OpEd

Vetëm KFOR-i 100 për qind

E gjendur përballë presionit të ndotjes enorme të ajrit dhe pisllëkut në çdo cep të vendit, pak ditë pasi mori drejtimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj u zotua për masa shtrënguese ndaj subjekteve që i shkaktojnë ato. Mes të tjerash, paralajmëroi ndërprerjen e përdorimit të thëngjillit për djegie në amvisëri.

Shefi i ekzekutivit, mbase i painformuar me agjendën e ministres, e mbështeti kërkesën e Sindikatës së KEK-ut për ndarjen e thëngjillit falas për mbi 5000 punëtorë të kësaj ndërmarrjeje. Një vit më vonë ai nuk foli më për thëngjillin falas. Edhe Bordi i KEK-ut e pezulloi praktikën e ndarjes së thëngjillit për punëtorët.

Në atë që u quajt vit i kthesës në sektorin e energjisë, Haradinaj i shpalli heronj punëtorët e KEK-ut. Bëri zgjidhje emergjente për çështjen e mihjes, ndërkohë që mbështeti vendimin e Bordit që pagat e punëtorëve të rriten me nga 100 euro për secilin.

Takimet e tij në orët e mbrëmjes me “minatorët” nuk ndryshuan asgjë për të mirë. Kriza energjetike një vit më vonë po ndihet gjithandej Kosovës. Kryeministri hodhi dyshimet se ky sektor është i kapur nga mafia energjetike. Ky është vetëm fillimi i huqeve.

Edhe marrëveshja me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” u quajt historike. U akuzuan qeveritë e mëhershme për mungesë guximi në marrjen e vendimeve të mëdha. Nuk u morën parasysh vërejtjet e shoqërisë civile, të ekspertëve e të një pjese të opozitës për koston e lartë financiare dhe mjedisore. Për 1.3 miliardë investime u tha se qytetarët do të paguajnë afro 7 miliardë euro.

Ky projekt i “lavdishëm” u godit rëndë nga Banka Botërore. Ajo tha se nuk e mbështet atë financiarisht, ashtu siç u deklarua pak më vonë edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kjo sa i përket kauzës energjetike.

Kundërshtimet ndërkombëtare janë thelluar edhe për skemat pensionale. Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka kritikuar Qeverinë për çështjen e listave të veteranëve të UÇK-së. Ka kërkuar rishikimin e Projektligjit për paga, duke tërhequr vërejtjen se ai nuk parasheh pagë të barabartë për punën e njëjtë. Çështja e veteranëve ka përfunduar me zor në zyrat e hetuesisë. Prokurori që kishte nisur hetimin e mashtrimit më të madh të pasluftës është larguar në drejtim të SHBA-së. Është ndier i kërcënuar. Se ka të vërtetë në këtë, janë fyerjet që kryeministri dhe të tjerë bashkëpunëtorë të tij i shpërfaqën publikisht ndaj tij disa ditë më pas.

Drejtësia aktualisht bëhet në zyrat e Qeverisë dhe të partive politike, jo në gjykatë.

Arsimtarët janë futur në grevë të përgjithshme duke i nxjerrë për një javë 500 mijë nxënës e studentë jashtë sistemit arsimor. Ka afro një muaj që shumë klinika në QKUK nuk ofrojnë shërbime, e të pakënaqur janë deklaruar edhe minatorët e Trepçës, punëtorët teknikë të shkollave, shërbyesit civilë në Qeveri...

Vendimi i Haradinajt për rritjen e pagës 100 për qind për vete, kabinetin e tij, prokurorët dhe gjykatësit, i ka dhënë hov valës së madhe të pakënaqësisë sociale.

Ky tipar i sjelljes së qeveritarëve dhe kjo mënyrë e konceptimit të politikave publike e ka nxjerrë “gënjeshtare” Qeverinë edhe në premtimin për liberalizimin e vizave. Hiç disa afate elektorale, kjo “deri në fund të vitit 2018”, u tha me gojën plot.

E komisari evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, pak para Vitit të Ri kumtoi demantin zyrtar. Vendimi për vizat mund të ndodhë më 2020, tha ai.

Më bindës se për vizat qeveritarët u shfaqën në qëllimin për anëtarësim në INTERPOL. Ata e shitën në publik fakt të kryer pranimin në këtë organizatë, ndërsa dita e votimit e nxori Kosovën “të lagur”. Kundër u deklaruan edhe disa shtete që e kanë njohur Pavarësinë. Duket e pazakontë, por në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk vlen parimi “armiku im është armik i mikut tim”. Shtetet që e kanë njohur Kosovën jodomosdoshmërisht duhet të jenë kundër Serbisë. Madje, me këtë garniturë në skenën politike për një përqindje po del të jenë kundër nesh. Ky është argumenti i imazhit të Kosovës në botë.

Disfata e fundit diplomatike ka mundur të mos e lëndonte kaq shumë “sedrën” e qeveritarëve, sikur lista e dështimeve të mos ishte kaq e gjatë. Bile kjo nuk është asgjë krahasuar me ngecjen e njohjeve, e edhe më keq me tërheqjen e tyre nga disa vende.

Të mbështetur për muri dhe në mungesë të moralit qytetar që të merret përgjegjësia e dështimeve, Qeveria bëri gjetjen e madhe “patriotike”. Vendosi taksën, njëherë 10 e më pas 100 për qind ndaj mallrave që importohen nga Serbia, si shansin e fundit për t’i dërguar në “harresë” të gjitha të këqijat e këtij koalicioni qeverisës dhe për të kthyer për pak kohë mbështetjen popullore.

Pra, taksa nuk është vendosur për të mbrojtur shtetin, por pushtetin. Aq më tepër kur Serbia, politikat kundërshtuese, me taksa e pa taksa, i ka merituar qe 20 vjet. Këtë e kanë kërkuar shumë herë edhe individë e edhe struktura partiake. Përveç krijimit dhe mbështetjes politike e financiare të strukturave paralele, instalimit të krimit të organizuar dhe kontrabandës, Serbia ka penguar serbët lokalë të integrohen në institucionet e Kosovës, duke ua ushqyer shpresat se ky vend do të jetë edhe më tej nën kontrollin e Beogradit. Ajo nuk ka bashkëpunuar në adresimin e çështjes së krimeve të luftës, në gjetjen e të zhdukurve dhe dënimin e fajtorëve. Ka ndërhyrë në politikat e brendshme të vendeve të tjera në rajon, sidomos në Bosnjë-Hercegovinë, por edhe në Mal të Zi e Maqedoni.

Në Kosovë ka ndërhyrë edhe më keq, aty në të vërtetë është me të dy këmbët. Në Qeverinë që i vuri taksën Serbisë, ministrat nga radhët e Listës Serbe nuk i raportojnë Haradinajt. Të njëjtën e bëjnë edhe deputetët e edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe. Askush nuk guxon as t’ua marrë mandatet e as t’ua ndalë rrogat.

“Sot jam 100 për qind shtet – faleminderit kryeministër!”, është baneri që u vendos në kryeqytet pak kohë pas marrjes së vendimit për taksën. Kjo “reklamë” u hoq shpejt, ka të ngjarë që të hiqet shpejt edhe taksa, ashtu siç u hoq dorë nga korrigjimi i kufirit me Malin e Zi, ashtu edhe nga ideja për zhbërjen e Speciales.

Me mandat, kompetenca dhe fuqi ekzekutive 100 për qind është vetëm “KFOR-i”.