Në ditët më të errëta të pandemisë, Evita Griskenas ishte e zënë duke praktikuar në bodrumin e shtëpisë së prindërve të saj në Illinois. Ajo thyente herë pas here llamba, ndërsa hidhte shkopinj e rrathë në ajër dhe rrotullohej për t'i kapur ata më pas.
Në një moment filloi një këngë që ajo nuk e kishte dëgjuar kurrë. Griskenas, një gjimnaste ritmike, nuk dëgjon aq shumë muzikë sa e sheh atë - meloditë bëhen rrathë që rrotullohen nëpër dysheme; rrahjet e daulleve kërcejnë si topa. Kjo këngë ndihej e egër, si shiritat që fshikullonin në erë.
Shpesh zhanri i harruar i gjimnastikës olimpike, sporti i saj, është si të kombinosh gjimnastikën artistike të praktikuar nga superyjet si Simone Biles dhe Sunisa Lee, me balet dhe një cirk. Gjimnastët vallëzojnë ndërsa hedhin dhe kapin sende - rrathë, topa, shirita, një palë shkopinj - duke u përkulur dhe duke u rrotulluar mbi një qilim aq shpejt saqë shpesh është e pamundur që syri i patrajnuar të kuptojë ndërlikimin e këtij sporti olimpik.
Në bodrumin e shtëpisë së prindërve të saj, Griskenas vallëzoi me këtë këngë të çuditshme dhe insiston se është gati për Lojërat Olimpike.
“Kjo është një këngë me cilësi olimpike”, thotë ajo. “Unë tashmë po e imagjinoj veten në finalen e Olimpiadës me këtë këngë”.
Kur mendon për atë moment, Griskenas emocionohet, sepse së shpejti gjithçka do të bëhet e vërtetë. Griskenas është pjesë e ekipit të parë të plotë të gjimnastikës ritmike që SHBA-ja e ka dërguar ndonjëherë në Olimpiadë. Ajo është një nga dy interpretueset individuale që janë kualifikuar për të garuar këtë fundjavë.
Në këtë sport të dominuar që nga fillimi i tij nga Rusia, gjimnastet ritmike të SHBA-së shpresojnë se prania e tyre në Tokio mund të shënojë një pikë kthese për sportin në shtëpi, ku ato shpesh konsiderohen si rrotulluese të shiritave dhe nxitëse tifozësh.
“Ne jemi këtu duke bërë histori”, tha Lili Mizuno, një anëtare e ekipit të pesë vajzave.
Rrotullimi i shiritit të satenit - gati 20 metra i gjatë - kërkon mbajtjen e kyçeve në lëvizje të vazhdueshme, për shembull. Ato rrotullojnë topat dhe rrathët rreth trupave të tyre. Ato i lëshojnë gjërat në ajër dhe pastaj bëjnë akrobacione në anën e kundërt të dyshemesë së gjatë 40 metra për t'i kapur ato në momentin e saktë kur bien.
Zbritjet e pikëve bëhen për një hedhje të humbur, një fjongo të pabindur, apo një kapje të humbur. Mendohet se është lehtë, por për ta bërë ushtrimin në perfeksion, ato stërviten çdo ditë për muaj të tërë.
“Ndihemi sikur meritojmë më shumë vëmendje sesa marrim”, tha Camilla Feeley, një anëtare tjetër e ekipit amerikan. “Njerëzit në SHBA thjesht nuk e kuptojnë se çfarë është ky sport”.
Feeley e quan veten mbajtësja e rrathëve, sepse i pëlqen të mbajë të gjashtë rrathët edhe kur udhëton. Ndërsa amerikanet u nisën për në Tokio, tha ajo, një stjuardesë u përpoq ta ndalonte atë të futej në aeroplan me gjashtë rrathët që i mbante.
“I thashë asaj se ne po shkojmë në Olimpiadë dhe unë kam nevojë për rrathët e mi gjatë gjithë kohës”, kujton Feeley.
Ajo mendon edhe për këpucët që i sheh si fëmijët e saj dhe ndihet e paplotësuar pa peshën e tyre në dorën e saj. Kështu që gjimnastja amerikane insiston që edhe ato t’i mbajë me vete vazhdimisht.
“Ata janë thjesht të hutuar. Jam i sigurt se jo çdo ditë ata kanë gjimnaste ritmike që hipin në aeroplanin e tyre”, pranoi Feeley.
