Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) e cilëson si skenar të ri bllokues moszgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve joshumicë.
Fillimisht, ai theksoi se ka vetëm një njoftim të Gjykatës Kushtetuese dhe jo aktgjykim të plotë. Tha se ky është vetëm një skenar bllokues i radhës.
“Para se me kalu te ky njoftim i Gjykatës Kushtetuese duhet me theksu se që nga momenti kur kanë përfundu zgjedhjet, ky nuk është asgjë tjetër përpos se është skenari i radhës, bllokues”, u shpreh Shala.
Sipas tij, ka pasur skenarë të shumtë bllokues gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, duke theksuar edhe votimin e raportit për verifikimin e mandateve të deputetëve.
“Ne kemi pas skenarë të shumtë bllokues për me kalu përgjatë gjithë kësaj periudhe kohore. Do të thotë, e kujtojmë që ka qenë një kohë që ka pas një krizë politike në lidhje me votimin e një raporti teknik, formal- raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve dhe është humb një kohë edhe në atë pjesë”, theksoi Shala.
Ai foli për zvarritjen lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe çështjen e votimit të mbyllur.
“Më pastaj kemi kaluar te pjesa e kryetarit të Kuvendit, dhe kur e ka pa partia e parë që ka dalë nga zgjedhjet, që nuk e ka shumicën e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit, e ka prolonguar një pjesë të konsiderueshme kohore çështjen se votimi duhet të jetë i mbyllur. Ne kishim më pastaj një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, i cili nuk u zbatua për një periudhë të konsiderushme kohore dhe vetë Gjykata Kushtetuese dul edhe tha se nuk është zbatu aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe tha se këto janë rregullat për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit”, thotë Shala.
Ndërsa, tha se pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, ishte shpresa se Kuvendi po konstituohet, mirëpo sipas tij, doli skenari i ri bllokues me nënkryetarët nga radhët e komuniteteve.
Shala theksoi se IKD vazhdimisht e ka thënë se kjo është një qasje kundërkushtetuese dhe se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte i pritshëm.
Më tej, Shala foli rreth Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke i ndarë dy aspekte.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës që kur është miratuar është dizajnuar në atë formë që kryesia e Kuvendit, e para i ka 5 nënkryetarë, e para, si dhe kryetarin e Kuvendit. Ky është aspekti i parë”, u shpreh Shala.
Kurse, për aspektin e dytë tha se Kushtetuta ka përcaktuar dy votime, ai për nënkryetarët nga tri grupet më të mëdha parlamentare dhe ai për dy nënkryetarët nga radhët e komuniteteve joshumicë.
“Aspekti i dytë është se e ka përcaktuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës se duhet të ketë dy votime. Do të thotë, duhet të jetë votimi i parë në pako për tre nënkryetarët nga tri grupet më të mëdha parlamentare dhe votimi për dy nënkryetarë nga radhët e komuniteteve joshumicë. Tash, e kemi thënë edhe paraprakisht, sikurse nuk mund të ndahet votimi për tre nënkryetarë nga tri grupet më të mëdha parlamentare, ngjashëm nuk mund të ndahet votimi as për nënkryetarët nga radhët e komuniteteve”, tha tutje Shala.
Hulumtuesi theksoi se kjo ka qenë edhe në Kushtetutë edhe praktikë e deritanishme, e cila praktikë është ndjekur edhe në vitin 2021 kur kryesues i Kuvendit ka qenë po ashtu Avni Dehari.
Sipas tij, në këtë situatë, mënyra e votimit përmes kalimit në short, pa u plotësuar kushtet për zhvillimin e shortit, ka qenë e pritshme se do të prodhojë rezultat kundërkushtetues.
“Dhe tash e kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që prapë konstaton se Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk është konstituuar, për shkak se nuk janë zgjedhur gjithë nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kjo është definitivisht e qartë”, shtoi tutje ai.
Gjithashtu, sipas tij, është e pritshme dhe është thjeshtë një konfirmim i asaj që IKD ka thënë vazhdimisht se “përkundër që kryetari aktual i Kuvendit e ka konstatuar si të konstituuar Kuvendin e Republikës së Kosovës, nuk mund të konsiderohet si i konsituuar”.
