TEMPUS

Shala: Drafti i Strategjisë kundërkorrupsion që na u prezantua në nëntor ishte skandaloz

Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, ka deklaruar se drafti i Strategjisë kundër korrupsionit që iu prezantua në një takim në nëntor, ishte skandaloz.

Shala ka theksuar se në shkurt të vitit të kaluar është miratuar vendimi për themelimin e strukturave për draftimin e Strategjisë, kurse theksoi se ky proces nuk ka qenë serioz dhe gjithëpërfshirës, duke përmendur prezantimin e shumë drafteve.

“Draftimi i Strategjisë në njëfarë forme është duke u bërë jashtë afatit, sepse afati ka qenë në dhjetor të vitit të kaluar dhe grupi punues nuk ka vendim të ri nga Qeveria për të punuar”, është shprehur ai në emisionin “Tempus” në KTV.

Shala ka përmendur se në nëntor u ishte thënë se do të ishte takimi i fundit për këtë Strategji para miratimit të saj, edhe pse nuk e kishin parë ende. Kurse, pasi iu dorëzua drafti tha se në lexim të shpejtë, vërehej se ishte skandaloz.

“Ai draft në një lexim të shpejtë, aty për aty ishte skandaloz. Për shembull, sipas atij drafti thuhej që Qeveria e Republikës së Kosovës synon ndërmarrjen e masave që Gjykata Kushtetuese të jetë organ mbikëqyrës i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. Pra, jo si një institucion sipas Kushtetutës që mbron Kushtetutën, të drejtat e njeriut sipas procedurave kushtetuese, pranueshmërisë së kërkesave, etj. Mirëpo, organ mbikëqyrës i shkallës së dytë do të thotë, që do ta mbikëqyr KGJK-në dhe KPK-në”, ka deklaruar Shala.

Ai ka theksuar se nuk ka asnjë model në botë që funksionon në mënyrë të tillë gjyqësia kushtetuese.

Shala bëri të ditur se nuk kanë marrë asnjëherë përgjigje në komentet që i kanë dërguar. Sipas tij, edhe në draftin e fundit ka mangësi.

Ai ka thënë se miratimi i Strategjisë kundër korrupsionit mbetet obligim ligjor dhe duhet të miratohet.

“Kjo Qeveri e ka potencuar vazhdimisht faktin se ka ardhur në pushtet për të luftuar korrupsionin dhe slogani kryesor ka qenë “Drejtësi dhe punësim”. Lufta kundër korrupsionit ka qenë pothuajse bazamenti i tyre dhe tash kur po hyjmë në vitin e katërt të qeverisjes, në vitin e fundit të qeverisjes, kjo Qeveri nuk e ka të miratuar një Strategji kundër korrupsionit. Thënë më ndryshe, deri tani është nëse e përkthejmë mungesën e Strategjisë, i bie që është ende duke e shikuar se cila është rruga drejt luftimit të korrupsionit, kur po hyjmë në çerekun e fundit të kësaj Qeverie”, është shprehur Shala.

Ai ka deklaruar se obligimi për ta miratuar këtë Strategji, lind nga gushti i vitit 2022, kur është miratuar Ligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

“Edhe këtu do të thotë ka vonesë, nëse flasim për një Qeveri që ka ardhur në pushtet me premtimin për luftimin e korrupsionit. Çështja e këtyre ligjeve kundërkorrupsion do duhej të ishte top-prioritet e jo të pritej deri në gusht të vitit 2022. Ndërsa, që nga gushti e deri në shkurt të vitit 2023 është dashur të pritet që të fillojë procesi i draftimit të Strategjisë”, ka theksuar Shala.