Shumica e pajisjeve të tyre duhet të porositen nga jashtë. Këpucët e tyre - të veçanta për gjimnastikën ritmike, sepse gishtërinjtë e këmbëve janë të mbuluar, por thembra është zhveshur - kushtojnë rreth 30 dollarë një palë dhe ato mund të mbahen më së shumti për dy javë. Ndonjëherë për të shmangur blerjen e këpucëve të reja, i ngjisin me shirit mjekësor.
Homologet e tyre në vendet e tjera shpesh tronditen kur mësojnë se ato nuk paguhen. Ato marrin mbështetje, por askund afër mbulimit të kostos së trajnimit, udhëtimit dhe pajisjeve.
“As mos fillo të më kërkosh të flas për tutat”, tha Mizuno.
Ato janë bërë kryesisht nga rrobaqepësit në Rusi, ku gjimnastika ritmike është një sport jashtëzakonisht i popullarizuar. Ato janë aq të mbuluara me kristale sa mund të peshojnë deri në 4.5 kilogramë dhe kushtojnë mijëra dollarë. Familjet e gjimnasteve kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme që ato të ndjekin këtë sport.
Prindërit dhe dy vëllezërit e Mizunos u transferuan me të nga Kalifornia në Illinois në mënyrë që ajo të mund të stërvitej në palestrën më të mirë në vend. Ndonjëherë ata nuk mund të përballonin koston dhe nëna e saj kalonte muaj duke qepur këpucë, në mënyrë që të mos i blinin nga Rusia. Nëna e Feeleyt gjithashtu u transferua me të në Illinois nga Marylandi, kështu që ajo mund të stërvitej në të njëjtën palestër. Gjimnastet ritmike amerikane shpesh shkojnë për të mësuar në Rusi, ku sporti ka një infrastrukturë që mungon në SHBA.
“Në SHBA ne gradualisht po e ndërtojmë atë”, tha veterania Laura Zeng, e cila konkurroi në Lojërat e vitit 2016 dhe po kthehet në Tokio. “Por kërkon kohë dhe para, kështu që ne shkojmë në Rusi për t'u trajnuar, për të mësuar prej tyre”.
Ajo ishte në Rusi pranverën e kaluar, gati për të shkuar në palestër, kur njoftuan se SHBA-ja po mbyllte kufirin e saj për shkak të pandemisë COVID-19, dhe asaj iu desh të gjente një fluturim dhe të kthehej në shtëpi menjëherë.
“Të gjithë ishin në majë të gishtërinjve, pa e ditur se çfarë do të ndodhte më pas”, tha ajo.
Për tre muaj ato nuk mund të shkonin në palestër. Ato u përpoqën të stërviteshin përmes aplikacionit “Zoom” në bodrumet dhe dhomat e tyre të jetesës. Mirëpo ishte shumë vështirë pasi thyenin shumë gjësende shkaku i rrotullimeve dhe gjërave të tjera të stërvitjes.
Por gjimnastet ritmike janë mësuar të jenë të përshtatshme, tha Zeng. Për shembull ato duhet të marrin parasysh fuqinë e kondicionerëve të arenës në rutinat e tyre, sepse një sistem që fryn fort mund të prishë valën e shiritave të tyre. Sporti i tyre është emocional po ashtu.
“Në Tokio e kemi rastin për të dëshmuar veten, është ndjenjë fantastike të jesh olimpiste”, theksoi Zheng. “Është pothuajse mrekulli për neve që jemi në Tokio, mezi u kualifikuam”.
Megjithëse ruset mbeten në dukje të pamposhtura dhe derisa SHBA-ja të investojë më shumë në sportin e tyre, amerikanet nuk kanë gjasa të arrijnë në podium, gjë që e pranojnë. Por ato janë të vendosura të shfrytëzojnë Olimpiadën sa më shumë për të rritur interesin për gjimnastikën ritmike, në mënyrë që të tërheqin audiencë në vendin e tyre. Ato ëndërrojnë për një ditë kur gjimnastika ritmike të jetë mjaft e njohur në SHBA, kur njerëzit në aeroplanë nuk do t’i ngatërrojnë.
“SHBA-ja më në fund ka filluar të futet në rrugën tonë”, tha Griskenas dhe qeshi. “Ne jemi në Tokio dhe jemi të vendosura për ta popullarizuar këtë sport në vendin tonë. Për podium as që bëhet fjalë”.