Tokio 2020

Flamuri i Afganistanit do të shfaqet në ceremoninë e Lojërave Paralimpike

Flamuri i Afganistanit do të shfaqet në ceremoninë hapëse të Lojërave Paralimpike të martën, ndonëse sportistët e këtij vendi nuk ishin në gjendje të shkonin në Tokio për të garuar. Andrew Parsons, presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Paralimpik (IPC), tha të hënën se ky veprim do të bëhet si një “shenjë solidariteti”.

Parsons tha se një përfaqësues i Zyrës së OKB -së, Komisioneri i Lartë për Refugjatët do ta mbajë flamurin e Afganistanit në stadiumin kombëtar të Tokios gjatë ceremonisë së hapjes. Është stadiumi i njëjtë, në të cilin u mbajt edhe ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike të Tokios, më 23 korrik.

Dy sportistë nga nga Afganistani nuk ishin në gjendje të arrinin në Tokio për Lojërat Paralimpike, pasi talebanët morën kontrollin e vendit para më shumë se një javë. Ata janë, Zakia Khudadadi (taekwondo) dhe Hossain Rasouli (hedhje të diskut). Parsons tha se 162 delegacione do të përfaqësohen në Tokio, që përfshin edhe sportistët refugjatë. IPC-ja, ka thënë se rreth 4400 sportistë do të garojnë në Lojërat Paralimpike, ndonëse numri i saktë i tyre do të publikohet të martën. Lojërat Paralimpike, do të mbyllen më 5 shtator.