Dhimbja e kokës arriti pothuajse në shenjë. Shpejt pasi e lëshoi shigjetën e tij të fundit të mërkurën në Lojërat Olimpike të Tokios, një dhimbje e fortë e kokës e kaploi shigjetarin nga Holanda, Sjef van der Berg. Ndonjëherë, kjo dhimbje e kokës është e menaxhueshme, por në rastet ekstreme është aq e fortë, sa nuk mund të ngrihet nga shtrati. Atij i është thënë se kjo dhimbje vjen nga stresi i madh para garave. Kështu që për të lehtësuar dhimbjen e kokës, Van der Berg po provon një qasje tjetër – tërheqjen nga sporti. Dhe, atë në moshën 26-vjeçare.
“Unë po largohem nga ky sport i lehtësuar”, tha holandezi, karriera e të cilit përfundoi me humbje në raundin e dytë të garave të shigjetarisë në Tokio nga braziliani Marcus D’Almeida në konkurrencën individuale të meshkujve. “Në të njëjtin moment kur erdhi dhimbja e kokës pas gjuajtjes së fundit, gjithashtu ndjeva një barrë të rëndë mbi supet e mia”.
Dhimbjet e kokës te shigjetari holandez ka kohë që kanë filluar të shfaqen. Neurologu i tij shpjegoi se ai ka nerva të ndjeshme në kokën e tij dhe se dhimbja e tij është e papërballueshme. Madje, ai thotë se të tjerët mund ta quajnë si “dhimbje koke normale, por për Sjefin është e rëndë, pasi e bën kokën e tij të shpërthejë”.
Sezonin e kaluar, me më pak gara për shkak të pandemisë së koronavirusit, ai vuri re më pak dhimbje koke.
“Dhimbja nuk ndihmoi vërtet në marrjen e vendimit. Unë e mora vendimin paraprakisht dhe jam i bindur se është i duhuri”, insistoi Va nder Berg.
Gjatë karrierës së tij, ai i është afruar medaljes olimpike disa herë - dy herë duke përfunduar në vendin e katërt. Hera e parë ishte në LO “Rio 2016” kur ai humbi në duelin për medaljen e bronztë nga Brady Ellison i Shteteve të Bashkuara. Por e hëna ishte veçanërisht e dhimbshme. Ai dhe shokët e tij të skuadrës holandeze u mposhtën nga Japonia në një goditje gjatë garës ekipore të meshkujve. Hiroki Muto gati sa nuk e goditi qendrën e shenjës në shigjetën e fundit për të siguruar medaljen e bronztë për ekipin e tij.
“Ne ishim kaq shumë afër” , tha van den Berg. "Unë me të vërtetë kam dhënë gjithçka në atë ndeshje ekipore. Ishte një përvojë shumë emocionale me ekipin”.
Të mërkurën, ishte amerikani Ellison ai që u përpoq të fliste me Van den Berg për ta bindur që mos të pensionohej nga sporti. Por më pas Van den Berg i shpjegoi për dhimbjet e padurueshme të kokës.
“Nëse i duhej ta bënte për shëndetin e tij, atëherë nuk kishte opsion tjetër”, tha Ellison, i cili fitoi të dyja ndeshjet e tij me rezultatin 6:0 të mërkurën për të avancuar më tej. “Jam prekur me vendimin e tij për t’u larguar nga sporti, sepse ai është një sportist i nivelit të lartë dhe do të më marr malli për të në fushë”.
Një ditë, van den Berg do të gjuajë me shigjetë përsëri, por vetëm për argëtim. Mirëpo, tani jo. Plani i tij është ta largojë harkun derisa dëshira ta godasë. U deshën tre muaj pas Rio që ai të gjuante përsëri. Kjo mund t’i zgjasë më shumë.
“Unë thjesht dua të bëj një hap prapa”, tha ai.
Kështu që ai do të kthehet përsëri në punën e tij të përditshme - duke punuar në një dyqan harqesh në Holandë.
“Njerëzit më pyesin pse qëndroj në hark nëse kam mbaruar me gjuajtje, por nuk kam përfunduar me sportin”, tha Van den Berg. “Unë ende vërtet, vërtet kënaqem duke u dhënë harqe njerëzve dhe duke parë buzëqeshjen në fytyrën e tyre. Kjo është me të vërtetë shpërblyese”.
Momenti i tij përfundimtar që holandezi vendosi të largohej përfundimisht nga sporti erdhi kur e lëshoi shigjetën e fundit. Ai tha se as ilaçi që e mori nuk pati efekt, kështu që vendosi t’i jepte fund karrierës në Olimpiadë.
“Po kthehesha në fushë për të mbledhur gjërat e mia, kur dhimbja e kokës me goditi. Ishte shumë e fortë, sikur donte të më hiqte kokën. As ilaçi nuk funksionoi. Dhe, aty e kuptova se ishte koha për të konfirmuar vendimin më të vështirë në karrierë”, u shpreh ai.