Tokio 2020

Pas çështjes së nxehtësisë, tenisi kërkon më shumë ditë në Olimpiadën e ardhshme

Descriptive Text

Një lojtare u nxor me karrocë, ndërsa një lojtar tha se mund të “vdiste” dhe gati sa nuk e dorëzoi meçin. Nxehtësia dhe lagështia ekstreme ishin çështjet kryesore gjatë turneut olimpik të tenisit në Lojërat Olimpike të Tokios, dhe organi drejtues i sportit tha të dielën se i duhen më shumë ditë të garave në Olimpiadën e ardhshme për të siguruar pushim dhe kujdes më të mirë për lojtarët e tij. Qëllimi është një orar i zgjatur i turneut me dy ditë më shumë për Olimpiadën e ardhshme që mbahet në Paris pas tre vjetëve, ku tenisi do të garojë në fushat e shenjta të argjilës së kuqe të “Roland Garrosit” - shtëpia e “French Openit”.

“Ajo që na duhet vërtet është 11 ditë dhe më shumë pushim për lojtarët”, tha David Haggerty, president i Federatës Ndërkombëtare të Tenisit (ITF).

“Ne duhet të flasim me palët e interesuara dhe të kemi më shumë ditë në dispozicion për turneun tonë”.

Temperatura arriti vazhdimisht mbi 32 gradë celsius dhe lagështia mbytëse e bëri atë të ndihej si 38 gradë C në “Ariake Tennis Park”. Tenistja spanjolle Paula Badosa duhej të tërhiqej nga ndeshja e saj çerekfinale kundër Marketa Vondrousovas për shkak të goditjes nga nxehtësia. Ajo u largua nga fusha në një karrocë me rrota.

Pas ankesave të Novak Gjokoviqit dhe Daniil Medvedevit, të cilët kishin probleme me frymëmarrjen, ITF-ja, përfundimisht e zhvendosi fillimin e ndeshjeve nga ora 11:00 e mëngjesit në orën 15:00 pasdite për të shmangur pjesën më të nxehtë të ditës - që është mëngjesi në Tokio këtë kohë të vitit, kur dielli lind para orës 05:00 të mëngjesit. Në fakt, Medved iu afrua gjyqtarit dhe i tha se a do ta merrte ai përgjegjësinë nëse do të vdiste në fushë për shkak të nxehtësisë së madhe. Por ndryshimi i orarit nuk u bë deri në ditën e gjashtë të turneut nëntë ditor të tenisit.

“Një fushë me të cilën nuk ishim në gjendje të merreshim ishte orari”, tha Kris Dent, drejtori ekzekutiv i ITF-së. “Kishim nëntë ditë. Ne kishim nevojë të fillonim në orën 11:00, në mënyrë që të siguroheshim që i kaluam ato 96 ndeshjet fillestare. Ne kishim një parashikim të një tajfuni që po afrohej gjithashtu”.

Dent po shpreson në mirëkuptim dhe është optimist se kërkesa e tyre për të pasur më shumë ditë në dispozicion do të aprovohet jo vetëm për Olimpiadën e Parisit, por edhe atë të Los Angelesit.

“Elementi kryesor me të vërtetë ka të bëjë me pushimin e lojtarëve dhe, për fat të keq, të luash pesë ngjarje në nëntë ditë nuk na lejon luksin për t'iu dhënë lojtarëve pushim të mjaftueshëm. Kjo do të jetë një përparësi e madhe për ne që të ecim përpara në Paris dhe Los Angeles. Shpresoj që në këto dy Olimpiada të na japin më shumë ditë”, tha Dent.

Gjokoviqit iu desh të tërhiqej nga ndeshja e medaljes së bronztë në çifte të përziera me partneren serbe Nina Stojanovic, pasi u lodh nga dy humbje që i pati në konkurrencën individuale.

“Sigurisht që lojtarët na kanë thënë se është e rëndësishme për ta që të jenë në gjendje të luajnë në dy ose tri ngjarje dhe Olimpiada është e rëndësishme për ta”, tha Haggerty. “Ne do të kemi biseda dhe shpresoj që në Olimpiadën e ardhshme nuk do të kemi telashe të tilla. Ne vetëm duam t’i mbrojmë lojtarët tanë, të cilët patën shumë telashe në Tokio”.