TEMPUS

Çfarë do të përmbajë Rregullorja e KPM-së për mbulimin e zgjedhjeve?

Jeton Mehmeti i KPM-se ne Tempus

Jeton Mehmeti, kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), tha se ky Komision e ka obligim të nxjerrë një rregullore për mediat lidhur me mbulimin e zgjedhjeve.

I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Mehmeti tha se kjo bëhet edhe për arsye që mediet t’i kenë në një vend të gjitha obligimet që kanë për mbulimin e fushatës zgjedhore.

“Kjo po bëhet për një arsye shumë të madhe, e që është Ligji i ri për zgjedhjet, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2023, i cili shprehurazi i kërkon KPM-së të nxjerrë një Rregullore, përmes së cilët do të vendosë kushte të barabarta ndaj medieve që të kenë parasysh një mbulim të barabartë dhe jodiskriminues për partitë politike gjatë fushatave zgjedhore”, tha Mehmeti.

Sipas tij, Rregullorja nuk kufizohet vetëm në zgjedhjet e përgjithshme që mbahen në shkurt të 2025-ës, por është Rregullore që do të aplikohet edhe në zgjedhje të tjera.

“Ndër kriteret kryesore që parasheh Rregullorja ka të bëjë me transparencën e mediave ndaj publikut dhe partive politike, sa i përket çmimeve të cilat do t’i aplikojnë për reklamat politike me pagesë, pastaj është ndarja e barabartë dhe proporcionale ndaj subjekteve të certifikuara, pavarësisht peshës politike që mund ta kenë ato”, tha Mehmeti, duke shtuar se nuk mund të ketë favorizime.

Ai tha se kërkohet edhe njëlloj raportimi të asaj se çfarë mediet u japin me pagesë apo pa pagesë hapësirë partive, e që do të dorëzohen në formë të ditareve në KPM.

Pikë tjetër me rëndësi, tha se është trajtimi i menjëhershëm i ankesave që mund të vijnë nga palët e afektuara, pra obligohet KPM që brenda periudhës pesëditore t’i trajtojë të gjitha ankesat.

Mehmeti tha se qysh në qershor kanë publikuar një plan të aktiviteteve, për kohën para fushatës, gjatë fushatës dhe pas fushatës zgjedhore.

Periudha para fushatës, tha se nënkupton edhe përpilimin e Rregullores, e për këtë falënderoi Institutin e Kosovës për Drejtësi që ka shprehur vullnetin t’i ndihmojë që kornizën ligjore ta zbërthejë në një Rregullore specifike, që do të jetë e qartë për të gjitha mediet.

 


Mehmeti: Rregullorja parasheh që në edicione të lajmeve mos të ketë reklamim politik gjatë zgjedhjeve

Jeton Mehmeti, kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), tha se me Rregulloren për mbulimin e fushatës zgjedhore, në edicionet e lajmeve nuk do të ketë reklamim politik.

“Pra, parashihet që në një periudhë të caktuar të mos ketë informacione të caktuara për aktivitete zgjedhore, me qëllim që edhe publiku duhet të mbrohet sepse është fushatë dhe nuk domethënë që 24 orë t’i jepet informacion që ka të bëjë me fushatën zgjedhore sepse jeta vazhdon edhe në sferat e tjera”, tha Mehmeti në “Tempus“.

Minutazha e siguruar tha se nuk nënkupton edhe publikimin e materialit, ngase i njëjti duhet të shihet nëse është në kundërshtim me Kodin e Etikës të KPM-së apo me Rregulloren për mbrojtjen e fëmijëve, e të tjera, e pastaj të shohin a duhet publikuar materiali i tillë.
Ai tha se edhe Kodi i Etikës është i qartë për atë që lejohet në fushata zgjedhore. Sipas tij, subjektet politike do të jenë të detyruara ta kufizojnë në dy minuta reklamimin.

“Ligji përcakton se pikat reklamuese politike nuk mund të jenë më të gjata se dy minuta”, tha Mehmeti.
Mehmeti theksoi se Rregullorja vlen vetëm për licencuarit e KPM-së, pra televizionet, radiot dhe operatorët e shpërndarjes, mirëpo tha se këta të fundit nuk preken nga kjo. Kurse, për mediet online, tha se nuk kanë juridiksion mbi to.
 


