OpEd

Kufijtë dhe njerëzit e FSK-së

Vendosja në veri do të jetë testi më i madh për FSK-në pasi të jetë votuar pakoja ligjore për transicionin e saj në ushtri. Që kjo të arrihet duhet punuar paralelisht për të dy shtyllat e mandatit të ushtrisë së re – mbrojtjen e integritetit territorial dhe mbrojtjen e qytetarëve dhe komuniteteve

Pas më shumë se pesë vjet deklarata e zotime politike, Kuvendi i Kosovës do të ketë para vetes ligjet që Forcën e Sigurisë së Kosovës e shndërrojnë në forcë ushtarake. Emri dhe akronimi mbeten të njëjtë, por mandati ligjor tani e përcakton FSK-në si një “forcë ushtarake multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor”.

Me tri projektligjet që Qeveria i ka dërguar në Kuvend – Projektligji për FSK-në, Projektligji për shërbimin në FSK dhe Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes – synohet të nisë një proces i transicionit të Forcës aktuale të Sigurisë, i ngarkuar me mandat për intervenim në situata emergjente dhe fatkeqësi natyrore, në një forcë ushtarake, të ngarkuar me mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Procesi i transicionit të FSK-së në ushtri thuhet se do të zgjasë deri në 10 vjet, dhe në ndërkohë politika shpreson se do të ndryshojnë rrethanat të cilat tani e pamundësojnë transformimin kushtetues të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

FSK-ja, pra, do të bëhet Forcë e Armatosur e Kosovës edhe me emër kushtetues, kur rrethanat të kenë ndërruar.

* * *

E rrethanat, kjo është e sigurt, ndryshojnë.

Vetë ky ndryshim i mandatit të FSK-së është bërë i mundur nga ndryshimi i rrethanave.

Kur herën e kaluar u tentua që FSK-ja të bëhej ushtri me ligj, reagimet e ashpra, para së gjithash nga SHBA-ja dhe NATO-ja, e pamundësuan një gjë të tillë. Washingtoni dhe Brukseli insistonin se Kosova mund ta bëjë ushtrinë vetëm me ndryshime kushtetuese, që me automatizëm nënkuptonin se për këtë është i nevojshëm pajtimi nga përfaqësuesit serbë në Kuvend.

Asokohe reaguan ashpër edhe zyrtarët serbë në Serbi, por edhe ata që ishin pjesë e qeverisjes në Kosovë. Edhe Beogradi edhe Lista Serbe e hidhnin poshtë mundësinë që Kosova të ketë ushtri.

Tani, gati një muaj pas miratimit të pakos ligjore për FSK-në në Qeveri, kur pritet që procesi të kalojë në Kuvend, reagimet e tilla agresive mungojnë. Heshtja e SHBA-së dhe NATO-s duket se pasqyron pajtimin me drejtimin e marrë, ndërsa reagimet serbe po ashtu duken më të vakëta.

Sikur të gjithë janë pajtuar që me faktin se Kosova, nëse do të jetë shtet, do të ketë edhe ushtrinë.

Por jo të gjitha rrethanat ndryshojnë për të mirë.

Siç edhe jemi dëshmitarë, integriteti territorial i Kosovës, dikur i mbrojtur fuqishëm jo vetëm nga institucionet e shtetit të shpallur më `7 shkurt 2008, por edhe nga të gjithë ata që e kanë njohur atë shtet, tani duket sikur po shndërrohet në një temë që edhe mund të vihet për diskutim. Propozimi për korrigjim kufijsh e këmbime territoresh, që ka gjetur mbështetje edhe nga vetë presidenti i Kosovës, po shihet si mundësi e pranueshme edhe nga disa faktorë perëndimorë që, para vetëm një apo dy vjetësh, një mundësi të tillë e quanin çmendi të papranueshme.

Pra, rrethanat kanë ndryshuar, dhe për disa në Perëndim mundësia që Kosova të konfirmohet plotësisht si shtet po ndërlidhet me plotësimin e kërkesës serbe për të marrë një copë të atij shteti. Rrjedhimisht, sipas përkrahësve evropianë të kësaj ideje antievropiane, pas 10 vjetësh, kur transicioni i FSK-së në ushtri të jetë përmbyllur, territori që ajo do ta ketë mandate ta mbrojë do të mundë të jetë i ndryshëm prej këtij që kemi sot. Me një pjesë të Luginës së Preshevës brenda tij, dhe me një pjesë të veriut të Kosovës jashtë.

