Ylberi kuqezi

Drenusha Zajmi-Hoxha Drenusha Zajmi-Hoxha 22 tetor 2018 08:20

Hyri vjeshta, e bashkë me të gjërat sikur po qetësohen pas një vere kaotike. Që sipas kritereve kosovare i bie gjendje normale e përditshme. Sidoqoftë, u ndalën darabukët e daullet e shesheve, petardët e dasmave, plumbat qorr, muzika e lartë, kolonat e automjeteve me defe, kallaballëku i mërgimtarëve, festivalet, koncertet, tymi i qebapëve, tallave-muhabetet dhe tendat orientale që vendosen herë për specialitete turke, herë për panair libri, herë për reklama telefonike e herë për tentene çejzi të përcjella anash me ajvar shtëpiak.

Për të mos lënë që bajatllëku t’i kaplojë ditët tona të lavdishme kosovare, kryeministri vazhdon të na “befasojë” me emërimet e zëvendëskryeministrave, sigurisht duke dashur që të na e ngrejë vetëbesimin që të mos e shohim veten si “një copë Kosove”, por sikur një Kinë. Ups, në fakt kaq kot-ministra nuk ka as në Kinë. Bash po më gëzon fakti që ua paskemi paluar keq. Ku është gjithë ky kiamet i kuadrove të pashkolluara, të pakualifikuara, masterave e titujve të tjerë që jepen sikur me lopatë, nuk bëhet kiameti se kemi edhe nja njëqind zv.pakryeministra tepër.

Kur e mendoj më mirë, tani që po afron Nata e shtrigave, Qeveria mund të na ofrojë një spektakël për t’u mbajtur në mend. Gjithë ai milet plot maska nëpër poste udhëheqëse, dikush me një, tjetri me dy a më shumë. Krejtësisht natyrale. Kush si vampir, kush si maskë shenjtori, kush maskën e servilit, kush si zanë mali me mbathje djalli. E besa dikush nuk ka nevojë për maskë fare, është i frikshëm vetvetiu si do arsimtare të këqija e të kompleksuara që na e kanë traumatizuar fëmijërinë.

Sa shumë shohim ne kosovarët shfaqje maskash, drama të frikshme, tragjikomedi me aktorë të këqij shtatëlëkurësh, sydreqër e kurrizpërkulur, sa Halloweeni po më duket si festë trëndafilash.

E tekefundit kush mund të trembet në Kosovë. Ne jemi mësuar të jetojmë me frikën, nuk na zë gjumi pa të. Vritet njeriu për qejf, theret nxënësi në shkollë, rrihen deri në alivanosje për parking, vidhet njeriu në pikë të ditës nga tjetri, nga banka, nga Komuna, nga Qeveria, nga vetvetja.

Po pra, pse po habitesh? Ti vidhesh nga vetvetja, domethënë nga “Ti” sepse “Ti” faktikisht e paguan hajnin, i cili përsëri vjedh nga “Ti” dhe kështu “Ti” e vjedh veten tënde. Ti vidhesh nga “Ti” po ashtu se ai “Ti”-ja tjetër ka ardhur nga Ti. Kështu vazhdon kjo jetesë-farsë e vazhdueshme, ngaqë “Ti”-ja nuk mendon më shumë sesa një krijesë njëqelizore, e cila mbijeton pikërisht se s’ka tru.

Pastaj, e thënë drejt, Nata e shtrigave nuk ka fort lezet në Kosovë më. Kot gjithë ky arsenal me merimanga e ca gjymtyrë të këputura plastike bashkë me “organizimet” e marketeve që tentojnë t’i bëjnë dy lekë më tepër, me muzikë shurdhuese dhe kallaballëk prindërish të hutuar.

Aman njerëz, pse po nguteni në masë thuajse po ju ikën nata? Shtrigë e vampirë nuk bëhesh dot me zor po nuk dite të pish gjak populli si boronicë freskuese!

Çka është më me rëndësi, njerëzit me kohë i hoqën maskat tërësisht dhe tani po i bëjnë gjërat për ledine. Fjala krim thjesht po tingëllon si kikirik. Ndryshe ishin kohërat kur për shembull ti ia hidhje votën njeriut me maskën e intelektualit, ai hop e dilte çoban. E votoje princeshën, ajo dilte shtrigë. E voton çobanin, ai del president qebesa! Surprise!

Ama edhe çfarë strategjie e lodhtë po duket, kur njerëzit thonë se Halloween festohet që t’iu hiqet fëmijëve frika nga errësira e krijesat e padukshme. Aman more njerëz. Po fëmijët tanë janë mësuar ta kenë errësirë në shkollë, errësirë në media, errësirë në edukim. Një perspektivë total në terr. Duhet shumë më shumë për ta frikësuar një fëmijë kosovar. U bë bajat kjo punë.