Vllahiu: Parafushata ka filluar ndonëse jo zyrtarisht, mediet do ta zbatojnë Rregulloren

Arbër Vllahiu, kryeredaktor në RTV21, tha se ndonëse jozyrtarisht, parafushata zgjedhore tashmë ka filluar dhe se mediet do ta zbatojnë Rregulloren e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) për mbulimin e fushatës zgjedhore.

Në emisionin “Tempus” në KTV, Vllahiu tha se mediet duhet ta respektojnë këtë kuadër ligjor pasi është proces i përbashkët.

Ai tha se KPM-ja duhet të fillojë komunikimin më intensiv me mediet dhe shoqërinë civile, pasi kjo është një gamë më e gjerë e veprimit.

“Mediat në bazë të asaj që e shoh dhe në bazë të asaj që është vlerësu në zgjedhjet e kaluara ose edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2021 meqenëse ky me sa e di ka qenë procesi i fundit zgjedhor, e shoh që mediet megjithatë kanë qenë në respektim dhe zbatim të ligjit dhe rregulloreve, dhe kanë qenë të lavdërume për punën që e kanë bë”, tha Vllahiu.

Sipas tij, fushata parazgjedhore është edhe ky proces ku jemi tash, edhe pse jo ende zyrtarisht.

“Konsideroj se në një hapësirë, në një ambient të tillë ku funksionojnë mediet, megjithatë ka pas njëfarë vetërregullimi më shumë sesa rregullim ligjor të medieve”, tha Vllahiu.


Vllahiu thotë se sulmet e vazhdueshme ndaj medieve bëjnë të humbet besimi në to

Arbër Vllahiu, kryeredaktor në RTV21, tha se nuk ka mosbesim mbi mediet, por sulmet e vazhdueshme ndaj tyre bëjnë të humbet besimi në to.

“Unë nuk fola që ka mosbesim mbi mediat, por unë fola për një problematikë të madhe për arsye se është e kuptushme se kryesisht partitë politike ose Qeveria të ketë tendenca për të kontrolluar mediat, pastaj dalim në këto telashe. Unë fola për një problem në tërësi në qoftë se kemi arrit si shoqëri ta humbim pak a shumë besimin në media, ky është shqetësimi im sot”, tha Vllahiu.

Vllahiu tha në “Tempus” se mediet nuk e kanë të drejtën të bëjnë lëshime, mirëpo tha se nganjëherë janë disa gjëra që nuk varen prej tyre.

“Nëse e marr një ide të fundit ka qarkullu kohët e fundit dhe është publiku që subjektet politike kanë të drejtë, domethënë t’ia mundësojmë që subjektet politike të vijnë në studio tona dhe të na e sjellin materialin e gatshëm dhe ne ta transmetojmë, por pastaj kush do të sanksionohet, sanksionohemi ne si media, për shkak se na ka ardhur neve një material e neve e kemi transmetu dhe nuk e kemi pas se ajo është e editume, rregullume, e bome, dhe ne veç kemi me transmetu, apo do të sanksionohen subjektet politike për atë se çka ka ndodhë”, tha Vllahiu.
 


Miftaraj: Mediet obligohen t’i trajtojnë barabartë të gjitha partitë gjatë zgjedhjeve

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se mediet janë të obliguara t’i trajtojnë barabartë të gjitha partitë gjatë zgjedhjeve, kurse Komisioni i Pavarur i Medieve (KPM) obligohet që ankesat t’i trajtojë në afat prej pesë ditësh.

“Kosova ka marrë rekomandimin nga Komisioni vëzhgues i zgjedhjeve në vitin 2022, të cilat rekomandime kanë qenë në nivel të institucioneve të Republikës së Kosovës ku hyn Kuvendi, Komisioni i Pavarur për Media, ku ka qenë rregullimi i kësaj fushe përmes një Rregullore që në njëfarë mënyre zbaton Ligjin për zgjedhje që është miratuar vitin e kaluar”, tha Miftaraj.