Një sinjal i qartë se Serbia synon këtë – që FSK në veçanti, por Republika e Kosovës në përgjithësi të mos jenë prezente në veriun e vendit – u dha nga vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili para pak ditësh, në një konferencë për gazetarë në Beograd tha se “çizmja shqiptare nuk mund të shkelë në veri të Kosovës”. Kjo lë të kuptohet se për Beogradin krijimi i ushtrisë së Kosovës nuk përbën problem për aq sa ajo ushtri nuk e kalon lumin Ibër.

I inkurajuar nga pajtimi i presidentit Thaçi që t’i hapë kufijtë e Kosovës për diskutim, Vuçiq tashmë ka nisur t’i ndryshojë rrethanat në veri dhe rreth tij, duke e bërë atë pjesë të Kosovës të shihet si çështje e hapur jo vetëm nga Beogradi, por edhe nga perspektiva e Brukselit, e ndoshta edhe e disa kryeqendrave evropiane.

Pjesë e kësaj tendence janë ndëshkimi që Beogradi u bën atyre pak serbëve që kanë pranuar të jenë pjesë e FSK-së aktuale, deklaratat absurde të presidentit të Kosovës për “dhuratat e Rankoviqit”, si dhe përkrahja tërësisht amorale nga disa ndërkombëtarë për “spastrimin etnik paqësor”.

Sigurisht, përderisa për NATO-n më me pritoritet është stabiliteti rajonal dhe ai në Kosovë sesa arritja e një marrëveshjeje Thaçi-Vuçiq, dhe përderisa Berlini bashkë me disa faktorë të tjerë të rëndësishëm perëndimorë insiston se ndryshimi i kufijve nuk mund të ndodhë, tentimet e lartpërmendura nuk mund të shkaktojnë diç më shumë sesa debate të tensionuara dhe irritim zhgënjyes në mesin e qytetarëve. Por ato, megjithatë, janë tregues i një ndryshimi në rrethanat globale në të cilat ekziston Kosova: bota tani sundohet më shumë nga ata që synojnë mbylljen e çështjeve të vogla me çdo kusht e çmim sesa ata që synojnë arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme.

* * *

Kur në pranverën e vitit 2017 diskutohej propozimi i shndërrimit të FSK-së në ushtri me ligj dhe NATO-ja reagonte kundër, në një bisedë joformale pata pyetur një oficer të lartë të Aleancës Veriatlantike se përse konsiderohet kaq problem i madh transformimi i FSK-së në ushtri, kur ajo, edhe e transformuar, nuk do të jetë ndonjë forcë e madhe, aq më pak kërcënuese.

Përgjigjja ishte: Veriu.

Veriu do të jetë testi më i madh për FSK-në pasi të jetë votuar pakoja ligjore për transicionin/transformimin e saj. FSK-ja, edhe kështu si ka qenë – një forcë e sigurisë publike dhe jo ushtarake – nuk ka mundur të veprojë në veriun e vendit. Që FSK-ja e transformuar të përmbushë mandatin e vet të mbrojtjes së integritetit territorial, ajo do të duhet të vendoset edhe në kufijtë veriorë të vendit. Kjo do të jetë sfidë, ndërsa presioni që vendosja e FSK-së në veri të shtyhet për një kohë kur rrethanat të jenë më të mira do të jetë i madh.

Andaj, kur deputetët të kenë votuar shndërrimin e forcës në ushtri, le të mendojnë pak edhe si mund ta bëjnë këtë ushtri funksionale në të gjithë territorin e vendit, duke mos harruar se mandati i saj është edhe mbrojtja e të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve të Republikës.

Kosova ka nevojë të ketë ushtrinë, dhe FSK-ja ka nevojë të jetë forcë integruese. Që kjo të arrihet, Kuvendi duhet të lërë anash politikën ditore dhe t’i anulojë pazaret me kufijtë.

E FSK-ja do të mundë të mendonte nëse ka një kazermë apo njësit në Mitrovicë që do të mundë ta emërtonte “Dimitrije Tucoviq”.

Në vend se të pritet ndryshimi i rrethanave, pse të mos i ndryshojmë ato vetë. Në drejtimin e duhur.

agronb@kohaditore.com