Ylberi i Kosovës

E, nejse, për të kaluar në një temë dukshëm më të gëzueshme, nuk kemi si të mos e përmendim paradën ngjyra-ngjyra që u mbajt në vendin tonë. Të zinte syri femra e meshkuj, tipa leshatorë me kanotiere plot lara dhe grumbuj të tjerë njerëzish shumë happy dhe krenarë në orientimin e tyre seksual.

Ok, ajo që nuk po marr vesh është se, pse duhet të jesh krenar në çfarëdo orientimi seksual që ke? Thjesht e ke. Çka është ajo që të bën krenar se je homo ose hetero, ose trans nuk di çka?

Nuk është se po qe se vdesim, sytë do të na mbesin çelë nga sikleti se çfarë orientimi seksual ka p.sh. tipi karshi ballkonit, me tri unaza në hundë dhe buzëkuq rozë si të gjyshes sime. Po mendoj, who cares? Sot kur në botë vriten aq shumë fëmijë, ka kaq shumë uri e luftëra, varfëri të skajshme e brutalitet ndaj gruas, vërtet a është shumë e rëndësishme ose çudi orientimi seksual?

Pse të jetë sidomos në Kosovë , ku ligji e ka thënë qartë mendimin e tij.

Pse duket pamje e pabesueshme nëse shohim dy meshkuj që lazdrohen dorë për dore shkrepave të ndonjë katundi ku ende funksionon Kanuni? Ose tek përqafohen mbi bar e lule, përderisa pak hapa më tutje gratë vriten e rrihen pamëshirshëm nga burrat, të cilët ia hedhin paq, herë duke u arratisur, liruar si të pafajshëm apo të pandjekur asnjëherë ligjërisht! Pse duket çudi? Jo, ne i kemi kryer të gjithë hapat tonë drejt emancipimit mashkullor e femëror. Kjo ishte lëvizja e fundit drejt ylberit.

M’u ngjeth mishi. Nuk di a jam mirë me anën time femërore. Prej nesër do t’i vështroj femrat nga një kënd tjetër, ndonëse e di që jam rast i pashpresë. Po më gëzon fakti që gjërat po ndryshojnë. Hajt allahile. Jo tipi buzëvarur, jo çorapet e hedhura gjithandej, jo kapaku i guacës, jo grindjet pafund. E të mos them se deri dje e besa edhe sot kërkohej virgjiniteti i paprekur, a thua ti se këta meshkuj po hapnin portat e Sezamit solemnisht. Jo ishte virgjine, jo nuk ish. Deri u ranë në fije vajzat e reja tegelave kirurgjikë me turli modeli katalogësh. E ku ndodh ta pyesë një femër femrën tjetër: “A e ke humbur virgjinitetin?” Bah! Nuk ndodh. E supertejkaluar!

Brekët topa-topa

E kur jemi te kjo, virgjërinë e kanë humbur edhe shumë ëndrra, dëshira, pritshmëri e shpresa tona. E kanë humbur edhe fytyrat e politikës, fjalët e deklaratat, fjalimet e Kuvendit, premtimet e zgjedhjeve, dhe në fund, ama shumë definitivisht edhe negociatat me Serbinë dhe konferencat e presidentit për shtyp.

Pavarësisht bla- bla-ve të tij se Kosova është vend i pavarur, sovran dhe i lirë, ky Ramizi i ditëve të sotme nuk mund ta gëlltisë as një “smoki” pa e pyetur Boron e tij të dashur nga Beogradi. Ide nuk kam për çfarë po negociojnë, as pse po u dashka të bisedojnë dy vende të pavarura nga njëra-tjetra.

Thjesht, tipi del për të miliontën herë, i supervezulluar në ndonjë foltore xhami, të brishtë si politika kosovare dhe si me playback na përrallis do halucinacione të tij. Pastaj merr e drejtohet sikur “ika unë se kam punë”, ndërsa gazetarët bëjnë pyetje pas tij. Përgjigjet ashtu si i teket, a thua se çdo gjë është normale, e qetë, e bukur. Me rëndësi po bisedohet e negociohet. E se liberalizimi i vizave varet nga ajo a ka veshur filani brekë me zemra apo me topa, jo se është faji i tij.

Dhe në krejt këtë paturpësi nuk ofrohen as argumente, as dyshime, shpjegime, diskutime.

Natyrisht, e prisja me padurim edhe konferencën e radhës për shtyp në lidhje me Paradën e krenarisë. Ama që isha e bindur se presidenti në atë mënyrën e vet “fol e mos thuaj asgjë” do t’i lidhte disi edhe ngjyrat e ylberit me ato kuqezi. Do ta shpallte ditë historike Paradën patriotike! Mbase edhe do të shpërndante ndonjë dekoratë, nga ato që i kanë tepruar.

Por nuk pati konferencë siç ndodh rëndom.

Se pyetja që do të më pëlqente t’ia bëja më së shumti do të ishte: “Zoti president, për hatër të Kosovës moderne, vizave dhe dashurisë ndaj atdheut…..a do të dilnit dorë për dore me Vuçiqin në Paradë, para Skënderbeut?”

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Drenusha Zajmi-Hoxha