Tokio 2020

Sportistët do të vuajnë edhe nga temperaturat e larta në Tokio

Shumë nga sportistët më të mirë në botë do të vuajnë së bashku me banorët e Tokios nga vapa e lartë e verës në Japoni, ndërsa Lojërat Olimpike fillojnë këtë javë në temperatura të forta, duke paraqitur për një barrë të shtuar për të gjithë pjesëmarrësit.

Byroja e Motit e Japonisë lëshoi alarmin për goditje të nxehtësisë për ditën e pestë rresht, të mërkurën. Temperatura është tejet e lartë në kryeqytet, tani në vrullin e një vere tjetër të nxehtë dhe të lagësht, pasi ishte deri në 33.1 gradë celsius që nga ora 15:00. Organizatorët e Lojërave Olimpike po ndërtojnë mjete për ta përballuar nxehtësinë, përfshirë këtu stacionet e spërkatjes së ujit për kuajt që marrin pjesë në garat olimpike dhe jelekët ftohës për arbitrat. Mirëpo, nxehtësia shton një ndërlikim tjetër për trajnerët dhe lojtarët, stërvitjet e të cilëve tashmë janë ndikuar nga pandemia e koronavirusit.

“Vera japoneze është anormale. Ka lagështirë dhe nxehtësia është e papërballueshme”, tha Misuzu Ueno, një banor 24-vjeçar i Tokios. “Kjo klimë nuk është aspak e përshtatshme për Lojërat Olimpike”.

Trajneri kryesor i ekipit të hokejit (meshkujt) të Zelandës së Re, Darrwen Smith, tha se ka qenë shumë vështirë të përgatisë ekipin e tij në pandemi, ndërsa shtoi se tani janë kushtet atmosferike që i bëjnë edhe më sfiduese ndeshjet e hokejit që zhvillohen në mëngjes. Smith pranoi se lojtarët do të kenë telashe me temperaturat e larta që po mbretërojnë në Tokio dhe që do të vazhdojnë të ngrihen ditëve në vijim.

“Do të jetë nxehtë dhe shumë vështirë”, u tha Smith të mërkurën gazetarëve në një konferencë shtyp brenda qendrës kryesore të shtypit në LO “Tokio 2020”.

Ai tha se ekipi i tij kohët e fundit stërvitjet i ka fokusuar te përballimi i temperaturave të larta, duke u futur edhe në një dhomë nxehtësie.

“Jemi munduar që të përgatitemi në çdo aspekt dhe shpresoj që lojtarët t’ia dalin me sukses t’i përballojnë këto temperatura të larta”, shtoi Smith.

Temperaturat e larta ka të ngjarë të jenë një sfidë shtesë për sportistët nga vendet e hemisferës jugore, të tilla si Zelanda e Re, ku është dimër tani. Në Wellington, kryeqyteti i Zelandës së Re, parashikohet që temperaturat të lëvizin rreth 13 gradë celsius këtë javë.

“Dallimi është shumë i madh”, pranoi Smith.

Nxehtësia e Tokios shton gjithashtu një ndërlikim në trajtimin e pandemisë. Ekspertët kanë thënë se reaguesit e parë mund të ngatërrojnë lehtësisht goditjet e nxehtësisë dhe rastet e koronavirusit, sepse sëmundjet kanë simptoma të ngjashme, si temperaturat e larta dhe dehidrimin.

“Nuk janë vetëm pacientët me COVID, do të ketë më shumë pacientë me goditje të nxehtësisë, kështu që mendoj se është e vështirë në frontin mjekësor. Temperaturat e larta do t’i ndërlikojnë edhe më shumë Lojërat Olimpike. Në fakt, do të jetë një sfidë e madhe për pjesëmarrësit”, tha 44-vjeçari Mariko Hoshino, një banor i qytetit Chibs, në afërsi të Tokios.

Ndërkohë, sa u përket infeksioneve me koronavirus, ato të mërkurën kanë arritur në nivelin më të lartë në gjashtë muajt e fundit, me 1832 raste të konfirmuara në Tokio. Dhe ekspertët kanë paralajmëruar që situata me të infektuarit mund të përkeqësohet, duke sjellë një barrë shtesë në sistemin e kujdesit shëndetësor, i cili po merret gjithashtu me më shumë pacientë që po goditen nga nxehtësia. LO “Tokio 2020” zyrtarisht nisin të premten, kur edhe do të mbahet ceremonia hapëse.