Tokio 2020

Volejbollistet amerikane fitojnë të artën e parë olimpike

Përfaqësuesja e SHBA-së në volejboll në konkurrencë të femrave ka fituar për herë të parë një të artë olimpike.

SHBA-ja në finale të “Tokio 2020” triumfoi me 3:0 në sete ndaj Brazilit. Setin e parë amerikanet e fituan 25:21 pas 27 minutave lojë. Ndërsa dominuan edhe në dy setet tjera, duke i fituar me rezultat 25:20 dhe 25:14.

Ekipi i SHBA-së në volejboll të femrave kishte fituar tri të argjendta olimpike e dy të bronzta, por është kjo e arta e parë olimpike.

Brazilianet u desh të kënaqen me medaljen e argjendtë nga “Tokio 2020”. Medalja e bronztë i takoi Serbisë. Volejbollistet serbe në ndeshjen për të bronztën triumfuan ndaj atyre të Koresë së Jugut me 3:0 në sete.