Ndërkaq, Shala vlerëson që është shumë më e rëndësishme që të lexohet qartë dhe të veprohet me efikasitet dhe jo thjesht që të ndërmerren veprime të tjera që kanë të bëjnë me tentimin për sabotimin e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Tash sipas dispozitivit të këtij aktgjykimit nga komenti i publikimit të tij, janë 12 ditë afat, brenda të cilit Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet që ta konstituojë veten, që i bie se me hyrjen në fuqi të këtij aktgjykimi, për shkak se Kuvendi nuk është i konstituuar, fillon të rrjedhë përsëri ky afati 48 orësh për caktimin e seancave. Megjithatë, vlerësoj është shumë më e rëndësishme që të lexohet qartë dhe të veprohet me efikasitet dhe jo thjesht që të ndërmerren veprime të tjera, që kanë të bëjnë me tentimin për sabotimin e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, përfundoi Shala. /BetimipërDrejtësi
Shala: Problematike bërja politikë duke iu drejtuar Kushtetueses dhe politikë me mënyrën e interpretimeve të vendime të saj
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV tha se e sheh si problemtatike bërjen politikë duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe po ashtu politikë me mënyrën e interpretimit të vendimeve të kësaj Gjykate.
Fillimisht, Shala u shpreh se është problematike fakti që deri më tani, Kosova dhe veçanërisht partitë politike nuk kanë arritur të krijojnë një kulturë kushtetuese për gjetjen e zgjidhjeve brenda përbrenda Kushtetutës, ashtu siç sipas tij, e thotë edhe dispozitivi i aktgjykimit të fundit, në interesin më të mirë të Republikës dhe të qytetarëve të saj.
“Ne e shohim tash se në secilin cikël zgjedhor, në secilin cikël të formimit të institucioneve, është kriju disi edhe njëfarë opinioni se po, mund të shkoj rasti në Gjykatë Kushtetuese, çfarë do të thotë Gjykata Kushtetuese”, shtoi Shala.
Mirëpo, sipas tij, kjo qasje tenton që Gjykatën Kushtetuese ta bëjë akter të politikave ditore.
“Për shkak se në njëfarë forme kjo qasje tenton që Gjykatën Kushtetuese me e bë akter të politikave ditore, e që definitivisht në një demokraci të konsoliduar kushtetuese kjo nuk duhet me ndodhë. Po, Gjykata Kushtetuese duhet me qenë aty për me i zgjidhë disa prej dilemave, të cilat munden me u shfaq, por problematika, ajo që po ndodh tek ne, është që partitë politike po krijojnë vetë dilema kushtetuese, të cilat nuk janë”, u shpreh Shala.
Ai foli edhe rreth çështjeve që sipas tij e fusin Gjykatën Kushtetuese dhe aktgjykimet e saj, si mjet për të bërë politika ditore.
“Ne nuk e kemi të ndryshuar Kushtetutën dhe askund nuk është përcaktu për shembull se votimi mundet me qenë i mbyllur, nuk është përcaktu për shembull se votimi për nënkryetarë të Kuvendit mundet me u nda, etj etj…. Këto janë çështjet kur e fut Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese si mjet për të bërë politika ditore”, tha tutje Shala.
Sipas tij, problematika është se bëhet politikë duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe me mënyrën e interpretimit të aktgjykimeve të saj, përderisa këto çështje janë të qarta.
“Problematika është se tash, e para, bëhet politikë duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, dhe e dyta bëhet politikë me mënyrën se si i interpretojnë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, përderisa këto çështje janë të qarta”, tha ai.
Shala theksoi se në momentin e daljes nga zgjedhjet, është ditur se cili është standardi i vendosur nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, duke përmendur edhe pretendimet e partisë që ka dalë e para nga këto zgjedhje.
“Në momentin kur kemi dalë nga zgjedhjet, ne e kemi ditë do të thotë se cili është standardi i vendosur nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, se partisë së parë i takon… Madje shih çfarë thonin partia e parë fituese. Thojshin se votimi është diçka vetëm aspekt formal, për shkak se kur ta njeh propozimin ta njeh edhe votimin”, potencoi hulumtuesi.
