Tokio 2020

Rama takon kampionet olimpike të Kosovës: Uroj t’i vizitoj në Pejë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka takuar sot xhudistet kosovare Nora Gjakova e Distria Krasniqi, të cilat fituan medalje të arta në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Rama ka njoftuar për takimin në një postim në Facebook, ndërsa ka thënë se shpreson së shpejti t’i vizitojë ato në Pejë.

“Me respekt krejt të posaçëm për forcën e jashtëzakonshme të shembullit që na japin, uroj t'i vizitoj së shpejti në Pejë për të mësuar prej eksperiencës fantastike të shkollës së tyre të kampionëve”, shkruan Rama.

Për takimin ka njoftuar edhe trajneri i Kosovës në xhudo Driton Kuka.

“Ditën e përfunduam në takim me Kryeministrin Shqiptar! Kënaqësi e veçantë! Kryeministri Rama do jetë afër sportit dhe sportistëve Shqiptar kudo që janë!

Ndryshe, me anë të një ceremonie solemne, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi sot me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, si dhe trajnerin e tyre, Driton (Toni) Kuka.

Kosova rrëmbeu dy medalje të arta në Lojërat Olimpike dhe u rendit e 42-ta në renditjen totale bazuar në trofetë e fituara nga të gjitha shtete pjesëmarrëse.