i shohim janë se Kosova e ka një ndër shërbimet më të këqija shëndetësore; e ka shkallën e analfabetizmit funksional ndër më të mëdhatë në botë dhe i ka një administratë e gjyqësor zhvatës dhe të politizuar që krijojnë sisteme qëllimshëm disfunksionale.

Tashmë prej shumë kohësh është kërkuar vetingu, pra spastrimi i gjyqësorit dhe i policisë nga njerëz që nuk e kryejnë punën profesionalisht për shkak se pa sundim ligji ky vend vetëm mund të vendnumërojë. Dhe arsyeja se përse ky veting nuk ndodh është për shkak se që të dyja institucionet janë ndërtuar dhe mbahen nën kontroll nga politika, e cila që nga çlirimi veçohet për nga korrupsioni, i cili tashmë mund të quhet endemik. Dhe janë pikërisht policia e gjyqësia ato që do të duhej t’i luftonin krimin e korrupsionin, e nuk e bëjnë, apo e bëjnë deri në masën sa për të thënë se janë duke bërë diçka.

E njëjta do të mundë të thuhej për arsimin. Rezultatet e PISA-s e kanë qitur Kosovën në një pozitë që askush nuk do t'ia kishte lakmi. Dhe përderisa përkrahësit e grevës së arsimtarëve thonë se për PISA-n fajet i ka sistemi, ky është një arsyetim i cili vetëm pjesërisht do të mundë ta argumentonte gjendjen në arsim.

Ka pasur përpjekje, së paku në Qeverinë e kaluar, që mësimdhënësit t'i nënshtroheshin një testi "të arritshmërisë", për ta quajtur disi -- një testimi që do të tregonte se sa janë të aftë këta mësimdhënës për t'i mësuar fëmijët. Është tashmë botërisht e ditur se që nga fundi i luftës shumë vende arsimtarësh janë zënë jo për shkak të meritës, por për shkak të ndikimit politik për ta siguruar një vend pune për një kushëri a dost -- se fundja çka ka, janë kontrata të përhershme dhe i paguan buxheti.

Po e njëjta vlen edhe për universitetet që janë bërë thelbi i problemit në arsim, për shkak se edhe aty një pjesë e madhe e mësimdhënësve nuk e kanë vendin, sepse nuk i plotësojnë kushtet, pikërisht për shkak se nuk i kanë cilësitë e nevojshme apo edhe pse kanë kaluar në ato pozita falë punimeve të dyshimta "shkencore".

Nga ana tjetër shëndetësia është problem po aq serioz, porse edhe më i rëndë, ngase intervenimi i gabuar mund të të kushtojë me jetë. Edhe aty nuk do të dhembte një veting dhe një klasifikim i qartë, i cili është dashur të jetë zbatuar prej kohësh: ata që duan të punojnë në shërbimin publik, do të duhej të kufizoheshin vetëm aty. Puna paralele në sektorin privat është e leverdishme për ta, por jo edhe për pacientët.

Por gjërat në krejt këta sektorë kurrë nuk do të kenë zgjidhje përderisa me "reformën" e tyre merren njerëzit që i kanë shkatërruar sistemet qëllimisht, duke i shndërruar në miniera votash e tenderësh. Kosova, tashmë e ka arritur pikën ku mbase do ta shpenzojë rreth një të tretën e buxhetit të vet vetëm në paga që paguhen nga buxheti për t'ua zgjatur jetën qeverive të këqija dhe për ta mbajtur paqen sociale. Porse rezultati i këtyre manovrimeve në fund vetëm do ta rrisë edhe më shumë dëshirën e të rinjve që të largohen prej këtu për shkak të mungesës së shpresës dhe perspektivës.

Perspektivë që gjithsesi nuk do të përmirësohet pse kryeministri vendos me ia zvogëlu vetes rrogën për 15% pasi e ka rritë atë për 100%.

Demagogët

Tridhjetëpërqindëshi i dytë i këtij buxheti do të shkojë në subvencione, ku përfshihen edhe pensionet e veteranëve të rrejshëm dhe krejt ndihmat e mundshme që u ndahen kategorive të caktuara me kush e di sa ligje për skema sociale që janë nxjerrë sa herë që dikush ka pasur nevojë ta sigurojë edhe një favor a edhe një votë.

Ndër këto shpenzime janë edhe ato për mbulimin e shpenzimeve të avokatëve për mbrojtjen e atyre personave që po ftohen për intervista në Hagë, dhe ku e dëgjuam për herë të parë kategorinë "dëshmitar i dyshuar".