Shala tha se ka qenë tërësisht e qartë se i takon e drejta për të propozuar, mirëpo se propozimi kalon vetëm me 61 vota.
“Ndërsa, ka qenë tërësisht e qartë, se po, i takon e drejta për me propozu, mirëpo propozimi kalon vetëm me 61 vota. Nuk e di çka ka të paqartë këtu. Mirëpo, do të thotë në mungesë të zgjidhjeve politike, në pamundësi për me arritë konsensus politik për formimin e institucioneve, dalin dhe përmendin kriza, të cilat realisht nuk janë kriza dhe thjesht tentojnë me e instrumentalizu Gjykatën Kushtetuese në betejat e tyre politike”, tha ai.
Mes tjerash, Shala tha edhe se këto çështje që kanë krijuar kriza politike, shumica prej tyre derivojnë nga papërgjegjësia e partive politike, gjatë cikleve për formimin e institucioneve
“Mirëpo, këto çështjet që kryesisht kanë prodhuar kriza politike, shumica prej tyre, për bindjen time, si kriza në vetvete nuk derivojnë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, mirëpo derivojnë nga papërgjegjësia e partive politike, gjatë cikleve për formimin e institucioneve”, tha ai. /BetimipërDrejtësi
Shala: Në zgjedhje duhet përgjegjësi politike për deputetët që s’kanë arritë ta zbatojnë Kushtetutën përmes zbatimit të aktgjykimit të saj
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë paraparë pasoja juridike dhe nuk pret që as aktgjykimi i ri të parasheh ndonjë pasojë konkrete nvse Kuvendi nuk konstituohet brenda afati. Por që, sipas tij, përmes zgjedhjve qytetarët duhet t’i mbajnë përgjegjës deputetët që nuk kanë arritur ta zbatojnë Kushtetutën përmes zbatimit të aktgjykimit të saj.
“E kemi përmend edhe në të kaluarën. Aktgjykimet e kaluara të Gjykatës Kushtetuese nuk kanë paraparë pasoja juridike, dhe bazuar në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese, përkitazi me dispozitivin e vendimit dhe praktikat e mëhershme, vlerësoj se nuk ka as aktgjykimi i ri, nuk do të parashoh ndonjë pasojë juridike konkrete nëse Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk konstituohet brenda këtij afati. Për çfarë arsye? Sepse, në Kushtetutë nuk ekziston një pasojë specifike nëse nuk konstituohet brenda këtij afati”, tha Shala në “Tempus“.
Sipas tij, nuk ka asnjë kushtetutë në botë që e rregullon secilën çështje se si duhet të zhvillohet secila çështje.
“Mirëpo është edhe një çështje tjetër në ndërlidhje me atë që e thash paraprakisht. Nuk ka asnjë kushtetutë në botë që e rregullon bash në detaje secilën çështje se si duhet të zhvillohet. Do të thotë, mënyra e ndërtimit të një kushtetute dhe mënyra e formulimit të normave kushtetuese dallon plotësisht nga mënyra e ndërtimit të një Kodi Penal, dhe formulimit të veprave të tyre, që duhet me qenë shumë të ngushta”, tha Shala.
Andaj, sipas tij, në rastin konkret nuk duhet të tentohet për të gjetur hapësirë të caktuar dhe të thuhet se dalë nga kjo hapësirë e caktuar dhe nuk e zbatoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Shala tha se nëse nuk konstituohet Kuvendi brenda afatit të caktuar në aktgjykim, atëherë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk e kanë zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese po thotë për 12 ditë. Nëse brenda këtyre 12 ditëve nuk konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës edhe nëse nuk ka një pasojë direkte procedurale, siç ka pasur në disa aktgjykime të tjera. Atëherë, qartazi themi se deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk e kanë zbatu aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ai.
Ndërkaq, theksoi se duhet të ketë vetëdijesim qytetar dhe përgjegjësi politike që të mbahen përgjegjës deputetët të cilët nuk kanë arritur ta konstituojnë vetën e tyre dhe nuk kanë arritur të zbatojnë Kushtetutën
“Për nga fuqia e tij kushtetuese, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është ekuivalent me normën kushtetuese dhe thjesht duhet me pas njëfarë forme edhe vetëdijesim të qytetar edhe përgjegjësi politike që me i mbajtë edhe në zgjedhje përgjegjës deputetët të cilët nuk kanë arritë me konstituu veten e tyre dhe nuk kanë arritë me zbatu Kushtetutën, përmes zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Shala.
Derisa shtoi se nuk është arsyetim të thuhet që Gjykata Kushtetuese nuk ka paraparë pasojë specifike kushtetuese juridike, e të vazhdohet për më tepër se 12 ditë.
“Dhe kjo nuk është arsyetim me thanë që Gjykata Kushtetuese nuk e ka parapa një pasojë specifike kushtetuese juridike dhe për këtë arsye ne mund të vazhdojmë për më tepër se 12 ditë që ka thënë Gjykata Kushtetuese”, tha ai. /BetimipërDrejtësi
Shala: Funksionimi i institucioneve me U.D, qasje që mund të paraqes burim të lartë të korrupsionit
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se funksionimi i institucioneve me ushtrues detyre është qasje e cila mund të paraqes burim të lartë të korrupsionit.
Shala tha se çështja e ushtruesve të detyrës është diskutuar prej kur kjo Qeveri ka marrë detyrën. Tha se ushtruesi i detyrës është përjashtim, pra mund të ndodhë në situata të ndryshme kur t’i mund të kesh nevojë për caktimin e një ushtruesi të detyrës.
Hulumtuesi theksoi në “Tempus” se logjika e përcaktimit të ushtruesit të detyrës është se i njëjti përcaktohet vetëm në këto raste përjashtimore.
“Fatkeqësisht, e kundërta ka ndodhur me këtë Qeveri. Kjo Qeveri çështjen e ushtruesve të detyrës e ka pasur si parim, ndërsa zgjedhjen e rregullt të tyre e ka pasur si përjashtim”, tha Shala.
Sipas tij, kjo ka pasoja shumëdimensionale, fillimisht në kuptim të administrimit të institucionit.
“Edhe praktikat e tjera në vendet e tjera, kanë treguar se kjo qasje mund të paraqesë një burim të lartë të korrupsionit për shkak të mundësisë që lehtë me i caktu, lehtë me i largu, e po ashtu lehtë me i zëvendësu me persona të tjerë”, tha Shala.
Shala tha se aktgjykimi i Supremes në rastin e Agjencisë së Aviacionit Civil thekson qartë se nëse një pozitë me u.d mbahet jashtë afatit ligjor, i bie se po mbahet kundërligjshëm.
“Akgjykmi i i Gjykatës Supreme në rastin e Agjencisë së Aviacionit Civil e ka theksuar shumë qartë se përtej afatit ligjor nëse mbahet një pozitë me ushtrues detyre, i bie se është duke u mbajtur kundërligjshëm dhe ai person nuk e ka asnjë kompetencë për shkak se thjesht nuk është ushtrues i detyrës edhe nëse nuk e ka një vendim të tillë”, shtoi Shala.
Ai theksoi se IKD-ja ka identifikuar 17 institucione që nuk kanë përbërje të plotë në funksionimin e tyre. Tha se 4 prej tyre tashmë janë jofunksionale.
“Komisioni i Pavarur i Ankesave, Bordi i Ankesave ndaj vendimeve të KPM-së, Autriteti Rregullativ i Hekurudhave dhe Bordi i RTK-së. Ndërsa, 13 të tjera janë duke funksionuar në përbërje jo të plotë”, tha Shala.
Sipas tij, kjo problematikë derivon nga legjislatura e kaluar. /BetimipërDrejtësi
Shala: Keqadministrimi është shtrirë duke ndikuar edhe në koncepte bazike të sundimit të ligjit
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se keqadministrimi është shtrirë duke ndikuar edhe në koncepte bazike të sundimit të ligjit.
