TEMPUS

Zekaj: Qeveria ka dështuar në reformën në drejtësi

Hulumtuesja në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Eranda Zekaj, tha se Qeveria e Kosovës ka dështuar në reformën në drejtësi.

Duke folur për Ligjin për Këshillin Prokurorial, Zekaj tha se disbalanca e numrit të anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë, do të shkaktonte destabilizim.

“Nëse marrim kuorumin, aty theksohet se në rast se zgjidhen të gjithë anëtarët, atëherë konsiderohen 12 vota dhe kështu kërkohen 8 vota nga anëtarët joprokurorë të zgjedhur në Kuvendi dhe në këtë mënyrë nuk kemi një balancë mes prokurorëve dhe joprokurorëve dhe nuk ndikon në depolitizimin që Qeveria e ka kërkuar. Në këtë rast marrim parasysh edhe vetë faktin që herën e fundit Komisioni i Venecias ka adresuar, ka qenë që nuk kërkohet një numër i lartë i anëtarëve në Këshill, për arsye se kemi një numër të vogël të prokurorëve në Kosovë. Një numër kaq i lartë i anëtarëve, do të shkaktonte destabilizim”, tha Zekaj në emisionin “Tempus” në KTV.

Ndërsa, për Gjykatën Kushtetuese, tha se me faktin që sa ligje kanë kaluar, nuk mund të themi se paraqitet si pengesë në disa raste.

“Sistemi politik apo ekzekutivi nuk duhet fare të ndërhyjë ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke marrë parasysh edhe parimin e ndarjes së pushteteve, që është parim themelor në një shtet demokratik”, shtoi ajo.


Zekaj: Në Javën Kundër Korrupsion publikohen raporte për ngecjet e zhvillimet në luftën kundër korrupsionit

Zekaj tha se në Javën Kundër Korrupsion, do të publikohen raporte që tregojnë ngecjet dhe zhvillimet në luftën kundër korrupsion.

“Kjo javë fillon më 5 dhjetor dhe përfundimi i saj është më 9 dhjetor, duke marrë parasysh edhe ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, që ka qenë e vendosur nga Kombet e Bashkuara. Kryesisht ka qëllim ngritjen apo sensibilizimin kundër korrupsionit, parandalimin e tij, luftimin e tij, se si institucionet kanë ngecur në luftimin apo ndërmarrjen e veprimeve të caktuara për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit. Kryesisht, ne si koalicion i organizatave do të kemi aktivitete të shumta, të cilat tregojnë se si këto institucione kanë vepruar në raste të caktuara”, tha Zekaj.

Sipas saj, varësisht prej ditëve, këto aktivitete paraqesin aktivitete tejet të rëndësishme për çdo institucion por edhe për popullin në përgjithësi.

“Në fillim do të mbajmë tryeza sa i përket reformave në drejtësi, se si ato kanë çaluar, çfarë po ndodh me to, a janë të mjaftueshme për luftimin e korrupsionit dhe kështu me radhë. Mirëpo, çfarë do të jetë interesant edhe gjatë ditës së martë me fillimin e javës kundër korrupsionit është edhe se si Qendra për Edukim Profesional e Institutit të Kosovës për Drejtësi me studentët e saj do të realizojë një seancë të simuluar me studentë e saj sa i përket miratimit të një rezolute kundër-korrupsionit”, tha Zekaj.

Ajo tha se gjatë kësaj jave do të publikohen raporte nga monitorimi i vazhdueshëm i punës së gjykatave, punës së Qeverisë, Kuvendit dhe ndërmarrjeve publike.

“Kryesisht, sa është amnistuar ndjekja dhe luftimi i korrupsionit, sa po amnistohet vepra e mosdeklarimit të pasurisë, politika ndëshkimore tejet të buta me gjobë, mosburgim efektiv apo në rast se kemi burgime efektive të njëjta shndërrohen me gjobë, recidivizmi i mjaftueshëm, e kështu me radhë”, tha Zekaj.