Miftaraj tha se me rëndësi është fakti se kjo Rregullore e përcakton në mënyrë të qartë se të gjitha partitë politike, të gjitha subjektet politike që certifikohen nga KQZ, do të trajtohen në mënyrë të balancuar dhe në mënyrë të barabartë.

Ai ndër të tjera tha se mediet gjatë 30 ditëve të fushatës për zgjedhje të regullta, duhet të informojnë KPM-në nëse duan ta monitorojnë dhe ta përcjellin fushatën, e nëse vendosin ta përcjellin, mediet e kanë për obligim që të ndajnë një kohë të caktuar, që nënkupton se duhet të ndajnë hapësirë kohore.

“Një medie private e cila dëshiron të monitorojë zgjedhjet, mund të ndajë ose duhet të ndajë kohën se sa do të jetë kjo, do të thotë për reklamat me pagesë, çka është karakteristikë është se është përcaktuar edhe çmimi, që nënkupton në bazë të Ligjit për zgjedhjet e që është po ashtu pjesë e kësaj Rregullore, përcaktohet se mediat që duhet të shesin reklama gjatë fushtës së zgjedhjeve çmimi duhet të jetë në bazë të një çmimi në bazë të gjashtëmujorit të fundit që mediet i kanë shitur për reklama, biznese apo çështje të tjera gjatë trasnmetimit të tyre”, tha Miftaraj.

Më pas, tha se janë përcaktuar parimet të cilat në njëfarë mënyre e garantojnë integritetin e zgjedhjeve.

“Gjatë debateve zgjedhore, mediet të cilat duan të marrin pjesë ose të monitorojnë zgjedhjet, duhet të sigurohen prapë që të organizohen gjatë debateve, diskutimeve nëpër studio, duhet prapë të trajtohen gjitha subjektet në menyrë të drejtë dhe të barabartë, tha Miftaraj.

Në fund, tha se ankesat nga KPM duhet të trajtohen brenda një afati shumë të shkurtër kohor, ku afati i rregullt është 5 ditë, në raste të zgjedhjeve të jashtëzakonshme tri ditë.

“Kur KPM ka ankesa, do të thotë nga subjektet që njëfarë mënyre mund të jenë subjekt i keqinformimit apo shkeljes së të drejtave të tyre, nëse një subjekt ka një ankesë në KPM, KPM është e obliguar që brenda 5 dite të kthejë përgjigje, dhe atë përgjigje ta publikojë në uebsite e tyre.


Miftaraj: Sipas Ligjit për zgjedhje tashmë s’do këtë heshtje zgjedhore

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se tashmë sipas Ligjit për zgjedhjet më nuk do të ketë heshtje parazgjedhore fare.

“Pra, nëse të dielën do të ketë zgjedhje, të shtunën nuk do të ketë heshtje. Heshtja është vetëm në ditën e votimit prej momentit kur hapen vendvotimet deri në momentin kur KQZ e shpallë se janë mbyllur të gjitha vendvotimet”, tha ai.

Miftaraj shtoi se mediet duhet të kujdesen që liderët politikë, përfaqësuesit politikë, nuk lejohet t’i marrin gjatë asaj dite ose të shfaqen logo të partive politike ose çfarëdo slogani i cili asocon me ndonjë parti politike.

Ai shtoi se nëse partitë politike kanë ndonjë ankesë, ato i përcjellin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por mediet këto nuk i publikojnë deri kur mbyllen votimet.

Ndër të tjera, ai tha se që nga viti 2013 Kosova ka qenë sinonim i demokracisë dhe mirëmbajtjes se zgjedhjeve dhe ka qenë shembull në Ballkanin Perëndimor.

“Sa ka me qenë e vështirë për mediat me këto ndryshimet e reja, padyshim që do të jetë e vështirë pasi do bëhet për herë të parë. Mediave i kufizohen disa të drejta, disa benifite të cilat i kanë pas në të kaluarën”, u shpreh ai, duke thënë se këtë nuk e kufizon Rregullorja e KPM-së, por ligji.