Luan Krasniqi mbahet mend kryesisht për karrierën në boksin profesionist. Por ai kishte bërë karrierë të madhe edhe në amatorizëm, duke përfaqësuar Gjermaninë.
Në prag të Lojërave Olimpike “Tokio 2020”, Krasniqi ka paraqitur pikëpamje të tij për ngjarjen më të madhe sportive, përmes profilit në “facebook”.
“Lojërat Olimpike janë ngjarja më e madhe sportive, nuk mund të krahasohen me asgjë. Dhe Lojërat kanë një vend të veçantë në jetën time”, ka shkruar Krasniqi.
Ish-boksieri i kategorisë së rëndë thotë se ka provuar shumë në profesionalizëm. Ka luftuar për titull të botës dhe ka boksuar para mijëra shikuesve.
“Por nuk kishte asgjë më të mirë se javët në Atlanta 1996. Ishte kohë e paharruar. Ishte gjë e madhe të jem atje, por pasi fitova medaljen e bronztë dhe zura vend në podium në ceremoninë e medaljeve, ishte prej ndjenjave më të mira që kam pasur ndonjëherë”, ka vazhduar junikasi Krasniqi, që vazhdon të jetojë në Gjermani.
Ai ka medalje të argjendtë botërore në vitin 1995, në Berlin, medalje të artë evropiane në vitin 1996 në Vejle dhe medalje të bronztë në Lojërat Olimpike “Atlanta 1996”.
Në rundin e parë kishte fituar 12:4 ndaj Ruslan Chagayevit të Uzbekistanit. Rusi Igor Kshinin humbi 10:2 nga Krasniqi, që në luftën e tretë e mposhti bjellorusin Serguei Dychkov me 10:5. Në gjysmëfinale, Krasniqi kishte pësuar nga legjenda kubane, Felix Savon. Ishte lënduar dhe nuk kishte mundur ta vazhdonte luftën.
Atmosferën në Lojëra Olimpike, Krasniqi e vlerëson të veçantë. Thotë se sportistët qëndrojnë së bashku në fshatin olimpik, ku janë superyjet e sportit, elita botërore, të gjithë sportistët e suksesshëm. Ai kishte njoftuar yllin e tenisit, Steffi Graf në kampin e Gjermanisë në Heidelberg. Krasniqi kishte takuar shumë sportistë, shumë personalitete në Atlanta. Për herë të parë e kishte takuar edhe më të madhin e boksit, Muhammad Ali.
“E mbaj mend saktësisht kur erdhi presidenti i SHBA-së, Bill Clinton. Nuk isha i interesuar, pasi në moshën 25-vjeçare thjesht kam dashur ta shikoj Alin”.
Por, Krasniqi për shkak të meçeve, nuk ka mundur t’i shijojë të gjitha ngjarjet sportive.
“Natyrisht do të shikoj Lojërat e Tokios në televizion, ndonëse boksi gjerman nuk është prioritet si 25 vjet më parë. Kjo nuk është aq e rëndësishme. Lojërat nuk kanë të bëjnë me sportin që e ushtroni apo me atë prej nga vini. Të jesh në Olimpiadë është thjesht gjëja më e madhe që mund të arrini. Natyrisht që jemi të dëshpëruar për rrethanat për shkak të pandemisë. Askush nuk dëshiron të garojë pa shikues. Por shpresoj se sportistët mund ta shijojnë”.
Krasniqi 50-vjeçar, vlerësohet prej emrave të mëdhenj të sportit shqiptar, ndonëse ka garuar për Gjermaninë. Ai vazhdon të ketë shumë tifozë për suksesin e arritur në kategorinë e rëndë të boksit profesionist. Në profesionalizëm kishte bilanc prej 30 fitore, katër humbje e një barazimi. Ka mbajtur titullin e Evropës dhe ka luftuar për titull të botës.