Sa po i kushton taksa Serbisë e sa Kosovës?

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 22 dhjetor 2018 08:39

Moszgjidhja e çështjes së Kosovës u ka kushtuar si serbëve ashtu edhe shqiptarëve. Po iu kushton të dyja palëve edhe taksa prej 100 për qind. Vuçiq dhe Bërnabiq janë koshientë se Kosova asnjëherë më nuk do të kthehet nën Serbi. Por sa më parë që e njeh Serbia Kosovën, aq më pak do të varfërohen tutje qytetarët e të dyja vendeve

QEVERIA NË BEOGRAD, pas kërcënimeve dhe tregimit të dhëmbëve, tash iu ka kthyer lapsit. Po llogarisin. Dhe llogaritë nuk po iu dalin mirë.

Taksa prej 100 për qind e vendosur ndaj produkteve nga Serbia që hyjnë në Kosovë është duke i shkaktuar dëme të mëdha ekonomike dhe të stabilitetit të investimeve.

Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, hesapi i ka dalë se nëse vazhdon taksa e Kosovës për mallrat e Serbisë, atëherë ekonomia serbe në vitin që vjen do të ketë humbje prej më se 514 milionë eurosh.

Edhe zëvendësi i saj në Qeveri, Rasim Lajiq, ka nënvizuar se ky acarim i ri ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ndikon edhe në perceptimin në bashkësinë ndërkombëtare se rajoni po kthehet në zonë të konfliktit, gjë që, sipas llogaritjes së tij, mund të ndikojë në zvogëlimin e numrit të investitorëve.

Po ashtu, ka nënvizuar Lajiq, rreth 2.600 ndërmarrje nga Serbia të cilat kanë shitur mallra në Kosovë, tash e kanë të pamundur ta bëjnë këtë për shkak të taksës.

Porosia e tyre: Serbia po e pëson për shkak të konfliktit me Kosovën. Plotësisht e vërtetë! Serbisë i kushton politika e saj ndaj Kosovës.

Ndonëse, këtyre nuk iu bie ndërmend, ose së paku nuk e thonë publikisht, se edhe Kosova ka pësuar dhe po vazhdon të pësojë nga mbajtja gjallë nga Beogradi e konfliktit me Kosovën. Po e pëson edhe me taksën e vendosur vetë!

VONË KANË FILLUAR në Serbi t’i llogarisin humbjet në kontekst të Kosovës. Në fakt, shenjat e para të fillimit të së vërtetës për çmimin e luftimit të Kosovës përgjatë shumë dekadave tashmë, u dhanë vetëm verës. Në kohën kur kryetarit serb, Aleksandar Vuçiq, i nevojitej përkrahja e opinionit publik për projektin e tij të ndarjes së Kosovës, nën nocionin eufemik “razgranicenje” (përkufizim).

Në gusht, gjithandej në mediat e afërta të pushtetit u publikua me pompozitet të sforcuar një analizë ekonomike e, siç u prezantua, “Çmimit të moszgjidhjes së çështjes së Kosovës”, punuar nga një organizatë pak e njohur, nën emrin “Instituti Futuristik”.

Ky institut vinte alarmin: Moszgjidhja e çështjes së Kosovës prej tash e deri në vitin 2027 do t’i kushtojë Serbisë plot – 100 miliardë euro!

Aty kishte edhe përllogaritje të tjera: 1 miliardë e 754 milionë euro kanë kushtuar jetët e humbura njerëzore (vetëm të serbëve, vër. A.K.) gjatë luftës në vitin 1999 (deri në 700 mijë euro, e llogarisnin, kushton një jetë njerëzore); plus deri në 130 miliardë dëme nga bombardimet e NATO-s; plus 124 miliardë dëme nga sanksionet që nga viti 1992...
Një luftë e re tremujore me Kosovën? 160 miliardë të tjera humbje Serbisë, vlerësonte instituti.

E mbi të gjitha, nënvizonte analiza, në Kosovë ka 8 fish më shumë shqiptarë sesa serbë...
Gjithsesi, aty nuk përllogariteshin fare humbjet që u janë shkaktuar shqiptarëve të Kosovës gjatë gjithë kohës së represionit serb, me vrasjet, deportimet, dëbimet, burgosjet, përdhunimet, shkatërrimet, dëbimet nga punët dhe shkollat, vjedhjet e pasurisë e shumë të tjera.

Pyetjet janë: Çka fitoi Beogradi me këto?

Pse s’u kujtua më herët t’i bënin këto analiza, dhe të mos shkaktonin humbje as për veten as për Kosovën?

