Tokio 2020

Pse Shqipërisë i mungon ende medalja olimpike?

Descriptive Text

Distria Krasniqi, Nora Gjakova e Driton Kuka të hënën në mesditë janë vlerësuar me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Me të drejtë.

Distria e Nora, nxënëset e trajnerit Kuka, në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” kanë përfaqësuar Kosovën zyrtarisht, por në të njëjtën kohë ishin përfaqësueset e gjithë shqiptarëve. Pra, në një mënyrë edhe të Shqipërisë. Dhe rrjedhimisht, presidenti Meta i ka nderuar me Dekoratën e Lartë menjëherë pas përfundimit të Lojërave të Tokios.

Pasditen e së hënës, dy xhudistet dhe trajnerin Kuka i ka pritur edhe Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë.

Meta e Rama duhet të presin të paktën edhe tre vjet për të nderuar e për të takuar sportistë që përfaqësojnë Shqipërinë e që zënë vend në podium në ngjarjen më të madhe sportive – Lojërat Olimpike.

Derisa Kosova i ka tri medalje të arta – të gjitha nga xhudoja dhe nga nxënësit e Kukës – Shqipëria është ende në pritje të medaljes së parë olimpike. Në Tokio 2020 i është afruar më së shumti. Ishte peshëngritësi Briken Calja që u rendit i katërti në kategorinë deri 73 kilogramë. Ai për një kilogram mbeti pa medalje të bronztë.

Por, Lojërat e Tokios u mbyllën dhe Shqipëria vazhdon të jetë pa medalje olimpike. Së bashku me Bosnjë-Hercegovinën janë të vetmet vende evropiane, pa llogaritur ato fare të vogla, që nuk kanë fituar medalje olimpike.

Sa ishte afër Calja, aq është larg Shqipëria me medaljen e parë olimpike. Ka shumë faktorë për këtë. Një version të tij e jep peshëngritësi Calja, i katërti në Tokio 2020.

“Duhet një grup i mirëfilltë. Duhet të shikojmë jo më larg se Kosova. Kanë bërë një staf të mrekullueshëm dhe kjo varet nga shteti, nga përkrahja. Të mos harrojmë që buxheti i Shqipërisë (për sportin) është rreth një milion dollarë, ndërsa në Kosovë është 12 milionë euro. Është ndryshim shumë i madh. Duhet përkrahje shumë e madhe që të vijë medalja olimpike”, ka thënë Briken Calja për KOHËN.

Mungesa e përkrahjes së mjaftueshme nga shteti është prej arsyeve kryesore. Dhe ky arsyetim përdoret thuajse pas çdo Olimpiade, ndonëse falënderimet për përkrahje këtë herë nuk kanë munguar. Qasja e Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë vlerësohet arsye tjetër.

“Me rëndësi pjesëmarrja”, i tha KOHËS një zyrtar i lartë i KOKSH, para garës së Caljës në Tokio. Kjo dëshmon se në KOKSH nuk janë shumë të vendosur për medalje dhe shpesh mjaftohen edhe me pjesëmarrje. Natyrisht mungon edhe presioni i brendshëm për më shumë sukses, ndërkohë që shumica e parave në sport investohen në futboll.

Vazhdimisht ka pasur ankesa për punën e KOKSH-it, ndërsa nuk mungojnë përplasjet e drejtuesve sportivë. Kjo shpesh ka larguar fokusin nga gjëja më e rëndësishme – sportisti dhe paraqitja e tij në arenën e madhe.

Shqipërisë ende i mungon një trajner i përkushtuar si Driton Kuka dhe një grup sportistësh që janë të vendosur për të përballur kërkesat e tij. Të tilla janë xhudistet dhe xhudistët e mbledhur në klubin Ippon në Pejë.

Ky në fakt edhe është dallimi mes Kosovës e Shqipërisë. Pa xhudon dhe ekipin e Kukës, Kosova e Shqipëria janë thuajse në nivel të njëjtë sa i takon prezantimit olimpik. Madje Shqipëria qëndron më mirë, falë vendit të katërt të Caljes.

Shqipëria është dëshmia më e mirë se përvoja nuk mjafton. Ajo ka debutuar në Lojëra Olimpike në vitin 1972. Është kthyer në skenën olimpike në vitin 1992 dhe prej atëherë paraqitet rregullisht. Zakonisht dërgon një ekip që sillet në rreth dhjetë sportistë, pak me normë e shumica me ftesë. Në Tokio me normë ishin vetëm Calja dhe atletja Luiza Gega që arriti deri në finale. Por, medaljes nuk iu afrua dot.

Gega, që arriti sukses me kualifikim në finale, u rendit e 13-ta në vrapim 3000 metra me pengesa. Izmir Smajlaj nuk avancoi në kërcim së gjati, njëjtë si rusi i natyralizuar Matvei Petrov në gjimnastikë. Xhudisti që kishte mësuar sportin në Pejë, Indrit Cullhaj u ndal në luftën e parë, ndërsa qitësja Manuela Delilaj nuk avancoi në dy disiplina. Notarët e Shqipërisë, njëjtë si ata të Kosovës, evidentohen vetëm si pjesëmarrës.

Tradicionalisht suksesin më të madh Shqipëria e ka në peshëngritje, ku fiton medalje evropiane. Por jo edhe medalje olimpike. Erkand Qerimaj u rendit i nënti këtë herë.

Ndonëse në peshëngritje vlerësohet se ka bazë për sukses, Shqipërisë ende i mungon organizimi dhe një trajner insistues që e ka Kosova. Ka edhe gjëra jo shumë të zakonshme që largojnë Shqipërinë me medaljen olimpike. Për shembull, me pajtueshmërinë e Caljës, në Tokio me të nuk ishte trajneri personal, por kryetari i Federatës. Ka pasur shumë kritika për këtë, ndërsa në përgjithësi nuk është bërë ndonjë presion që Shqipëria mbylli edhe një Olimpiadë pa medalje.

Vlerësohet dëshmi se as që është pritur ajo, ndonëse Calja iu afrua. Pa një ndryshim rrënjësor, gjasat janë të mëdha që edhe n Paris në vitin 2024, Shqipëria të mbetet pa medalje.

Por presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë do të kenë kë ta takojnë e kë të nderojnë. Xhudistët kosovarë me shumë gjasa do të zënë vend në podium edhe në “Parisi 2024”. Sistemi i punës jep shpresë për këtë.

Dhe xhudistët pos Kosovës, do të përfaqësojnë gjithë shqiptarët.