Vështrime

Deepfake apo Fake News 2.0, virusi i ri për gazetarinë e sotme

Deepfake është versioni i ri i Fake News apo ndryshe lajmit të rremë. Fjalori i Macmillanit termin deepfake e definon si audio dhe video e një personi, e manipuluar për t’u dukur dhe tingëlluar si një person i vërtetë, duke thënë diçka që ai person kurrë nuk e ka thënë. Shprehja deepfake rrjedh nga kombinimi i dy fjalëve, deep (i/e thellë, thellë) dhe fake (i/e rremë, rrenë, trillim, mashtrim). Nëse vitet e fundit është diskutuar shumë për lajmet e rreme, për rrezikun që na kanoset prej tyre dhe për mënyrat se si të mbrohemi nga to, muajve të fundit fokusi çdoherë e më shumë po kalon të deepfake – rrenë e thellë, trillim i thellë, mashtrim i thellë. Deepfake si përmbajtje e rreme nuk është vetëm tekstuale, por kalon edhe në përmbajtje të rreme vizuale.

Fake News 2.0, apo Deepfake është një teknologji e bazuar në inteligjencën artificiale që përdoret për të prodhuar ose ndryshuar videopërmbajtjen në mënyrë që të paraqesë diçka që në fakt nuk ka ndodhur. Me anë të programeve të ndryshme mund të kombinohen ose mbivendosen imazhet dhe videot e rreme mbi imazhet ose videot ekzistuese. Teknologjia e krijimit të videove të rreme tregon se në ditët e sotme, më shumë se kurrë më parë, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm në çka besojmë, madje edhe kur e shohim nuk duhet ta besojmë apriori. Studiuesit e etikës në media, Philip Patterson dhe Lee Wilkins, duke iu referuar mediave tradicionale, thonë se “të shohësh nuk do të thotë se është e besueshme”. Por, nga viti 2009, kur ata botuan librin ‘Etika në media: çështje dhe raste’, tashmë problematika për shoqërinë është shumëfishuar, sepse përveç mediave tradicionale, nga të cilat edhe sot duhet pasur kujdes, tashmë rreziku kryesor për mashtrim ekziston në botën e internetit. Një video e rreme ku një politikan deklarohet për një temë të caktuar mund të jetë deepfake, mund të shpërndahet në rrjetet sociale dhe është vështirë e dallueshme për secilin. Manipulimi nëpërmjet një videoje të rreme e forcon thënien e studiueses amerikane, Sheila Reaves që më 1987 i quajti videot, “lëng i kontrolluar”.