1 perditesime
21:31

Miftraraj: Opozita në Serbi ka frikë se Radoiçiqi një ditë mund të gjendet i vdekur

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, ka theksuar se opozita në Serbi ka frikë se Milan Radoiçiq një ditë mund të gjendet i vdekur.

“Edhe pse Radoiçiq ka qenë dhe është udhëheqësi i këtij grupi terrorist, sot dhe dje në Serbi një numër i madh i kundërshtarëve politik të Presidentit Vuçiq njëfarë mënyre po i luten për jetën e Radoiçiqit, sepse shumë kanë frikë se një mëngjes, një mbrëmje mund të përfundojë diku i vdekur sepse është ajo alfa-omega e cila mund ta shkatërrojë Vuçiqin sepse nëse bie Raidoçiqi sigurisht që duhet të tregojë për të gjitha skemat për të gjithë skenarin”, ka thënë Miftaraj.

Ai ka deklaruar se shtetet e huaja e kuptojnë se kjo kampanjë që ka ndodhë në Kosovë nuk ka mundur të bëhet pa një logjistikë të shtetit Serb.

“Edhe shërbimet e huaja dhe shtetet e huaja e kuptojnë se kjo kampanjë që ka ndodh në Kosovë nuk ka mundur të bëhet pa një logjistikë të shtetit Serb, pa aparaturën”, ka thënë Miftaraj.

21:08

Miftaraj: E dëmshme për hetimet zbardhja e shumë provave në publik për Banjskën nga Sveçla

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, ka deklaruar se është e dëmshme për procesin e hetimeve, zbardhja e shumë provave në publik nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Ajo çka po lë shije jo të mirë është që po dalin shumë dëshmi, shumë prova në publik nga ana e ministrit Sveçla. Është e vërtetë që për publikun, për opinionin publik janë shumë interesante dhe si qytetar të këtij vendi, ndihesh krenar kur i sheh gjithë ato, por këto e dëmtojnë besoj procedurën penale edhe Kosovën ose Kosova nuk mund t’i shfrytëzojë mjaftueshëm këto nëse do të mund të shfrytëzoheshin në aspektin diplomatik. Kosova ka mundur të njëjtat t’i ndajë me shtetet mike: SHBA, BE, Gjermani, Francë, Itali e të tjera, të kuptojnë se cili është roli i shtetit serb, strukturave të sigurisë dhe Radoiçiqit në gjithë këtë skenar që ka ndodhur dhe jo ne t’i publikojmë në media dhe pastaj Vuçiqi dhe shërbimet sekrete serbe dhe shteti serb ta ketë mbrojtjen përmes asaj që i servojmë ne”, ka deklaruar Miftaraj.