Tokio 2020

Vazhdon pritja e Shqipërisë për medaljen e parë, vendi i katërt i Caljës vlerësohet historik

Briken Calja ka festuar pasi bëri një ngritje peshe shumë të mirë. Ai ngriti peshën prej 190 kilogramësh, në njërin prej dy stileve të peshëngritjes, në tentimin e fundit. Ishte ngritje peshe që mendohej se mund të sjellë medalje. Por jo. Pritja e Shqipërisë për medaljen e parë nga Lojëra Olimpike vazhdon. Shqipëria e Bosnjë-Hercegovina janë të vetmet shtete evropiane, pa llogaritur ato fare të vogla, që nuk kanë medalje olimpike. Dhe kjo “njollë” vështirë se do të hiqet nga Shqipëria në Tokio.

Calja vlerësohej me gjasat më të mëdha për të fituar medalje për kuqezinjtë. Për të bërë të mundur, që më në fund, flamuri i shqiptarëve, flamuri kuqezi, të ngrihej lart në një ceremoni medaljesh në ngjarjen më të madhe sportive. Dhe vërtet Calja ishte kandidat i fuqishëm për medalje. Ishte shumë pranë saj. Garën e mbylli në pozitën e katërt. Në dy stilet e peshëngritjes ngriti peshën prej 341 kilogramësh. Vetëm një kilogram më shumë e kishte ngritur Rahmat Erwin Abdullah i Indonezisë, që fitoi të bronztën. Madje Abdullah rezultatin e kishte arritur në grupin B, që vlerësohet grup i dobët dhe që garoi paraditen e së mërkurës. Calja ishte në grupin A, grupin e më të fortëve.

Kampion me rekord botëror e dy rekorde olimpike u shpall kinezi Zhiyong Shi. Ai arriti peshën prej plot 364 kilogramësh. Julio Mayora i Venezuelës fitoi të argjendtën me 346 kilogramë. Gara e peshëngritjes në kategorinë deri 73 kilogramë u zhvillua në sallën e bukur të ndërtesës edhe më të bukur, Tokyo International Forum, të mërkurën. Në sesionin e pasdites, përkatësisht në grupin elit, ishin dhjetë peshëngritës. Gara filloi në stilin shkëputje, ku garuesit ngrenë më pak. Nisën garuesit që kishin zgjedhur peshë më të vogël fillimisht. Kur garuesit i afroheshin shtangës dhe koncentroheshin për ngritjen e saj, nuk dëgjohej asnjë zë. Pos i trajnerit që i motivonte ata. Pas çdo prove, vullnetarët pastronin shtangën dhe kontrollonin peshat. Garën një spanjoll e nisi me 142 kilogramë.

Garuan shumë dhe kur pesha në shtangë arriti në 151 kilogramë, Calja nisi sfidën. Por për çudinë e tij dhe të trajnerit, ai dështoi në provën e parë në 151 kilogramë. Nuk e mbajti balancën, shtanga i shkoi prapa shpine. Garoi një tjetër e sërish garuesi i Shqipërisë u kthye në arenë. Në tentimin e dytë e ngriti peshën prej 151 kilogramësh. Në tentimin e tretë dhe të fundit për atë stil, dështoi me peshë prej 155 kilogramësh. Dhe nuk kishte prova të tjera. Pra, i mbeti rezultati prej 151 kilogramësh, që në këtë stil i mjaftoi për vend të gjashtë. Dështimi në 155 kilogramë e la pa medalje në fakt. Pasi në shtytje ai shkëlqeu. Këtë e pranon edhe trajneri i Caljës në Tokio dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza.

Garuesi nga Kina vendosi rekord olimpik në këtë stil me 166 kilogramë. Ai në fakt fillimisht e vendosi rekordin me 163 kilogramë, ndërsa rekordin e ri e kishte 166 kg. Pas rekordit olimpik, peshëngritësit pushuan 15 minuta dhe filluan garën në shtytje. Është stili ku fillimisht pesha vendoset në kraharor e më pas mbi kokë. Rishikimi i situatës përmes videoincizimit ndryshoi një vendim të gjyqtarëve, sa për të dëshmuar se të gjitha sportet po ndjekin trendët. Sa i takon Briken Caljës, ai e kishte të suksesshëm tentimin në 185 kilogramë. Ishte më pas afër në 188 kilogramë, por dështoi. Nuk provoi në këtë peshë më, ndërsa lajmëroi e më pas edhe kaloi garimin në 189 kilogramë. Vendosi të provonte në 190 kilogramë. E kishte vetëm edhe një provë në dispozicion. Dhe ia doli. Festoi me emocione, njëjtë si trajneri i tij. Garues të tjerë kishin provat e tyre pas Caljës. Disa ia dalin e disa jo. Kinezi Shi vendos edhe rekorde të tjera, duke përfshirë atë të botës dhe dy olimpike. Dhe rezultati në fund tregonte se Calja është në pozitën e katërt. Një kilogram më shumë kishte ngritur paradite garuesi nga Indonezia, që kishte vendosur të garonte në grupin e atyre me peshë më të vogël. Rrjedhimisht në grupin e atyre që çojnë më pak.