ËSHTË, GJITHASHTU, e vërtetë, pra, se secili hap i konfliktit me Serbinë e bart çmimin e vet edhe për Kosovën. Njësoj është edhe me taksën prej 100 për qind për prodhimet nga Serbia.

Ndonëse ka një përkrahje dhe populizëm të arsyeshëm mbase për shkak të rrethanave, megjithatë kjo taksë e dëmton edhe Kosovën.

Dhe këtu nuk bëhet fjalë për dëmin në kuptimin e qortimit dhe presionit nga bashkësia ndërkombëtare, por edhe dëmtimin e xhepit të qytetarit të Kosovës.

Biznesmenët kosovarë janë duke e mbajtur gjuhën për të mos folur të parët - në mënyrë që të mos perceptohen se janë kundër masave ndaj politikave destruktive të Serbisë - por se taksa iu ka shkaktuar shumë kokëçarje. Kjo gjendje, sipas ekspertëve ekonomikë, në muajt në vijim medoemos do të reflektohet në rritje të çmimeve, rritje të interesave bankare, rritje të riskut të investimeve, rritje të rrezikshmërisë së partneritetit me kompani ndërkombëtare e deri te detyrimi që të ulin pagat e punëtorëve ose edhe t’i pushojnë nga puna disa.

Të kuptohemi, ka një gamë të gjerë prodhimesh vendore të cilët lëndën e parë e kanë marrë nga Serbia, jo për shkak të ndonjë lidhjeje sentimentale, por për shkak se ka kushtuar më lirë dhe transporti ka qenë më i përballueshëm dhe i shpejtë. Këtu hyjnë produktet që nga gruri, pastaj materiali ndërtimor e deri te produktet e ambalazhimit – kryesisht nga fabrika ndërkombëtare që operojnë në Serbi - të cilat vështirë se mund të zëvendësohen shpejt dhe me kosto të përballueshme nga shtetet e tjera.

Në të njëjtën kohë, ka edhe plot kompani konkurrente me prodhuesit vendorë, të cilët lëndën e parë do të vazhdojnë ta marrin nga Serbia, por ata do ta shesin në prodhimet e tyre të gatshme në tregun e Kosovës, pa e pasur detyrimin e pagesës së taksës prej 100 për qind. Kjo nënkupton që në situatë afatmesme do të bjerë konkurrueshmëria e prodhimeve vendore dhe do të forcohen prodhuesit e jashtëm. Por i bie se edhe do të varfërohen edhe më tej qytetarët.

SË KËNDEJMI, Vuçiq, Bërnabiq dhe Lajiq kësaj radhe nevojitet të tregohen më syçelë, sesa janë treguar në të kaluarën. Si me analizën për koston e luftës në Kosovë të bërë pas plot 19 vjetësh, s’ka pse të presin edhe 19 vjet të tjerë për të llogaritur humbjet e tjera të moszgjidhjes së çështjes së Kosovës. Ta njohin pavarësinë e saj.

Me këtë hap do të mundësohej që të zhvillohej edhe tregti e mirëfilltë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nisur nga interesi i dyanshëm. Taksa po u dhemb të dyja shteteve. S’kanë pse të humbin as serbët e as shqiptarët, as ekonomikisht e as në ndonjë mënyrë tjetër edhe më tutje.

Ata janë koshientë se Kosova asnjëherë më nuk do të kthehet nën Serbi. Së paku të mos i varfërojnë edhe më tutje qytetarët e të dyja vendeve.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adritaikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Veri25/12/2018 14:45

Demet serbis ndaj Kosoves mbi 300 Miliard Euro,ne Njerez,Private shtepi dhe pasuri tjera private te vjedhura,pensione,Maqineri Ushtarake me nji numer shum te madh pron e Kosoves 21 mig etj. Ka shum gjesende qe jan bere dom qe e kapercejn ket shume. Flm.

Hasani24/12/2018 16:47

Tregtaret e Kosoves le ta sjellin mall nga vendet tjera, edhe nese ajo do te thoshte profit me te vogel per ta! Bile bile, sikur si popull te ishim te ndergjegjshem do ta bojkotonim vete mallin serb dhe do t'i detyronom tregtaret qe te gjejne zgjidhje tjeter pa nderhyrjen e shtetit. Pote shkretit ne pa pllazma keksa nuk mundemi me jetu! Disa gjera duhet te jene mbi leket, e te gjithe duhet te sakrifikohemi nga pak!

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi