TEMPUS

Humolli: Stagnimi kryesor në luftën kundër korrupsionit po vjen nga mosefikasiteti i gjyqësorit

Këshilltarja ligjore në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Albesa Humolli, tha se stagnimi kryesor në luftën kundër korrupsionit, po vjen nga efikasiteti i dobët i gjyqësorit.

Se korrupsioni është i pranishëm në Kosovë, Humolli tha se po e thonë edhe organizatat me renome ndërkombëtare dhe indekset e ndryshme, sikurse janë: Indeksi për perceptimin e korrupsionit dhe ai për sundimin e ligjit.

“Tregon që Kosova fatkeqësisht viteve të fundit ka shënuar progres të kufizuar sa i përket luftës kundër korrupsion. Më tepër do ta quaja stagnim, sesa progres në këtë drejtim dhe fatkeqësia është që ende po përballet me problemet që ne i dimë dhe po i përsërisim me vite me radhë. Pra, ka shënuar progres të kufizuar në proceset demokratike, luftimin e korrupsionit dhe ato të sundimit të ligjit. Andaj, korrupsioni është i pranishëm, me të po përballemi çdo vit dhe mendoj që stagnimi kryesor në luftën kundër korrupsion pikërisht po vjen nga performanca dhe efikasiteti i dobët i gjyqësorit”, tha Humolli në emisionin “Tempus” në KTV.


Humolli: Qeveria i kryen punët në mënyrë të mbyllur, vijnë me akte të kryera

Ajo tha se Qeverisë i mungon transparenca, ngase sipas saj i kryejnë punët në mënyrë të mbyllur e duke dalë me akte të kryera.

Sipas saj, jo vetëm Vettingu, por çdo proces i nisur në kuadër të reformës në drejtësi nga vetë Qeveria, duhet të jetë gjithëpërfshirës në kuptim që duhet t’i përfshijë akterët të cilët janë përshirë në këtë proces.

“Çka ka treguar qeverisja kohët e fundit, është tendenca që procese të vazhdueshme t’i bëjnë të mbyllur dhe pastaj të vijnë me një akt të kryer. U përmend strategjia si një pasqyrë e asaj që kemi veçse një dokument që duket pothuajse final dhe pastaj konsultimi me palë ose akterë të interesit, është veçse për të bërë një ‘tik’ në boks, por jo për të pasur kështu konsultim përmbajtjesor në kuptim të përfshirjes së rekomandimeve. Diçka e tillë ka ndodhë edhe me reformën në drejtësi dhe në çdo ligj tjetër që është përfshirë në kuadrin e kësaj reforme”, tha Humolli.

Po ashtu, ajo tha se nuk ka vullnet institucional përmbajtjesor dhe nuk ka vizion të qartë të Qeverisë në luftën kundër korrupsion, ndërsa shtoi se ka hapa në një koncept-dokumenti për Strategji Kombëtare Kundër Korrupsion, por realisht po vjen me vonesë.