OpEd

Del Ponte, shkruaje një libër edhe për përdhunimet!

Si ndodhi që për një pretendim të një kryeprokuroreje të dështuar në profesionin e saj në gjykatore, të themelohet edhe një gjykatë e re ndërkombëtare, kurse për rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale në Kosovë të mbahet vetëm një gjykim dhe në fund të dyshuarit të lirohen?! Ky fakt e bën çështjen e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë turpin dhe poshtërsinë më të madhe të drejtësisë ndërkombëtare!

SECILA PREJ TYRE e ka rrëfimin e vet. Të mbyllur brenda, shpesh duke dashur ta bindin edhe vetveten se ajo ditë e kobshme nuk ka ndodhur kurrë.

A ka ndodhur vërtet?!

Por sigurisht se dëshira për të harruar nuk mund ta zhbëjë ditën më të tmerrshme të jetës së tyre. Uniforma, sulmi, pamundësia për t’u mbrojtur...

Dhe nga ajo ditë e për secilën ditë tjetër që zbardhë – dilema.

A të tregoj?!

Tregimi kurrë nuk do të ndodhte ashtu siç do të duhej sipas rendit të gjërave.

Kurrë publikisht për të folur hapur për atë që ndodhi. Kurrë për ta ndarë dhimbjen. Kurrë për të kërkuar ndëshkimin e kryerësve të krimit.

Kështu për vite me radhë, hamendësime se a ka ndodhur, hamendësime se a duhet folur, deri sa një ditë e sheh veten se vërtet po e ndanë rrëfimin, por se me të njëjtin rrëfim s’po je më njeri. Me ndarjen e rrëfimit po kthehesh në numër. Në statistikë. E statistika po nënkupton edhe një vuajtje të re.

STATISTIKAT JANË: Rreth 20 mijë gra e vajza viktima të dhunës seksuale në Kosovë. Zero, ose asnjë, i dënuar për njërin ndër krimet më mizore të luftës.

Statistikë është edhe se shumë shpejt do të bëhen 20 vjet nga përfundimi i kësaj lufte.

Statistika tjetër është numri prej 820 viktimash të dhunës seksuale kanë aplikuar për njohjen e statusit dhe të drejtën e pensionit, numri prej 162 rasteve të cilave iu është miratuar kjo e drejtë, statistikë edhe numri prej 16 rasteve të refuzuara.

Mbi të gjitha statistikë duhet të jetë turpi. Marrja se si po trajtohet kjo plagë e rëndë e luftës. Statistikë në të cilën do të duhej të përfshiheshin jo vetëm qytetarët e Kosovës, qoftë civilë, qoftë të veshur me pushtet, por edhe të gjithë ata që flasin për atë që duhet – drejtësi ndërkombëtare.

S’ka turp, s’ka marre më të madhe – pse jo edhe poshtërsi më të madhe! – sesa të kemi një Gjykatë Ndërkombëtare të OKB-së për Krime të Luftës në Ish-Jugosllavi, një Mision të OKB-së në Kosovë (UNMIK), një Mision të Ligjit të BE-së (EULEX) dhe një Gjykatë Speciale, kurse asnjëra prej tyre të mos bëjë as më të voglin hap për të sjellë drejtësi për rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës.

Nëse përdhunimet kanë qenë krimet më të mëdha në kohë të luftës, mosndëshkimi i përdhunuesve është krimi i dytë më i madh që po bëhet tash në kohë paqeje.

Përsëritje e statistikës: Asnjë person nuk është dënuar sot e kësaj ditë lidhur me 20 mijë rastet e pretenduara të përdhunimeve nga forcat serbe të sigurisë në Kosovë.

NUK EKZISTON VULLNETI! Për ironi, një mekanizëm i tërë ndërkombëtar u vu në lëvizje për të vërtetuar një pandehje të vetme të bërë nga një ish-kryeprokurore e Hagës dhe një senatori zviceran. Ata thanë se pjesëtarë të UÇK-së kanë bërë edhe nxjerrjen e organeve nga trupi i viktimave të luftës. Ky krim i pandehur, nënvizuan ata, nuk është gjykuar në asnjërën prej gjykatave të cilat kanë trajtuar krime të ndërlidhura me luftën.

Pra, Carla Del Ponte, pas përfundimit të mandatit, shkroi një libër për ato që kishte dështuar t’i bënte në gjykatore. Dick Marty u caktua të hartojë një raport për to, i cili u paraqit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në janar të 2011-s. Nuk vonoi dhe Bashkimi Evropian formoi Task Forcën Hetimore Speciale (TFHS), pёr kryerjen e një hetimi tё pavarur tё pretendimeve tё ngritura nё raport dhe krimeve tё tjera nё lidhje me to.

Më 2014 TFHS-ja konfirmoi se ekzistonin prova tё mjaftueshme pёr ngritje aktakuzash dhe për to duhej të ngrihej një institucion i ri gjyqësor.

Një vit më vonë, Kuvendi i Kosovёs miratoi Nenin 162 tё Kushtetutёs sё Kosovёs dhe Ligjin pёr Dhomat e Specializuara dhe Zyrёn e Prokurorit tё Specializuar, pas njё shkëmbimi letrash midis presidentes sё Kosovёs dhe pёrfaqёsueses sё lartё tё Bashkimit Evropian pёr Politikё tё Jashtme dhe tё Sigurisё. Kështu, pas Tribunalit të Hagës, gjykatave të UNMIK-ut, gjykatave të EULEX-it, në Kosovë u themelua edhe një gjykatë e re ndërkombëtare për të hetuar për një rast të pretenduar krimi dhe për të përmendur pesë emra të përveçëm pjesëtarësh të UÇK-së, si persona me ndikim në këto krime.

NATYRISHT, ABSOLUTISHT këtu nuk duhet keqkuptuar se ndonjë nga krimet e ndërlidhura me luftën, ose çfarëdo krimi tjetër, nuk do të duhej hetuar thellësisht dhe që të dyshuarit të përgjigjen para organeve të drejtësisë, kushdo qofshin ata.

Keqkuptimi i madh këtu është, si ndodhi që për një pretendim të një kryeprokuroreje të dështuar në profesionin e saj në gjykatore, të themelohet edhe një gjykatë e re ndërkombëtare, kurse për rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale në Kosovë të mbahet vetëm një gjykim dhe në fund të dyshuarit të lirohen?!

A u dashka që 20 mijë viktima të mos gjejnë asnjë drejtësi sot, 20 vjet pas luftës, vetëm për shkak se një personalitet i fuqishëm botëror nuk e ka shkruar një libër për ta?!

Ky fakt e bën çështjen e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë turpin dhe poshtërsinë më të madhe të drejtësisë ndërkombëtare!

Adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk