Tokio 2020

Nëna maratoniste që kërkon suksesin në Tokio

Descriptive Text

Ndonjëherë stërvitjet e saj në një makinë stërvitore ndërpriteshin kur Zoe fillonte të qante. “Hapat e bebes” ia kujtonte vetes maratonistja amerikane Aliphine Tuliamuk.

Ndonjëherë ajo qëndronte deri vonë kur Zoe ishte e shqetësuar, edhe pse kishte një vrapim herët në mëngjes. Megjithatë, Tuliamuk vazhdimisht thoshte me vete fjalën “hapat e bebes”.

Duke i marrë ngadalë dhe në mënyrë të qëndrueshme këshillat nga nënat e tjera që vrapojnë në distanca të gjata, Tuliamuk vazhdoi rrugën e saj pas lindjes që e kishte në janar. Shtatë muaj pasi u bë nënë, Tuliamuk të shtunën do të jetë në vijën startuese për garën e maratonës (vrapim në 42 kilometra) në Lojërat Olimpike të Tokios, që mbahet në Sapporo.

Atletes iu lejua që në Tokio të ketë me vete një nxitëse – foshnjën e saj Zoe Cherotich Gannon, e cila ka udhëtuar me vizë, pasi organizatorët e Lojërave kanë lejuar nënat që ushqejnë me gji të marrin foshnjat e tyre në Olimpiadë.

“Ajo fjalë ka funksionuar për mua në mënyrë perfekte”, thotë Tuliamuk për “hapat e bebes”.

Plani fillestar ishte krijimi i një familjeje pas Olimpiadës në Tokio në vitin 2020. Por kur Lojërat Verore u shtynë nga pandemia, 32-vjeçarja Tuliamuk dhe i fejuari i saj, Tim Gannon, vendosën të mos prisnin më. Ajo kishte një vend në ekip falë fitores në garën e maratonës në SHBA më 29 shkurt të vitit 2020, vetëm disa ditë para se koronavirusi të mbyllte gjërat.

Tuliamuk e di se sa me fat ishte të kthehej në një kohë kaq të shkurtër. Gjithçka shkoi sipas planit me shtatzëninë dhe lindjen më 13 janar. Rimëkëmbja gjithashtu.

“Unë shikoj prapa tani dhe e kuptoj se sa naive kam qenë”, tha Tuliamuk. “Isha shumë naive të mendoja se do të mbetesha shtatzënë menjëherë, do të mund të kaloja shtatzëninë time, pastaj do të isha në gjendje të kthehesha vërtet shpejt. Këto janë gjëra që nuk i dija, por gjithashtu pata shumë fat”.

Pas lindjes së vajzës së saj, ajo nuk filloi të vraponte deri rreth tetë javë më vonë. Kjo ishte me këshillën e mjekut të saj, fizioterapeutit të saj dhe duke marrë frymëzim nga vrapueset nëna, si Kara Goucher dhe Alysia Montano.

Tuliamuk u bë krijuese me stërvitjet e saj, duke e vendosur Zoen pranë saj ndërsa futej në makinë për të vrapuar pak para se të ndalonte për ta ushqyer. Ky ishte edhe fillimi i rikthimit të saj.

“Kur ajo flinte, unë e vendosja në shtrat dhe kthehesha dhe përfundoja një stërvitje - edhe nëse isha vërtet e lodhur dhe nuk më pëlqente të stërvitem më”, tha Tuliamuk, e cila e ndan kohën e saj mes qyteteve Santa Fe , New Mexico dhe Flagstaff në Arizona. “Natën zgjohesha për të vrapuar dhe ndihesha si një mumie. Isha tejet e lodhur, por më duhej t’i përfundoja stërvitjet që i kisha nisur ditën”.

Gara e saj e parë dhe kthimi ishte më 4 korrik në Atlanta. Në dhjetë mijë metra ajo doli e gjashta, duke përfunduar me kohë prej 32 minutash e 41 sekondash.

Rezultati konfirmoi diçka që ajo e dinte - ishte në rrugën e duhur. Sepse ajo kohë ishte në të vërtetë më e shpejtë për rreth tetë sekonda sesa koha e saj fituese në vitin 2017.

“Deri tani shumë mirë kanë shkuar gjërat”, tha Tuliamuk, që është pjesë e një familjeje me 32 vëllezër e motra, të gjithë nga një baba.

“Është më e vështirë se zakonisht, por unë nuk jam e lënduar, kështu që kjo është një gjë e mirë. Thjesht kam ndjenjën se po kthehem në formën time”.

Tuliamuk bëri seancën e saj të fundit përgatitore disa javë më parë – në 42 kilometra.

“Unë nuk e di se çfarë do të thotë kjo për garën time, por jam shumë optimiste”, insistoi ajo.

Kjo sigurisht e ngriti shpirtin e saj: Zoe kohët e fundit mori vizën e saj për të udhëtuar në Japoni, ku maratonat olimpike do të mbahen në Sapporo për shkak të shqetësimeve të nxehtësisë në Tokio.

Në fund të qershorit, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar njoftoi se nënat lejoheshin të sillnin foshnjat e tyre në Tokio.

“Çfarë lehtësimi është të mos e imagjinoj vajzën time që ushqehet me gji dhe të jetë kilometra larg meje”, pranoi Tuliamuk. “Duhet falënderuar IOC-në dhe Japoninë që siguruan që nënat të mos zgjedhin mes karrierës së tyre dhe foshnjave”.

E lindur në Keni, Tuliamuk vraponte rreth tetë kilometra në ditë në fshatin e saj të largët. Në shkollën fillore ajo filloi ta merrte seriozisht vrapimin. Talenti i saj ishte i dukshëm, duke fituar gara edhe nëse nuk kishte këpucë vrapimi. Në një rast ajo takoi maratonisten keniane Tegla Loroupe, e cila rastësisht po mbante një fjalim në shkollën e Tuliamukut dhe vërejti talentin e saj. Ajo i dha Tuliamukut një palë këpucë garash. Tuliamuk nuk i mbathte aq shpesh – ishin shumë të bukura dhe frikësohej se mund t’i dëmtonte.

Ajo u rekrutua për të kandiduar në Iowa State para se të transferohej në Wichita State, ku vendosi rekorde të shumta shkollore. Një nga momentet e saj më krenare ishte në prill të vitit 2016, kur u bë qytetare amerikane.

“Himni kombëtar u këndua dhe mbaj mend që fillova të qaja”, kujton ajo.

Ajo shpreson ta dëgjojë përsëri himnin amerikan, por në Sapporo.

“Nëse do të ndodhte kjo, do të ishte pika kryesore e gjithë karrierës sime deri më tani", tha Tuliamuk. “Do të thoshte e gjithë bota për mua”.