Notari nga Tunizia, Ahmed Hafnaoui, ka bërë senzacion duke fituar medaljen e artë olimpike në not të dielën, në disiplinën 400 metra krol.
18-vjeçari ishte kualifikuar në finale me kohën më të ngadalshme. Por, ai shokoi të gjithë në finale, duke e fituar garën me kohë 3:43.36 minuta. I argjendtë doli australiani Jack McLoughlin, ndërsa i bronztë amerikani Kieran Smith.
Është medalja e pestë olimpike e fituar ndonjëherë nga Tunizia dhe e treta në not.
Hafnaoui është i biri i ish-basketbollistit të Tunizisë, Mohamed Hafnaoui.
Ai kishte përfunduar i teti në 400 metra krol dhe i shtati në 800 metra krol në Lojërat Olimpike për të Rinj në vitin 2018.
Hafnaoui synon medalje në “Tokio 2020” edhe në 800 metra krol. Garat nisin të martën.