Tokio 2020

Vlera e jashtëzakonshme e dy të artave olimpike

Ka përfunduar edhe dita e gjashtë e garave në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Në ditën e gjashtë Kosova nuk ka fituar medaljen për të cilën shpresonte. Në “Nippon Budokan”, arenën legjendare të xhudos, është paraqitur Loriana Kuka dhe ajo nuk ka arritur të shkojë gjurmëve të Distrisë e Norës. Ato tashmë mund të prezantohen vetëm me emër. Janë bërë aq të njohura, jo vetëm në Kosovë dhe te shqiptarët, por të paktën edhe tek i gjithë komuniteti i xhudos. Nuk mund të jetë ndryshe, në fakt. Distria (Krasniqi) e Nora (Gjakova) janë kampione olimpike. Pra, e kanë titullin më të madh në sport dhe një që e synojnë të gjithë sportistët. Distria është kampione në kategorinë deri në 48 kilogramë në xhudo. Nora në kategorinë deri në 57 kilogramë në sportin e njëjtë, sportin në të cilin Kosova i takon nivelit më të lartë.

Dhe falë xhudos, përkatësisht ekipit të vogël të xhudistëve të Driton Kukës, Kosova qëndron lart në listën e medaljeve. Me ekip të vogël prej 11 sportistëve, prej tyre gjashtë me normë, Kosova është në vendin e 16-të në ranglistë të vendeve më të suksesshme deri më tash në Tokio 2020. Para saj janë vende me sport të nivelit superior dhe me delegacione dukshëm më të mëdha në numër. Vende që investojnë shumë në sport dhe që medaljen olimpike e kanë prioritet. Udhëheqin Kina e Japonia që i kanë nga 15 medalje ari. SHBA-ja i ka 14 të ara, ekipi i Komitetit Olimpik të Rusisë dhe Australia nga tetë. Pasojnë Britania e Madhe me pesë, Koreja e Jugut me katër, Franca e Gjermania nga tri. Sa Kosova të arta kanë Italia, Holanda, Kanadaja, Hungaria, Sllovenia e Kroacia. Asnjë vend tjetër më shumë nuk ka të arta. Dhe janë të artat që vërtet vlejnë. Ato që bëjnë dallimin në ranglistë. Për shembull, Brazili i ka shtatë medalje gjithsej. Por, vetëm një të artë. Dhe qëndron nën Kosovën në ranglistë, në vend të 17-të. Zvicra i ka gjashtë të arta, por po ashtu një të artë dhe është në vendin e 18-të. Taipei Kinez, Çekia, Zelanda e Re, Gjeorgjia, Serbia, Austria, Hong-Kongu, Tunizia, Estonia, Irlanda, Uzbekistani, Bermude, Ekuadori, Fixhi, Irani, Letonia, Norvegjia, Filipinet, Sllovakia, Tajlanda kanë nga një medalje ari.

Shtete me sport shumë të zhvilluar, si Spanja, Belgjika, Danimarka, Bullgaria, Ukraina, Egjipti, Meksika, Turqia, Argjentina, Kuba, Finlanda, Izraeli, Portugalia e shumë e shumë të tjera, nuk kanë ende të arta. Dhe e ëndërrojnë pozitën që aktualisht e ka Kosova. E ëndërrojnë një të artë. E Kosova i ka dy.

Për shembull, Ukraina i ka katër të bronzta. Por, ato nuk mund të barazohen me një të artë. Lëre më me dy. Katër i ka edhe Serbia. Por, vetëm një të artë. Dhe e shikon Kosovën dukshëm më lart në ranglistë.

Lista natyrisht do të ndryshojë deri në fund të Olimpiadës. Kanë mbetur edhe shumë gara e shumë medalje për t’u ndarë. Por, ato kryesisht do të fitohen nga vendet që janë në listë para Kosovës. Ka pak gjasa që Kosova të fitojë medalje tjetër. Dhe rrjedhimisht rënia në ranglistë është e pritshme. Por, jo edhe shumë. Është e sigurt që të gjithë në vend do të ndihen krenarë kur Lojërat e Tokios të mbyllen dhe të shikojnë listën finale të medaljeve. Shumë krenarë janë tashmë në ekipin e Kosovës në xhudo. Ata që e bëjnë të mundur që të gjithë ne të jemi krenarë me ranglistën dhe suksesin. Dy medalje nga një ekip prej pesë xhudistëve vlerësohet sukses i jashtëzakonshëm. Këtu mund të shtohet edhe e arta që Majlinda e fitoi në Rio 2016. Majlinda në Tokio nuk ishte në ditën e saj dhe u ndal në luftën e parë. Njëjtë u ndal edhe Loriana Kuka të enjten në kategorinë deri në 78 kilogramë. Pati dëshpërim tek ajo e te trajneri Driton Kuka dhe kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, si dhe tek i gjithë ekipi. Ishte shpresuar që Loriana do të mund të sillte medalje tjetër për vendin. Por, dëshpërimi ishte momental. Kaloi shpejt. Bilanci i përgjithshëm e mundëson këtë.

“Ende po më duket si ëndërr e mirë që me pesë garues të fitojmë dy të arta. Medaljet janë të krejt ekipit me protagoniste Disin e Norën. Ashtu siç ishte medalja e artë e Majlindës. Ekipi jemi ne që stërvitim, gëzohemi e qajmë së bashku, në fitore e në humbje. Aty qëndron forca jonë e madhe. Dy olimpiada, tri medalje të arta. Me dhjetëra medalje evropiane e botërore. Këta jemi ne”, ka shkruar trajneri Kuka, pasi Loriana u ndal në raundin e dytë nga rusja Aleksandra Babintseva. Loriana, mbesa e trajnerit dhe të parit të Federatës, ka vendosur duart në fytyrë dhe është përkulur para pasi gjyqtari dha vlerësimin. Ka mbajtur kokën edhe gjatë largimit nga tatami, ndërsa është ulur në kënd të tij. Qartë se Lorian ka pritur rezultat bindshëm më të mirë. Njëjtë si trajneri i saj. Ajo ka pasur përkrahjen e zhurmshme nga tribuna prej të gjithë ekipit. Por, këtë herë nuk ka mjaftuar.

“Dy medalje të arta të fituara, me të vërtetë është mrekullia vetë. Prapa këtij suksesi janë një punë e gjatë, e mundimshme, shumë sakrifica dhe përkushtim jetësor”, ka thënë Agron Kuka, president i Federatës së Xhudos së Kosovës.