1 perditesime
12:36

Kampionet olimpike do të priten të hënën me ceremoni shtetërore

Kampionet olimpike të Kosovës do të priten me ceremoni shtetërore, ka njoftuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ekipi olimpik i xhudos, që fitoi dy të arta në “Tokio 2020”, është nisur për në Kosovë sot.

Pritet të arrijë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë të hënën rreth orës 19:50.

Siç ka njoftuar Ministria, ceremonia shtetërore e pritjes së kampionëve është e ndarë në dy pjesë.

Fillimisht do të mbahet konferencë në aeroport, ndërsa ekipi i xhudos do të arrijë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë të hënën rreth orës 21:00.

“Ceremonia shtetërore e pritjes së Kampionëve Olimpikë është e ndarë në dy pjesë: Pritja ceremoniale shtetërore në Aeroportin “Adem Jashari” në orën 19:50, me ç’ rast mbahet konferencë për media dhe ardhja e Kampionëve Olimpikë në sheshin “Zahir Pajaziti” në orën 21:00”, thuhet në njoftim.
Distria Krasniqi e Nora Gjakova fituan të arta në “Tokio 2020”, duke mposhtur në rrugët drejt të artave kundërshtaret edhe nga shteti nikoqir Japonia.

Distria fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa Nora Gjakova në atë deri 57 kilogramë. Akil Gjakova doli i shtati, ndërsa Majlinda Kelmendi e Loriana Kuka pësuan në luftën e parë.

11:43

Medalistet e arta olimpike nisen për në Kosovë

Ekipi olimpik i xhudos është nisur për në Kosovë pas suksesit historik në “Tokio 2020” ku fitoi dy medalje të arta olimpike.

Distria Krasniqi fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa Nora Gjakova në atë deri 57 kilogramë.

Akil Gjakova përfundoi i shtati, ndërsa Majlinda Kelmendi e Loriana Kuka, u eliminuan në luftërat e para.

Xhudoja ia kishte sjellë Kosovës edhe medaljen e parë olimpike, të artën në “Rio 2016” me Majlinda Kelmendin.

Ekipi i xhudos pritet të arrijë në Kosovë të hënën mbrëma.

“Mirëmëngjes nga Tokio. Tri copa të arta deri tash. Një te shpia e dy kadal kadal po i sjellim në atdheun tonë! Medaljet e Arta Olimpike”, ka shkruar Driton Kuka disa orë para nisjes.

Grupi i tifozëve “Dardanët” kanë paralajmëruar një pritje të ngrohtësi për xhudistet tona dhe i kanë ftuar të gjithë dashamirët t’i bashkohen atyre në aeroportin ‘’Adem Jashari’’ të hënën në orën 19:50, atëherë kur pritet që ekipi i xhudos të aterojë në Prishtinë.