“E kemi situatën që disa institucione i kemi që nuk po funksionojnë fare pasi që nuk kanë numër të mjaftueshëm të anëtarëve që përbëjnë kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, nuk kemi një qeveri të rregullt, nuk kemi një Kuvend të konstituuar që do ta mbante përgjegjëse një qeveri dhe po ashtu e kemi këtë situatën me ushtrues të detyrës, e edhe këta ushtrues të detyrës, krahas me anëtarët e Qeverisë që janë edhe deputetë, të gjithë këta prodhojnë vazhdimisht vendime të kundërligjshme”, tha Shala në “Tempus“.
Sipas tij, në këtë situatë kemi të bëjmë me paralizë institucionale.
“Në këtë situtatë kemi të bëjmë edhe me paralizë insitutcionale, por edhe me mbushje të rendit juridik me vendime të kundërligjshme. Definitivisht se kjo qasje paraqet një regras shumë të madh dhe një cenim direkt të jetës insitutcionale në Kosovës dhe të parimeve të sundimit të ligjit. Pra, e gjithë kjo situatë në njëfarë forme- keqadministrimi është shtrirë dhe ka ndikuar edhe në koncepte bazike të sundimit të ligjit”, tha Shala.
Ejupi: Të qenët Qeveri kujdestare, po shfrytëzohet për avantazh në zgjedhje lokale
Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), tha se po shfrytëzohet rasti i të qenët Qeveri kujdestare për të pasur avantazh në zgjedhjet lokale.
“Problemi po dihet, si në bllokimin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, ashtu edhe tash nënkryetarëve, i takon shumicës parlamentare në këtë rast, e cila siç po shihet nuk i ka votat për me bë qeverinë. Edhe tash, ideja më e mirë është me qeverisë si Qeveri kujdestare, vendimet a janë të ligjshme a të paligjshme, gjysma e institucioneve që përmende, disa janë funksionale. Nuk ka përgjegjësi, nuk ka raportim, nuk ka organ mbikëqyrës edhe kjo po funksionin. E sheh Qeveria po mban i merr do vendime, shpronësime, nesër munden me u kontestu këto. Prapë se prapë është duke e shfrytëzu këtë rastin e të qenët Qeveri kujdestare që me pas avantazhin në zgjedhjet lokale”, tha Ejupi në “Tempus“.
Ejupi theksoi se kryeministri dhe ministrat po e mbajnë edhe pozitën e deputetit.
“E sheh që Kryeministri, ministrat, të gjithë e përdorin atë ende statusin e vet prej që janë tu e mbajtë në mënyrë a të ligjshme, a të paligjshme, besoj që gjykata ka me vërtetu nëse e çon dikush në gjykatë, herë deputet, herë ministër, herë kandidat për komunë”, tha Ejupi.
Sipas tij, me përdorimin e resurseve shtetërore për fushatë, krijohet pabarazi në raport me garuesit tjerë.
“Edhe tash përdorimi i resurseve shtetërore për fushatë, që njëfarë mënyre konkurrentët e vet politik nuk i qet në pozita të barabarta. Na kemi tash kandidatë të pavarur që ka konkuru për kryetarë të komunave edhe e sheh që ata nuk janë të barabartë se nuk i kanë resurset shtetërore përmas. Ose e ki ekipin që e ka që e pagun si këshilltar, ata e përdorin për zgjedhje lokale”, theksoi Ejupi.
Mirëpo, ai tha se kjo është ditur se do të ndodhte për shkak të zgjedhjeve që janë mbajtur në të njëtin vit.
“Edhe kjo është e dishme që ka pas me ndodhë për shkak të zgjedhjeve që janë mbajtë në të njëjtin vit. Nuk e ka shumicën, i ka shfrytëzu resurset. Ku të mundet për me përfitu naj votë, ose naj komunë, tash do të jemi dëshmitarë javën tjetër mbahen zgjedhjet, që në fund me ditë a ka pas sukses kjo, apo jo”, shtoi ai.
Përderisa, tha se Kosova si shtet është duke humbur.
