Tokio 2020

Kinezja 14-vjeçare arrin perfeksionin, fiton bindshëm garën e kërcimit në ujë

Përsosmëria ekziston në Lojërat Olimpike të Tokios. Ajo është shfaqur gjatë raundit final në kërcimet në ujë nga platforma 10 metra. Ishte kinezja Quan Hongchan që ka bërë dy kërcime që siguruan notën maksimale dhjetë, nga të gjithë shtatë gjyqtarët.

Quan ka mbushur 14 vjet në mars dhe është sportistja më e re që përfaqëson Kinën në Lojërat e Tokios. Por ajo është dukur si garuese me shumë përvojë gjatë kohës sa ka qëndruar në platformë e deri kur ka hyrë në ujë thuajse pa spërkatje fare. Në garën e parë të madhe ndërkombëtare, Quan ka arritur 466.20 pikë për të fshirë rekordin e kaluar olimpik prej 447.70 pikë dhe për të fituar të artën e parë në mënyrë impresive. Kampionia e radhës nga Kina në kërcimet në ujë ka nisur sportin për ta përkrahur nënën e saj që ka një sëmundje që kërkon trajtim gjatë tërë vitit.

Kërcimi i parë i përsosur i Quan erdhi në raundin e dytë. Një ekzekutim që mori po ashtu vlerësimin maksimal të gjyqtarëve e bëri në raundin e katërt. Në kërcimin e raundit të pestë vetëm një gjyqtar dha vlerësimin 9.5, ndërsa gjashtë të tjerë vlerësuan me dhjetë. Të pesë kërcimet e kinezes ishin në vend të parë. Konkurrentja më e afërt mbeti mbi 40 pikë larg rezultatit të përgjithshëm të fenomenit kinez.

Chen Yuxi fitoi të argjendtën për Kinën, duke dërguar numrin e medaljeve të Kinës në kërcime në ujë në dhjetë gjithsej. Australiania Melissa Wu ka fituar medaljen e parë individuale në Olimpiadën e katërt, duke fituar të bronztën. Rezultati i kinezes Chen ishte 425.40 pikë, ndërsa i australianes Wu ishte 371.40 pikë. Quan kishte fituar titullin nacional në vitin 2020 me vetëm 13 vjet.

Ajo pritet të jetë njëra prej yjeve të kësaj Olimpiade falë paraqitjes që kishte të enjten.