Specialja ia nisi punës me marrjen në pyetje të Remit, i cili, megjithatë, ndenji dy ditë të plota pune në Prokurori. Doli për të na thënë se ishte dëshmitar i dyshuar që do të mundë të interpretohej se është edhe i dyshuar e edhe dëshmitar potencial. Porse kjo mbetet të shihet në vazhdim.

Kur e kreu Remi, të nesërmen ishte paraparë që të merrej në pyetje Sami Lushtaku. Ky zgjodhi të mbrohej në heshtje dhe u kthye në Kosovë. Dhe ditën kur duhej të merrej në pyetje, Thaçi, i cili ende është në pushim dimëror (tri javë, ligji i njeh katër javë kalendarike plus nga një ditë për pesë vjet stazh) e shkroi (apo ia shkruan, njësoj) një status demagogjik në FB: "Sot në Hagë po intervistohet bashkëluftëtari ynë Sami Lushtaku, që vjen nga rajoni i Drenicës ku forcat serbe masakruan me qindra civilë të pafajshëm dhe drejtësia ndërkombëtare as që është marrë me krimet e tyre.

... Sot, padrejtësisht po intervistohet një çlirimtar në Hagë, kurse kriminelët serbë vazhdojnë të shëtisin lirshëm në Serbi dhe botë. Ndaj çlirimtarëve tanë, në emër të drejtësisë ndërkombëtare po bëhet padrejtësia më e madhe".

Lehtësia me të cilën mund të dalë me këso deklarate veç tregon se sa i pasinqertë dhe sa demagog është bashkëluftëtari i Lushtakut. Për shkak tijin kryesisht u formua kjo gjykatë. Ky vetë i cyti deputetët e partisë së tij që ta votojnë atë. Ai vetë e mbajti pushtetin që nga 2007-a, dhe nuk bëri ama bash asnjë gjë që krimet e luftës të dokumentoheshin dhe të gjykoheshin. Për më tepër, siç e tha Haradinaj, nuk insistoi që kur u kthyen trupat e të pagjeturve të ishin përcjellë me nga një raport zyrtar se si u vranë dhe pse u varrosën nëpër varreza masive në Serbi. E këto ka mundur t'i kërkonte, si kusht, para se të niste negociatat krye më vete edhe më 2010 e edhe kur u bë kryetar.

Ndërkohë, derisa gjendet në pushim, e aplikon sistemin e njëjtë për t'i injoruar ata që ia dhanë legjitimitetin për të negociuar çfarë t'i teket. Obligimin për ta dorëzuar dokumentacionin nga negociatat nuk e ka kryer - delegacionit shtetëror i tha se do t'i takonte të hënën. E gjasat janë se veç do t'i mbledhë për t'iu thënë se taksën duhet hequr që të vazhdohet me negociata.

Me po ato negociata që dikur i kishte udhëhequr Edita Tahiri, e cila na e la kile fjollën e famshme, që ende e pret ngrohjen globale për t'u shkrirë. Kur e dëgjon atë, krijon bindjen se gabimin më të madh që e kanë bërë partitë politike është që atë e kanë zëvendësuar me 11 burra. Sepse, sipas saj: "...Në dialogun e Brukselit që unë udhëhoqa shtatë vite, ne arritëm të riintegrojmë veriun..., e integruam në shtyllat kryesore shtetërore siç janë gjykatat, pra i vendosëm të Kosovës, shtrimë policinë shtetërore në veri, shuajtëm strukturat paralele pastaj vendosëm kufirin mes dy shteteve, pikat Jarinë e Bërnjak ishin djegur i kthyem në funksion shtetëror taksat e të tjera..." -- ani që veriu ende sundohet nga strukturat paralele dhe ende asnjë zyrtar i Kosovës nuk mund të shkojë në veri pa përcjellje të policisë.

Tahiri, ndër të tjera, nuk e përmendi se marrëveshja e lëvizjes së lirë nuk funksionon; se te targat e automjeteve nuk ka reciprocitet, dhe se librat e skanuar të kadastrave nuk na zgjidhin problem, sepse koordinatat e ngastrave kadastrale duhet kërkuar në Serbi me kundërshpërblim të majmë.

Të thuash se procesi negociator i Brukselit që po hyn në vitin e nëntë ka qenë i suksesshëm, ose të bën demagog, ose të bën të bindesh se jeton në një realitet diku në ndonjë planet tjetër. Ose të dyja.

E ne? Neve përfundimisht na kanë humbur mendtë. Krejt kjo që u përshkrua më lart s'ka të bëjë me Kosovën. Është veç iluzion...

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi