TEMPUS

Buleshkaj: Kosova pa Strategji kundër korrupsionit qe 6 vjet

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj, ka theksuar se Kosovës i mungon Strategjia kundër korrupsionit tash e 6 vjet, ndërsa ka thwnw se pret që së shpejti të përfundohet ky proces.

“Kosova në të vërtetë nuk ka Strategji që nga viti 2018, kur ka përfunduar do të thotë mandati i Strategjisë së atëhershme e pastaj e kemi pasur një proces kur është hartuar një Strategji, e ka kaluar në Qeveri por nuk ka kaluar në Kuvend asnjëherë. Kosova është pa Strategji kundër korrupsion, ose tashmë janë 6 vjet nëse e llogarisim, i bie që do ishte dashur ta kishim Strategjinë e dytë duke e zbatuar në mes të saj. Ky proces besoj që do të përfundohet shpejt, duhet të jem optimist”, ka theksuar Buleshkaj në emisionin “Tempus” në KTV.

Ai ka thënë se kjo Strategji është e vonuar dhe se është Strategji që tenton t’i orientojë përpjekjet e shtetit për ta parandaluar apo luftuar korrupsionin.

Sipas tij, ajo që dihet është që tashmë ekziston një draft, i cili pritet të dalë së shpejti në diskutim publik dhe të finalizohet si dokument.

Buleshkaj ka deklaruar se do duhej të raportonin në Kuvend për zbatimin e Strategjisë, por në mungesë të saj nuk kanë çfarë të raportojnë.


Buleshkaj: Strategjia kundër korrupsionit nuk ndryshon shumë nga strategjitë paraprake

Ai ka theksuar se Strategjia kundër korrupsionit në thelb nuk është shumë ndryshe nga strategjitë paraprake.

Sipas tij, Strategjia kundër korrupsionit parasheh masat për parandalimin, luftimin dhe ngritjen e vetëdijes qytetare.

“Qëllimet edhe atëherë kanë qenë të përbëra në tri fusha kryesore që janë edhe tash, ndoshta janë të emëruara ndryshe, por kur e sheh thelbin është gjëja e njëjtë, është parandalim, luftim edhe vetëdijesim i qytetarëve, nuk ka asgjë tjetër aty”, ka thënë Buleshkaj.

Mirëpo, sipas tij tek luftimi i korrupsionit janë futur shumë gjëra që ndoshta edhe nuk e kanë vendin aty.

Po ashtu, Buleshkaj ka deklaruar se është dashur që të shikohen të gjitha raportet, edhe ato të brendshme të vlerësimit që janë bërë nga institucionet ligjzbatuese, në atë mënyrë që të shihen se ku janë më të cenueshme.

“Ose edhe publiku kur po i sheh, ku janë telashet, në mënyrë që Qeveria të ketë strategji t’i adresojë këto sfida, t’i alokojë burimet e nevojshme, qofshin njerëzore apo financiare, që të adresohen të paktën mos të mbesin për t’u adresuar pa këto burime, e pjesa tjetër të shihet si po zbatohet nga institucioni dhe të kërkojmë përgjegjësi nga institucionet se sa po i zbatojnë aspektet e caktuara”, ka shtuar tutje Buleshkaj.

Ai ka theksuar se Ligji për APK-në ka hyrë në fuqi në vitin 2022, kurse buxheti iu shtua tek në vitin 2024 dhe iu lejua staf shtesë për të kryer mandatin shtesë.