TEMPUS

Fetahu: Aktet e konfirmuara antikushtetuese flasin për motiv të ulët të kapjes së institucioneve

Avokati Faton Fetahu, ka thënë se aktet e konfirmuara antikushtetuese flasin për motiv të ulët të kapjes së institucioneve shtetërore.

Të hënën në emisionin “Tempus” në KTV, Fetahu ka deklaruar se pozita është në kërkim të alternativave që kërkojnë pushtet më të madh për kryeministrin Albin Kurti.

“Janë një sërë aktesh të cilat tashmë janë konfirmuar si antikushtetuese, e të cilat natyrisht në bindjen time nuk flasin vetëm për mungesën e profesionalizmit, por flasin për një motiv të ulët të kapjes dhe nënshtrimit të institucioneve kushtetuese, institucioneve shtetërore, ashtu që të etablojnë pozicionin e tyre qeveritar dhe këtë pozicion do të thotë nuk mund ta shtrijnë vetëm në nivel të kësaj hapësire që ofron habitati kushtetues kosovar, por nuk ju mjafton. Prandaj, janë në kërkim gjithmonë të alternativave që kërkojnë pushtet më të madh për Albin Kurtin, pushtetin e tij me një fjalë”, ka thënë Fetahu.

Sipas tij, ky është qëllimi i kësaj shumice, pasi thotë se tashmë ka shumë raste që dëshmojnë se Qeveria nuk e ka shkeljen kushtetuese nga mosdija.


Avokati Fetahu numëron shkeljet kushtetuese të Qeverisë

Avokati Faton Fetahu, në emisionin “Tempus” në KTV, ka numëruar shkeljet kushtetuese që Qeveria në pushtet i ka bërë.

Ai tha se së pari ka qenë një vendim në Kuvendin e Kosovës për miratimin e rekomandimeve që autorizonin KOST-in për humbjet e rrymës në veri që t’i kompensonte KOST-i nga të hyrat e saj.

“Së pari, ka qenë një vendim i Kuvendit të Kosovës për miratimin e atyre rekomandimeve që lejonin-autorizonin KOST-in për humbjet në veri që t’i kompensonte KOST-i nga devidenta, nga të hyrat e saj. Qeveria dhe shumica parlamentare argumentuan se ky nuk është një vendim i Kuvendit, këto janë rekomandime dhe nuk kanë bazë të kualifikohen në Gjykatën Kushtetuese, por Gjykata Kushtetuese megjithatë e nxjerr një vendim, i kritikuar në pikëpamje profesionale, por gjithsesi i zbatueshëm dhe një nga kritikët e vendimit kam qenë edhe unë”, tha ai.

Kjo sipas tij, për shkak të një konkluze absurde.

“Nga njëra anë ka thënë që pagesa e rrymës në veri sado që është trajtim i pabarabartë i qytetarëve të Kosovës (në veri dhe jashtë veriut), megjithatë nuk është një diskriminim, është një absurditet të cilin ka merituar të marrë përgjigjen e nevojshme në drejtimin e atij aktgjykimi, por nuk e ka marrë”, shtoi Fetahu.

Tutje, vendimi tjetër i Kuvendit që sipas Fetahut ishte skandaloz kishte të bënte me shkarkimin arbitrar të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.

“Në mënyrë që përmes shkarkimit arbitrar të emërohej një Këshill të ri dhe përmes atij Bordi të legjitimoheshin të gjitha emërimet dhe shkarkimet e paligjshme në administratën e shtetit”, tha avokati.

Po ashtu, ai theksoi se shkelje tjetër është vendimi për Këshillin Prokurorial të Kosovës, vendimi për shkarkimin arbitrar- të paligjshëm të Bordit të RTK-së, Projektligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar dhe Ligji për Pagat.