“Ajo që është me rëndësi është që Kosova si shtet është tu humb. Na e kemi jofunksionale një qeveri, kujdestare si e ka quajt Ambasada Amerikane në atë letër, jemi në sanksione prej Bashkimit Evropian, u ndalën bisedimet strategjike, ishim gjatë këtyre ditëve dëshmitarë që Maqedonia e Veriut- iu heqën vizat krejt, kanë mujt me na u heq edhe neve”, tha mes tjerash Ejupi. /BetimipërDrejtësi
Drejtori i INDEP-it: Brengosëse pozitat me U.D, kjo i bie tendencë e kapjes së institucionit
Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), i ftuar në emisionin “Tempus”, tha se është brengosëse ushtrimi i pozitave me ushtrues të detyrës, pasi sipas tij, kjo i bie tendencë e kapjes së institucionit.
“Ajo që është shumë brengosëse përveç Parlamentit, është se edhe pozitat e nalta brenda ministrive sot janë me ushtrues detyre. E përmenda më herët se vendimi i Gjykatës Supreme e ka ndërru lojën pak, se nëse dy vjet nuk ke mujt me zgjedh, domethanë është paaftësi e drejtëpërdrejtë e kësaj qeverisje që nuk ka mujt me zgjedh një sekretar në një ministri”, tha Ejupi.
Ejupi tha se është tendencë për kapje të institucionit.
“Unë po e kuptoj se kur është ushtrues detyre mundesh me një vendim me emëru, me një vendim me shkarku, pra kjo i bjen tendecë me kap institucionin dhe me kontrollu, por ja që tash jena në një situatë ku Gjykata Supreme për dy agjenci të pavarura nuk i ka pranuar vendimet e ushtruesit të detyrës për shkak se kanë qenë më shumë se dy vite ushtrues detyre”, shtoi Ejupi.
Sipas tij, nuk është hera e parë që agjencionet e pavarura mbeten në mëshirën e vendimeve politike apo politikave ditore. Tha se Radio Televizioni i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur i Mediave aktualisht janë pa bord.
Ejupi tha se ideja e zgjedhejs së të gjithë anëtarëve të bordit bllok, ka qenë të kontrollohet një institucion. Tha se duhet të bëhet një ligj i veçantë që të mos bëhet zgjedhja bllok.
“Edhe ligjet kur janë bërë në Kosovë, nuk janë bërë bllokuese, janë bërë funksionale”, tha Ejupi. /BetimipërDrejtësi
Ejupi: Administrata publike është më e politizuar se në të kaluarën
Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), i ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, tha se tha se administrata publike në Kosovë sot është më e politizuar se në të kaluarën.
“Nëse administrata ka qenë e politizune- gjë që ka qenë, tash është hala më shumë e politizune. Përmes ushtruesve të detyrës e ki kontrollin në administratë”, dekaroi Ejupi.
Ejupi tha se është rrënuar diçka e formuar për administratën publike në të kaluarën.
“Na e kemi një rast ku ish-sekretari i përgjithshëm i një ministrie ka pas edhe konflikt fizik me ministrin se nuk ia ka nënshkru shpenzimet. Me ushtrues detyre nuk ndodhin këto, në njëfarë mënyre e kemi rrënu diçka që e kemi formu si administratë publike. Ndoshta hala ka vend për të dëshiruar, na gjithë si shoqëri civile kemi kërku mirë e ma mirë, e që vije puna që diçka që ka qenë më mirë me ba ma keq edhe kjo i jep hapësirë për afera korruptive”, tha Ejupi.
Si ushtrues detyre, ai tha se me një vendim emërohesh, me një të tillë shkarkohesh.
“Ideja ka qenë që zyrtari i cili zgjedhet në një pozitë të lartë shtetërore, me qenë i pavarur, mos me pas ndikim politik, edhe rekrutimi me u kry. Nëse vjen një emër i Qeverisë, ai duhet me zgjedh atë që ka ardhë”, tha Ejupi.
Drejtori i INDEP-it tha se ka raste kur organi që ka kryer rekrutimin në ndonjë agjenci të pavarur, e ka vlerësuar me pikë minimale- pikërisht ai është zgjedh kryetar. Tha se një prej arsyeve që po dështojnë konkurset është mosinteresimi për konkurrim. /BetimipërDrejtësi