Më 2013, Kosova dhe Serbia ishin marrë vesh që autoritet gjyqësore do të integroheshin dhe operonin brenda kornizës ligjore të Kosovës. Gjithashtu, ishin pajtuar që përbërja e gjyqësorit të reflektonte përbërjen etnike të juridiksionit territorial të secilës gjykatë respektive në veriun e Kosovës.
Po ashtu, ligjet e Kosovës do të zbatoheshin nga gjyqësori, do të kishte një Prokurori dhe Gjykatë në Mitrovicë, do të përcaktoheshin degët e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ndërsa kryetari i gjykatës do të ishte serb i Kosovës, por kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të ishte shqiptar.
Ky tranzicion i mori katër vjet që të zbatohej marrëveshja për integrim në praktikë.
Viti 2017 shënon integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në Kosovë. Viti kur Gjykata dhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë do të ishin funksionale për herë të parë në shërbim të qytetarëve, pa dallim etnie që nga shpallja e Pavarësisë.
Raporti i Progresit për vitin 2017 konstatonte se integrimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë dhe stafit mbështetës ishte arritje e madhe. Me funksionalizimin e organeve të sipërpërmendura, kryetar i Gjykatës Themelore ishte emëruar një serb, ndërsa kryeprokuror i Themelores ishte emëruar një shqiptar.
Kolegëve shqiptarë u ishin bashkëngjitur edhe 29 gjykatës serbë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës dhe degët respektive të veriut.
Ndërsa, Prokurorisë Themelore në Mitrovicë u ishin bashkëngjitur 9 prokurorë serbë.
“Tetë vjet pas nënshkrimit të marrëveshjeve rreth integrimit të serbëve si prokurorë dhe gjyqtarë në sistemin e drejtësisë, sot flasim për kundër-integrim dhe diçkaje të keqe që përballë veprimeve politike kanë krijuar dëme dhe fatkeqësisht flasim për pasoja që janë krijuar prej këtyre veprimeve politike. Ajo që është e sigurt pas integrimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë, është se serbët absolutisht në tërë territorin e Kosovës kanë fituar trajtim të barabartë përballë sistemit të drejtësisë dhe kjo mund të themi se është storia më e suksesshme, normalisht përfshirë edhe integrimin e policisë”, tha drejtori i OJQ “Aktiv”, Miodrag Miliçeviq.
Ndërsa, Eranda Zekaj, hulumtuese në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se dorëheqja e serbëve nga gjyqësori, ka ndikuar edhe në mosmenaxhimin adekuat të lëndëve.
“Ndodhitë e fundit në rastin e dorëheqjeve të tyre (prokurorëve, gjyqtarëve dhe policëve) kanë shkaktuar ngërçe të shumta në sistemin gjyqësor”, tha Zekaj.
Përfaqësuesi i KGJK-së, Shkëlzen Maliqi, tha se dorëheqja e serbëve nga sistemi i drejtësisë ka shkuar jo vetëm në dëm të gjyqësorit, por edhe në dëm të vetë serbëve.
“Integrimi si proces është vlerësuar jo vetëm prej Këshillit Gjyqësor, por edhe prej popullsisë si një proces shumë i rëndësishëm ku ka kontribuar jashtëzakonisht shumë që qytetarët serbë të integrohen dhe të kenë një qasje në sistemin e drejtësisë më të lehtë. Bashkëpunimi dhe komunikimi ndërmjet gjyqtarëve shqiptarë dhe serbë ka qenë e nivelit jashtëzakonisht të mirë. Megjithatë, pas dorëheqjes së tyre më 7 nëntor 2022 ka shkaktuar një dëm jo vetëm për gjyqësorin por edhe për qytetarët serbë”, tha ai.
Akterët vendorë e ndërkombëtarë, integrimin e serbëve e vlerësonin si vit të suksesshëm në funksionimin e sistemit gjyqësor për veriun e Kosovës, por viti 2023 do të rrezikonte tërë investimin dhjetëvjeçar.
Në fundin e vitit 2022, Qeveria e Kosovës mori vendim për zbatimin e planit për regjistrimin e makinave me targat të lëshuara nga Serbia, duke filluar nga 1 nëntori 2022. Këtë vendim, refuzonte ta zbatojë drejtori i Policisë në rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, që solli suspendimin e tij.
Me reagim kundër doli Lista Serbe që përfaqëson serbët në Kuvend dhe komunat me shumicë serbe. Lista Serbe me dorëheqje masive u largua nga institucionet qendrore, komunat në veri të vendit, policia, gjyqësori dhe prokuroria.
Vendimi për t’u larguar me dorëheqje nga policia, gjyqësori dhe prokuroria në veri, u mor në një mbledhje në Zveçan me dyer të mbyllura.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se një vit nga dorëheqjet masive të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë dhe stafit mbështetës, KGJK-ja dhe KPK-ja ende nuk i kanë trajtuar dorëheqjet e tyre, duke u konsideruar si qasje konstruktive e dy Këshillave.
Shkëlzen Maliqi, drejtor i sekretariatit të KGJK-së tha se edhe pse nuk janë miratuar dorëheqjet e gjykatësve dhe stafit mbështetës, ata nuk janë në listën e pagave, në pritje të vendimit që të kthehen në vendet e tyre të punës.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 22 nëntor domethënë më 7 nëntor është paraqitë dorëheqja, ndërsa më 22 nëntor ka diskutuar për këtë çështje dhe ka marrë vendim për pezullimin e pagave të stafit të dorëhequr dhe të gjyqtarëve, ndërsa shqyrtimi i dorëheqjeve ka mbetur pezull për një moment tjetër”, tha Shkëlzen Maliqi, drejtor i sekretariatit të KGJK-së.
Në anën tjetër, Zekaj nga IKD tha se është konsideruar pozitive mosaprovimi apo refuzimi i dorëheqjeve nga KGJK dhe KPK.
“Në kuptim të asaj se ata ende konsiderohen gjyqtarë të sistemit gjyqësor të Kosovës, derisa KGJK-ja nuk aprovon një dorëheqje të tillë apo refuzon, pastaj ajo pasohet me dekret të Presidentes. Megjithatë, kjo ligjërisht nuk e ndalon KGJK t’i fillojë procedurat disiplinore, siç ka ndodhur me Kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe shefin e Divizionit të Apelit në Mitrovicë, duke qenë se kanë marrë pjesë në tubime politike, gjë që është shkelje e rëndë dhe në drejtim të kësaj edhe janë shkarkuar”, tha Zekaj.
Raporti i Progresit për Kosovën për vitit 2022 kishte kritikuar pjesëmarrjen e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në një takim të organizuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, duke e konsideruar këtë si aktivitet politik dhe si sjellje të papranueshme. Si rezultat, KGJK kishte zhvilluar procedurë disiplinore ndaj një anëtari të KGJK-së nga komuniteti serb dhe kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për pjesëmarrje në aktivitete politike, duke marrë vendimin për shkarkimin e të njëjtëve.
“Pa marrë parasysh këtë vakumin momental i cili ka ndodhur pas daljes apo largimit të serbëve nga institucionet, besoj në të ardhmen do të gjejmë një model i cili do të jetë në dobi të të gjithë qytetarëve”, tha Miliçeviq. /BetimipërDrejtësi