OpEd

Molla e ndaluar e Elez Blakajt

Problemi i prokurorit të Kosovës që merret me punën e veteranëve është se nuk i ka konsultuar dëshirat e prijësve shtetërorë të Kosovës, që e mbajnë shtetin të kapur.

1.

Ekzistojnë (sa për ta hapur këtë shkrim) dy qasje ndaj prokurorit Elez Blakaj, atij që nxori se nga lista e përgjithshme e veteranëve të UÇK-së e që përfitojnë pension nga buxheti i Kosovës, së paku 19 mijë janë aty në premisa mashtruese, pra janë falsifikatorë.

Njëra qasje është që ky pretendim i prokurorit të vërtetohet në proces gjyqësor. Një proces i këtillë do të ballafaqonte pohimin fillestar të komandantit të fundit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, dërguar organizatave të OKB-së në qershor të vitit 1999 se duhet demobilizuar 12 mijë ushtarë të UÇK-së me pohimin përfundimtar të Agim Çekut, kryetarit të Komisionit për evidencimin e veteranëve të UÇK-së, se numri i veteranëve kishte kaluar 50-mijëshin dhe ishte nisur për në shifrën 60 mijë.

Tjetra qasje është që të kërkohet momenti historik, ora dhe data, kur në njërën prej pemishteve të Kovrragës së Istogut ai që do të bëhet prokuror, nxënësi Elez Blakaj të ketë vjedhur ndonjë mollë.

Prej dy qasjeve të mundshme Kosova zyrtare ka zgjedhur të dytën. Pra, për udhëheqjen e Kosovës nuk është problem se numri i veteranëve të luftës që përfitojnë pensione është pesëfishuar. Problem themelor i Kosovës është shndërruar Elez Blakaj. Ndonëse ende nuk dihet nëse ka vjedhur a jo, dikur në fëmijërinë e tij të hershme, ai tashmë është vlerësuar zyrtarisht të jetë “pishpirik”, “hajn i pulav’” dhe “frikacak”.

2.

Nëse Elez Blakaj mund ta ketë marrë një mollë me leje a pa leje nuk është më me rëndësi. Ai është quajtur “pishpirik”, “hajn i pulav’” nga kryeministri i vendit dhe “frikacak” nga kryetari i Kuvendit. Që të dytë janë njëkohësisht kryetarët e partive që sajojnë në masë të madhe koalicionin në pushtet, pra, kur ata i thonë një prokurori se është hajn dhe frikacak komunikimi që bëhet nuk është mes emrave të përveçëm, por mes institucioneve. Dhe, meqë është kështu, i bie që prokurori i Kosovës i nënshtrohet vlerësimit personal të bartësve të pushtetit, jo të institucioneve.

Rrjedhimisht, nuk është me rëndësi a është pesëfishuar apo jo numri i veteranëve të luftës. Me rëndësi është se konstatimi për këtë gjë, nga prokurori i vendit, nuk u pëlqen dy prijësve themelorë të koalicionit në pushtet, njëri kryeministër e tjetri kryetar i Kuvendit. Dhe, rrjedhimisht, për të mos u quajtur më “pishpirik”, “hajn i pulav’” dhe “frikacak”, çdo prokuror i Prokurorisë së Kosovës duhet të veprojë ashtu siç do t’iu pëlqejë kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit.

Kjo është njëra prej gjendjeve tipike të vdekjes së demokracisë, sipas dy profesorëve të Harvardit, Stephen Letivsky dhe Daniel Ziblatt, përshkruar në librin e tyre “How Democracies Die” (Si vdesin demokracitë), botuar më 2018. Në situatën të cilën e përshkruajnë, nuk është vetëm me rëndësi më diktati i liderëve autoritarë, por mënyra e akomodimit e të tjerëve ndaj këtyre liderëve, duke supozuar dëshirat e tyre. Pra, demokracitë nuk vdesin vetëm pse në skenë paraqiten liderët autoritarë, të cilët uzurpojnë hapësirën demokratike, por pse atyre fillojnë t’u shërbejnë njerëzit në institucione të shtetit, duke presupozuar se çka është ajo që do t’u pëlqente të bëhej.

Kur kryeministri i vendit dhe kryetari i Kuvendit e fyejnë prokurorin, është pse ai ka anashkaluar këtë obligim të thellë antidemokratik: nuk ka parashikuar se çfarë u pëlqen kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit. Pra, prokurori ka thyer tri rregulla elementare. I pari është që ai duhet të supozojë se çka është ajo që bën të thuhet (do t’u pëlqente kryeministrit e kryetarit të Kuvendit). Rregulli i dytë është që, nëse nuk mund të supozojë se çka është ajo që mund t’i pëlqejë a jo kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, atëherë të kërkojë autorizim prej tyre se si duhet të veprojë. Dhe, meqë nuk i ka përfillur këto dy rregulla atëbotë e ka shkelur edhe rregullin e tretë: ka imagjinuar se jeton në shtet demokratik.

