Në emisionin “Tempus” në KTV, është transmetuar një storie, e cila tregon se cilat janë të drejtat dhe përgjegjësitë e institucioneve në trajtimin e rasteve të gazetarëve dhe komuniteteve LGBTIQ+.
Gazetarët dhe profesionistët e medias kanë të drejtë në ushtrimin e profesionit të tyre në mënyrë të lirë dhe pa ndërhyrje, e kjo përfshinë lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë.
E gjithë kjo, me qëllim të zbardhjes të së vërtetës dhe informimin e drejtë të publikut. Andaj, në çdo rast kur kjo liri kërcënohet, shteti obligohet të bëjë hetim, ndjekje dhe gjykim të pavarur dhe të paanshëm të kryerësve të veprave penale ndaj gazetarëve dhe medias në përgjithësi.
Sipas të dhënave të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, vetëm në gjashtë mujorin e parë të vitit 2023 janë shënuar 47 raste të sulmeve, kërcënimeve dhe shpifjeve publike ndaj gazetarëve në Kosovë.
Kjo statistikë tregon trend të rritjes në krahasim me vitet paraprake, ku në vitin 2022 janë regjistruar 33 raste, ndërsa në vitin 2021 janë regjistruar 29 raste të sulmeve, kërcënimeve dhe shpifjeve publike ndaj gazetarëve .
Secili gazetar që pëson gjatë kryerjes së detyrës çfarëdo lloj sulmi, kërcënimi, kanosje, apo formë tjetër, mund ta raportojë rastin në Polici apo Prokurori, si dhe të informojnë organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve.
Në rastin ku qytetari ka kërcënuar me jetë gazetaren dhe kameramanin, duke ju thënë se i kanë borxh “një gjak dhe se do t’i vjerrë në bandera”, rasti është raportuar në Polici. U arrestua personin në fjalë, ndërsa gjykata e ka dënuar kryerësin me gjobë prej 200 eurove për veprën penale “Kanosje”.
Në rastin ku qytetari ka sulmuar fizikisht gazetarin, me çka ka kryer veprën penale, “Lëndim i lehtë trupor”. Rasti është raportuar, ndërsa Gjykata ka dënuar kryerësin me gjobë prej 4 mijë e 500 eurove.
Në rastin ku qytetari përmes rrjetit social Facebook, kërcënoi me jetë gazetarin. Rasti është raportuar, ndërsa Gjykata ka dënuar kryerësin me gjobë prej 700 eurove, për veprën penale “Kanosje”.
Në Kosovë, gazetarët mund të përfitojnë edhe ndihmë juridike falas në raste kur largohen nga puna, paditen për shpifje, ndiqen penalisht apo përballen me padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike.
Kurse sa i përket personave LGBTIQ+, ata gëzojnë liri dhe të drejta të barabarta sipas Kushtetutës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi. Por, në praktikë personat e këtyre komuniteteve vazhdojnë të përballen me cenim të drejtave të tyre, diskriminim apo edhe dhunë me bazë gjinore.
Raporti i Komisionit Evropian vë në pah rritje të rasteve të dhunës ndaj personave LGBTIQ+ . Personat LGBTIQ+ rezulton se shpesh dhunën e përjetojnë brenda familjes, nga familjarët e tyre.
Në këto raste, në përputhje me ligjin, viktimat kanë të drejtë të iniciojnë procedura për caktimin e urdhrit mbrojtës, ndjekjen e procedurës penale dhe në fund edhe realizimin e të drejtës në kompensim.
Shteti e ka obligim të ofrojë ndihmë dhe mbështetje për të gjithë personat që kanë nevojë për strehim, përfshirë edhe personat LGBTIQ+, që mbesin të pastrehë për shkak të refuzimit nga familja e tyre.
Një formë e shpeshtë e shkeljes së të drejtave të njeriut, me të cilën përballen personat LGBTIQ+ është gjuha e urrejtjes ndaj tyre, e kjo bëhet edhe më shqetësuese, kur gjuha e urrejtjes përdoret nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, sikurse ka ndodhur gjatë diskutimeve për draft-Kodin Civil.
Gjuha urrejtëse ndaj këtyre komuniteteve, ka degraduar edhe rrugëve deri në thirrjet për vrasje.
Në anën tjetër, disa çështje të ndjeshme për të drejtat e personave LGBTIQ+ do të adresoheshin përmes Kodit të Ri Civil, sikurse martesat/bashkimet civile të së njëjtës gjini, i cili nuk po arrin të miratohet në Kuvend.
Kjo zvarritje shkakton pengesa në përpjekjet për avancimin e të drejtave të tyre dhe demokracisë në vend.
Në çdo rast të shkeljes së këtyre të drejtave, ekzistojnë mekanizmat për trajtimin e tyre. Për t’u asistuar lidhur me këto procedura, personat që janë subjekt i këtyre shkeljeve, mund të kërkojnë ndihmë profesionale falas për të realizuar të drejtat e juaja përmes Qendrës për Ndihmë Juridike falas të Institutit të Kosovës për Drejtësi. /BetimipërDrejtësi