“Për rezultatin jam shumë i kënaqur. Të mos harrojmë që në shtytje dola i treti, një rezultat fantastik. Rezultati më i mirë i sportit shqiptar, në historinë e sportit shqiptar. Kam në Olimpiadën e Londrës vendin e gjashtë, pastaj në Rio të pestin, kurse ky është vendi i katërt dhe një kilogram larg medaljes. Por ky është sporti. Në shkëputje nuk jam i kënaqur me rezultatin. Është një rezultat historik”, ka thënë Briken Calja për KOHËN. Ai ka falënderuar familjen, ndërsa ka treguar se e ka kaluar një situatë jo të mirë familjare. Ka falënderuar edhe institucionet dhe ata që e përkrahën.

“Gara pa diskutim ishte e fortë. Kishte kampionë olimpikë, kampionë e nënkampionë bote, kampionë kontinentesh. Ishte një garë shumë e fortë, por në fund ia dolëm”.

Shqipëria ka debutuar në Lojëra Olimpike në vitin 1972. Më pas mungoi në katër edicione, ndërsa u kthye në Barcelona 1992. Prej atëherë paraqitet rregullisht, por fitore nuk ka arritur dot.

Vazhdimisht ka pasur ankesa të sportistëve për mungesë të përkrahjes nga shteti, Komiteti Olimpik dhe federatat. Peshëngritësit ishin më së afërti, ndërsa peshëngritësit e Shqipërisë kanë fituar shumë medalje për Greqinë. Në Tokio ka pak gjasa që sportistët e Shqipërisë të fitojnë medalje. Pritjet më të mëdha janë nga atletja Luiza Gega dhe peshëngritësi tjetër Erkand Qerimaj. Në Tokio, Shqipëria i ka nëntë sportistë. Shumica me ftesë. Sipas peshëngritësit Calja, Shqipëria duhet ta marrë shembull Kosovën për përkrahjen e sportistëve.

“Besoj që duhet një grup i mirëfilltë, shikoni jo më larg se Kosovën, kanë bërë një staf të mrekullueshëm duke filluar nga shteti dhe suporti. Të mos harrojmë që buxheti në Shqipëri është një milion dollarë, kurse në Kosovë 12 milionë euro. Është ndryshim shumë i madh, sepse duhet një suport shumë i madh që të vijë medalja olimpike, në të kundërtën nuk do të shkojmë më larg se sot”, ka theksuar peshëngritësi i suksesshëm, që ka titull evropian.

I pari i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe trajneri i olimpistit, Elez Gjoza, po ashtu ka vlerësuar rezultatin. Ai ka kërkuar përkrahje më të madhe, ndërsa ka premtuar se Calja do të kthehet në Parisi 2024. Me 31 vjet, peshëngritësi nga Shqipëria ishte më i vjetri në garën e së mërkurës mbrëma.

“Ne vijmë nga një përgatitje serioze, vendi i katërt i Brikenit nuk është rastësi. Si president i Federatës, dua të them se jam pak i zhgënjyer në shkëputje, pasi në këtë stil Brikeni duhet të bënte shumë më mirë, jam i sigurt. Ka bërë një përgatitje sistematike me një vullnet të madh, një sportist i kalibrit botëror, tashmë global. Brikeni dhuroi 190 kilogramë në shtytje dhe u radhit i treti, rast historik për Shqipërinë. Na e hoqi medaljen për një kilogramë. Brikeni është në rrugë të mbarë dhe ka qenë i përkushtuar për këtë rezultat, së bashku me Federatën dhe trajnerët. Brikeni diti t’i shpërblejë të gjithë me rezultatin në Tokion. Ne presim aktivitete të tjera më të rëndësishme, siç është Botërori, por do të përgatitemi sistematikisht për Lojërat e tjera Olimpike që mbahen pas tre vjetësh në Francë. Një apel për një mbështetje edhe më të madhe, sepse këta sportistë nuk janë sezonalë dhe besoj se Qeveria do të reagojë, sepse jemi të sigurt dhe jemi në zonën e medaljes tashmë. E për këtë, fjalën e dha Brikeni. Do të korrigjojmë gabimet që i bëmë këtë herë që mos t’i përsërisim”, ka thënë Gjoza.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përgëzuar Caljën për rezultatin.

“Edhe pse pa medalje për vetëm 1 kg diferencë, Brikeni meriton një bravo të madhe për renditjen në vendin e katërt në Lojërat Olimpike të Tokios”, ka shkruar Rama.

Shumë vlerësojnë se medalja olimpike mungon për faj të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Në një bisedë rasti me gazetarin e KOHËS, një prej zyrtarëve të KOKSH-it, ka lënë të kuptohet se medaljen e duan, por nuk janë shumë të brengosur që ajo nuk është fituar.

“Me rëndësi është pjesëmarrja”, ka thënë ai.