Kështu, del se faji i Elez Blakajt nuk lidhet me ndonjë mollë eventuale në Kovrragë, por me besimin e tij se mund të jetë prokuror i pavarur, që nuk duhet të ketë dirigjim, konsultim a bekim politik.

3.

Tashmë që është e qartë se nuk është punë mollash, por i besimit të Elez Blakajt se është prokuror i një shteti demokratik, del edhe një problem më i madh se kaq: kredencialet. Në një sistem demokratik në të cilin mendon se operon Elez Blakaj, fakti që është prokuror, i emërtuar në një procedurë institucionale do të ishte e mjaftueshme për t’u marrë me cilëndo lëndë. Por, për kryeministrin e vendit, këto kredenciale janë të pamjaftueshme. Sipas kryeministrit, prokurori Blakaj ka qenë në kampin e refugjatëve në Stankovec gjatë luftës, dhe kjo e diskualifikon që të merret me listën e veteranëve.

Dhe, këtu kemi të bëjmë me gjendjen e frikshme të dy sistemeve qeverisëse. Në njërin, ekzistojnë institucione si Kuvendi, gjykatat, qeveritë e agjencitë e pavarura. Në tjetrin ekziston e drejta e legjionarëve. Në një moment, në vitin 1999, kryeministri i vendit e ka mbrojtur me kallash fshatin e tij të lindjes, gazetarët në Prishtinë kanë pirë makiato, ndërsa Elez Blakaj (që nuk akuzohet më për mollën e Kovrragës) mund të ketë qenë refugjat në Stankovec. Meqë i vetmi që ka pasur konflikt të drejtpërdrejtë të armatosur me Serbinë ka qenë kryeministri i tanishëm në fshatin e tij të lindjes, ai është i vetmi që ka kredenciale për të vendosur se kush ka luftuar, kur dhe si. Dhe, kjo gjendje e shndërron sistemin e parë, atë të institucioneve formale –Kuvendit, Qeverisë, gjykatave – në sistem sa për sy e faqe. Në momentin kur nga ai sistem prodhohet një aktpadi si e Elez Blakajt, hyn në funksion sistemi i dytë në të cilin vetëm ata që kanë pasur – ose kanë – kallash në dorë mund të vendosin se sa veteranë do të ketë Kosova, apo çfarëdo çështje tjetër që prek në interesa të atyre.

4.

Elez Blakaj e ka futur Kosovën në një garë mes matematikës dhe mitit.

Në matematikë, me lista evidence me numra rendorë ka dalë një numër luftëtarësh të UÇK-së që nuk kalon 12 mijë. Në mitin të cilin po e zhvillojnë disa prej atyre që janë emërtuar komandantë dhe sot janë prijës politikë, del se Kosova kishte mbi 50 mijë ushtarë të UÇK-së. Ata 12 mijë të vitit 1999 ishin të nevojshëm për ta luftuar Serbinë. Këta 50 mijë që evidencohen sot janë të nevojshëm për ta fituar pushtetin politik: çdo pension për një luftëtar të rrejshëm përkthehet në vota të anëtarëve të familjes. Kështu miti, paradoksalisht, kthehet në matematikë.

Problemi i matematikës dhe i mitit është se janë pjesë të shtetit të kapur. Në të prokurori Blakaj ka bërë një herezi që pa konsultuar shefin e tij, kryeprokuror, apo në kundërshtim me të, dhe pa konsultuar krerët politikë ka bërë veprime që i ka konsideruar si pjesë të punës së tij. Aq mjaftonte për t’iu afruar shpalljes si armik i popullit dhe gjendjes ku do të bëhej burrë i mirë vetëm ditën e varrimit.

Ky është tash konflikti. Në trajnimet për demokraci e sundim të ligjit politikanët e rinj, prokurorët e rinj, gjykatësit e rinj dhe gazetarët e rinj kanë mësuar nga instruktorët ndërkombëtarë se tashmë duhet pasur besim se drejtësia, ndonëse e ngadalshme, triumfon. Atë që trajnuesit nuk kanë treguar është se nuk ka drejtësi, as të ngadalshme, në shtet të kapur. Në shtet të kapur ka padrejtësi, dhe e vetmja formë për të vendosur drejtësinë është që të largohet sistemi i kapjes së shtetit.