Tokio 2020

Amerikania Athing Mu e para në 800 metra vrapim

Vrapuesja e SHBA-së, Athingu Mu, ka fituar garën në vrapim 800 metra në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Madje këtë e bërë në mënyrë impresive, duke vendosur rekord shtetëror prej 1:55.21 minuta.

19-vjeçarka ishte klasë më vete, duke u shkëputur dhe duke arritur kohën më të shpejtë të vitit, të martën në Stadiumin Nacional në Tokio. 19-vjeçarja tjetër, Keely Hodgkinson e Britanisë së Madhe, kishte po ashtu vrapim brilant për ta fituar të argjendtën. Ajo vendosi rekord britanik me 1:55.88 minuta.

Amerikania tjetër, Raevyn Rogers fitoi të bronztën me kohë 1:56.81 minuta. Ajo ishte e pandalshme në 50 metrat e fundit, që edhe ia siguruan bronzin. Por dita i takon atletes Mu, të ardhmes së sportit që ndihet komode në 400 dhe 800 metra vrapim. Ajo e fitoi të artën olimpike me paraqitje të nivelit të lartë. Ajo ishte favorite pasi doli e para në kualifikimet amerikane.

Me vetëm 16 vjet atletja vendosi rekordin amerikan në palestër në 600 metra, duke mbetur vetëm 0.13 sekonda prapa rekordit botëror. Prej atëherë ajo ka thyer rekord pas rekordi nga 400 deri në 800 metra vrapim. Këtë edicion ajo ka vendosur gjashtë rekorde të kolegjeve, duke përfshirë ato në palestër në 600 metra, 800 metra, 4x400 metra pastaj në 400 metra vrapim në stadium, 800 metra dhe në stafetë 4x400 metra. Tani ajo ka edhe medaljen më të madhe të mundshme, të artën olimpike.

Edhe britanikja Hodgkinson është e njohur për rekorde. Ajo ishte bërë femra më e shpejtë në 800 metra në palestër nën moshën 20-vjet, duke vrapuar për 1:59.03 minuta në janar në Vjenë. Shtatë muaj më vonë koha e saj është 1:56 minuta. Madje përmirësimin e ka bërë në finale olimpike, për të zënë vend në nivelin e dytë të podiumit.

“Është e mahnitshme. Ndiej se sapo kam arritur një prej synimeve”, ka thënë 19-vjeçarja Mu. “Unë vetëm kam dashur të jem medaliste. Nuk kam llogaritur shumë në të artën, por kur është afruar finalja kam thënë se po, e dua të artën. Është e arritur që e kisha në listë. Jam thjeshtë e lumtur, e bekuar dhe e entuziazmuar të jem këtu sot dhe të shijoj këtë përvojë. Isha e qetë para garës. Nuk isha shumë e ngarkuar. E kam dashur medaljen e artë dhe kam thënë se thjeshtë do të jap çdo gjë që duhet për ta siguruar atë. Çdo gjë që duhej. Kam menduar vetëm për atë se si do të shkoj gara. E kam ditur se jam e gatshme. Isha e relaksuar, kisha besim dhe thjeshtë kam dashur që këtë ndjenjë ta kem në fillim të vrapimit”, ka shtuar atletja amerikane.

Hodgkinson, që ka thyer rekordin britanik të Kelly Holmes në rrugën drejt të argjendtës, ishte tejet e disponuar pas paraqitjes në Tokio.

“Ishte garë shumë e bukur prej të gjithë pjesëmarrësve. Ishte shumë e hapur dhe kam dashur të lë çdo gjë në shteg. Do të duhet të kalojnë disa ditë për të kuptuar se çka kam arritur. Jam pa fjalë për momentin. Kelly Holmes është legjendë. Ajo do të jetë legjendë e atletikës britanike për kohë të gjatë. Unë jam inspiruar prej saj. Kam folur me të në ditët e kaluara dhe ajo është person i dashur. Nuk kam fjalë për këtë”, ka thënë Hodgkinson.