Tokio, 28 korrik - Duken si një trup i vetëm. Ecin me hapa të njëjtë deri te vendi prej nga duhet të kërcejnë. Koncentrohen, në dukje, në mënyrë të njëjtë. Hapin duart njëjtë. Shtyten. Nisen në momentin e njëjtë. Shkëputen lart dhe bëjnë rrotullime e kthime të ndryshme në ajër. Bien në ujë. Natyrisht gati njëjtë dhe në kohë sa më të përafërt. Ata që bëjnë lëvizjet më të bukura, më të vështira dhe në mënyrë sa më të njëjtë, në fund shpallen fitues. Të mërkurën ishin kinezët. Bëhet fjalë për garën e kërcimit të sinkronizuar në ujë nga trampolina në tri metra lartësi. Në finale ishin tetë ekipe që përbëhen nga dy garues: SHBA-ja, Komiteti Olimpik i Rusisë, Japonia, Meksika, Italia, Britania e Madhe, Kina e Gjermania.
Gara finale u mbajt të mërkurën në mesditë, në Aquatics Centre në Tokio, në kuadër të Lojërave Olimpike. Nisi afro dy orë pasi përfundoi pjesa e parë e garave të notit. Interesimi për garën e kërcimit në ujë ishte shumë më i vogël.
Kishte dukshëm më pak gazetarë e fotoreporterë dhe dukshëm më pak sportistë në tribuna. Ndonëse atraktive, garat e kërcimit në ujë për nga popullariteti janë inferiore në krahasim me garat e notit.
Derisa noti ka superyje botërore, kampionët në kërcim në ujë janë dukshëm më pak të njohur. Garuesit i bëjnë nga gjashtë ndryshime të ndryshme. Janë gjashtë raunde në të cilat garojnë të gjitha dyshet që prezantojnë vendet e tyre. Spikeri zyrtar paralajmëron kërcimin që e bëjnë garuesit, me terma profesionale dhe me “figurat” që janë të përfshira në kërcim. Më pas garuesit ngjiten në platformë, bëhen gati dhe ekzekutojnë kërcimin. Në palestër shumica e kuptojnë këtë sport. Dhe duartrokitjet janë më të mëdha kur ekzekutimi dhe sinkronimi janë në nivel më të lartë.
Dukshëm më të mëdha ishin për garuesit kinezë, që ishin të shkëlqyeshëm e të pagabueshëm. Vlerësimi bëhet në bazë të shkallës së vështirësisë. Është një vlerësim për mënyrën e ekzekutimit dhe vlerësimi tjetër për sinkronizimin në mes dy garuesve. Janë të paraparë edhe penalet. Pra është një sport individual, ndonëse në ujë kërcen i vetëm. Suksesi varet jo vetëm nga ti, por edhe partneri i ekipit. Nuk mjafton që vetëm të ekzekutohet mirë ushtrimi. Duhet që ai të jetë i sinkronizuar me garuesin tjetër. Dhe vetëm kështu arrihet suksesi. Vlerësimin e bëjnë gjashtë gjyqtarë.
Fillimisht japin notat për ekzekutimin e ushtrimit. Më pas për sinkronizimin. Nota maksimale është dhjetë, që shumë rrallë jepet. Kryesisht vlerësimi sillet rreth notës tetë. Por të mërkurën arriti edhe në dhjetë. Kinezët Wang Zongyuan dhe Xie Siyi morën tri dhjetëshe në kërcimin e raundit të dytë. Garën e përfunduan si kampionë, me 467.82 pikë. Iu afruan fare pranë rekordit olimpik prej 477 pikësh.
Pjesë e ekipit të Japonisë ishte Ken Terauchi që po merr pjesë në Olimpiadën e gjashtë. SHBA-ja doli e dyta me 444.36 pikë. Medaljen e bronztë e fituan gjermanët që mblodhën 400.14 pikë. Japonia ishte vetëm e pesta. Kjo disiplinë e kërcimeve në ujë u mbajt për herë të gjashtë në Lojërat Olimpike. Në kërcime në ujë (diving) garohet edhe nga platforma prej 10 metrave. Si nga 3 metra, ka garë individuale dhe të sinkronizuar.
Ndonëse e ndajnë të njëjtën arenë dhe kanë pishinat fare pranë, për nga popullariteti noti e kërcimet në ujë dallojnë shumë. Shumë mund të mendojnë se kërcimet janë garë më atraktive se noti. Është e kundërta sa i takon popullaritetit. Kërcimet në ujë mbesin nën hije të plotë të notit.