Menaxherja e projekteve në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Diana Metushi-Krasniqi, ka theksuar se është pjesë e grupit punues për reformën në prokurim publik dhe se shohin tendencë të Qeverisë të ndërhyjë në kompetencat e gjyqësorit.
“Shumë nga aktivitetet (e Strategjisë kundër korrupsionit) ndërlidhen me reformën në prokurimin publik, e fatkeqësisht duke qenë pjesë e grupit punues në reformën e prokurimit publik që 5 vite, që nuk është bë hala, fatkeqësisht shohim një tendencë të Qeverisë të përzihet në kompetencat e gjyqësorit. Në atë që është propozuar në reformën për prokurimin publik në pjesën ku elaborohen kompetencat e OSHP-së, ka një konflikt me Ligjin për kontestet administrative si dhe ka një tendencë për ndërhyrje në kompetencat e gjyqësorit”, ka deklaruar Metushi-Krasniqi.
Sa i përket pjesës së komunikimit apo të dosjeve penale, ajo ka deklaruar se në vazhdimësi Kosova ka pasur problem ku bizneset me jointegritet edhe pse janë dënuar nga vetë institucionet, ato kanë vazhduar të shpërblehen me paranë publike.
Përderisa mundohemi ta mbajmë në llogaridhënie Qeverinë, Metushi-Krasniqi ka theksuar se duhet të ketë edhe masa për mbajtjen në llogaridhënie të bizneseve.
“Megjithatë, kjo duhet të bëhet në mënyrë të automatizuar duke i përdorur platformat dixhitale pa pas impakt njerëzor ku ato biznese të cilat kategorizohen brenda veprave penale të parashikime për penalizim brenda Ligjit për prokurim publik, të mos u jepet qasje të jenë pjesë e procesit si metodë për zbatimin e ligjit”, ka deklaruar ajo në emisionin “Tempus” në KTV.
Ajo ka thënë se atyre në tavolinë të punës iu servua një ide-koncept që nuk ishte mirë i elaboruar dhe prekte fusha të ndryshme, si dhe nuk ishte i mbështetur në një plan të mirëmenduar.