Tokio 2020

AP-ja shkruan për suksesin e Distria Krasniqit në Lojërat Olimpike

“E gjithë Kosova festoi të shtunën pasi Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë Olimpike në xhudo, medaljen e dytë Olimpike për vendin e vogël të Ballkanit Perëndimor që u pavarësua vetëm 13 vjet më parë”, kështu e ka nisur shkrimin Agjencia rajonale e lajmeve, Associated Press, për triumfin e Krasniqit në Lojërat Olimpike ‘’Tokio 2020’’.

Krasniqi mundi Funa Tonaki nga Japonia në finalen e xhudos deri në 48 kilogramë në Lojërat e Tokios.

Në vitin 2016, Majlinda Kelmendi u bë atletja e parë kosovare që fitoi një medalje në Lojërat Olimpike kur u stolis me të artën në kategorinë 52 kg në Rio de Janeiro.

"Unë shpresoja se Distria do të merrte një medalje, por medalja e artë ishte me të vërtetë madhështore", ka thënë trajneri Driton Kuka për KTV-në. "Dy medalje të arta në dy Lojëra Olimpike është një rezultat i shkëlqyeshëm në sport".

Faqet e para të portaleve mediatike të Kosovës përshëndetën fitoren e saj.

"Distria triumfon, Kosova i fillon Lojërat me një medalje të artë", shkroi Kosovapress; "Madhështore, Distria Krasniqi kampione olimpike", shkroi Koha Ditore.

Personalitetet e larta, si presidentja e vendit, Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti uruan Distrian për këtë sukses të jashtëzakonshëm. Urime për stolisjen me medalje ari Olimpike të Krasniqit pati edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Lufta 1998-1999 në Kosovë, atëherë provincë serbe, përfundoi pas një ndërhyrje ushtarake të NATO-s që e detyroi Serbinë të tërhiqte forcat e saj. Kombet e Bashkuara drejtuan territorin për nëntë vjet para se Kosova në vitin 2008 të shpallte pavarësinë, një veprim që Serbia nuk e njeh. Kosova ka një popullsi prej 1.8 milionë banorëve.