Tokio 2020

Muhamet Ramadani tregon pse nuk është në Lojërat Olimpike të Tokios

Atleti mitrovicas, Muhamet Ramadani, në Sportin Total të KTV-së, ka bërë të ditur se kishte mundësi të ishte pjesë e Lojërave Olimpike në Tokio.

Mirëpo, shtoi se njëra prej arsyeve që nuk shkoi është Kampionati Botëror, në të cilin synon medalje. Ramadani javën e shkuar e fitoi medaljen e artë në hedhjen e gjyles në Evropianin U20 të mbajtur në Estoni.

“Sa i përket ftesës kam mundur të jem në Tokio, pasi që në vitin 2020 në atletikë kam pasur më së shumti pikë. Por për shkak të Kampionatit Botëror të cilin e kam në vitin e ardhshëm nuk kam mundur të jem atje, pasi kanë qenë afër njëra me tjetrën dhe do të ndikonte lodhja dhe udhëtimet e gjata dhe stërvitjet do reduktoheshin”, deklaroi Ramadani që shtoi se njëri prej më të merituarave për suksesin në Estoni, është babai i tij, Shabani që është edhe trajneri i tij.